NATO: Rusia po dërgon konvoje të armatosura në Ukrainë

Koha Ditore - - BOTË -

Ukraina i është përgjigjur të dielën një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke e akuzuar Rusinë për dërgimin e një konvoji me 32 tanke dhe kamionë, përplot me ushtarë, për t’iu ndihmuar rebelëve pro-rusë, që mbajnë nën kontroll dy enklava të Ukrainës Lindore

NAPOLI, ITALI, 11 NËNTOR (REUTERS) – NATO-ja është e shqetësuar rreth konvojeve të kamionëve, që po bartin armë artilerike në Ukrainën Lindore nga Rusia, derisa dëshiron respektimin e kufijve ndërkombëtarë, ka thënë të martën komandanti suprem i forcave aleate.

Ukraina i është përgjigjur të dielën një raporti të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), duke e akuzuar Rusinë për dërgimin e një konvoji me 32 tanke dhe kamionë, përplot me ushtarë, për t’iu ndihmuar rebelëve pro-rusë, që mbajnë nën kontroll dy enklava të Ukrainës Lindore.

Moska tashmë sa kohë mohon akuzat se ushtarët e saj janë duke vepruar në Ukrainën Lindore, ndonëse shumë ushtarë rusë janë vrarë atje, derisa as OSBE-ja dhe as komandanti i NATO-s, gjenerali i Forcës Ajrore amerikane, Philip Breedlove, nuk e kanë akuzuar Rusinë me emër.

“Materialet, pajisjet, armët e blinduara dhe municionet vazhdojnë të dërgohen në Ukrainën Lindore. Dërgimi ka vazhduar edhe gjatë ditëve të kaluara”, ka thënë Breedlove në një intervistë dhënë Reutersit dhe dy medieve të tjera, në një bazë të NATO-s, afër Napolit.

“Jam i shqetësuar për lëvizjet e shpeshtuara”.

Ai ka nxitur palët e përfshira në konflikt “që të respektojnë normat e mbështetura në Perëndim: shtetet duhet të respektojnë kufijtë ndërkombëtarë”.

OSBE-ja ka thënë se kishte vërejtur një konvoj të blinduar në territorin rebel, që bartte trupa të uniformuar pa simbole. Kiev ka thënë se këto janë përforcimet ruse, që po dërgohen për të mbrojtur enklavat, të cilat Kremlini tani po i quan “Rusia e re”. Armëpushimi dymuajsh, që synon t’i japë fund luftës që ka vrarë 4.000 njerëz, është shkelur me të madhe gjatë javës së kaluar, derisa Breedlove e ka quajtur armëpushim “vetëm në emër”.

“Dhuna po vazhdon të përshkallëzohet dita-ditës”, ka thënë ai, duke shtuar se numri i trupave ruse brenda Ukrainës Lindore, që janë duke ndihmuar dhe trajnuar forcat rebele, për përdorimin e armëve të sofistikuara është rritur. Breedlove po ashtu ka thënë se Rusia vazhdon të mbajë rreth tetë batalione me trupa në kufirin e Ukrainës, derisa ka pozicionuar forcat që janë në gjendje të operojnë me armë bërthamore.

“Nëse ata kanë edhe armë bërthamore me vete, këtë nuk e dimë”, ka thënë ai.

TEHERAN, 11 NËNTOR (REUUTERS) - Rusia do të ndërtojë dy reaktorë bërthamorë në Iran.

Kompanitë shtetërore bërthamore të të dyja vendeve kanë nënshkruar sot në Moskë kontratën për ndërtimin e dy reaktorëve në centralin e Bushehrit, me mundësi të zgjerimit edhe me katër reaktorë të tjerë.

Bushehri është centrali i parë bërthamor i Iranit, i cili është ndërtuar nga Rusia dhe ka hyrë në funksion më 2011.

Në bazë të një protokolli të ndarë, të nënshkruar po ashtu, Rusia dhe Irani synojnë të bashkëpunojnë për ndërtimin e tetë reaktorëve të tjerë – katër në Bushehr dhe katër gjetkë.

Irani po bën përpjekje të zvogëlojë varësinë e tij nga nafta dhe gazi.

Republika Islamike e Iranit vazhdimisht akuzohet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit fqinj se po synon zhvillimin e programit bërthamor për qëllime ushtarake. Mirëpo Teherani refuzon akuzat, duke pretenduar se ka qëllime paqësore për prodhimin e energjisë atomike. Izraeli nuk e përjashton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve ajrore kundër Iranit nëse programi merr përmasa ushtarake. Perëndimi i druan Iranit për shkak se kështu do të mund të nxitej një garë e armëve bërthamore në Lindje të Mesme, që edhe ashtu është trazuar prej luftimeve sektare.

Kapiteni i anijes së fundosur

dënohet me 36 vjet burg

SEUL, 11 NËNTOR (REUTERS) - Kapiteni i anijes, e cila është fundosur në Korenë e Jugut, në muajin prill, duke vrarë mbi 300 pasagjerë, është shpallur fajtor për neglizhencë.

Një gjykatë jugkoreane e ka dënuar atë me 36 vjet burgim.

Drejtësia ka dënuar edhe 14 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit me dënime të ndryshme, që shkojnë deri në 30 vjet heqje lirie.

Kapiteni Lee Joon-seok, ka kërkuar falje për braktisjen e pasagjerëve, duke thënë se nuk e ka ditur që veprimi i tij do të çojë në kaq shumë vdekje. Fundosja e anijes kishte shkaktuar reagime të ashpra publike në mesin e koreanëve, të cilët kanë akuzuar shtetin se nuk po merr masa për rritjen e sigurisë në mjetet e transportit ujor.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.