Abbas: Izraeli po nxit luftë fetare

Koha Ditore - - BOTË -

Abbas, duke folur të martën gjatë një ceremonie në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, në dhjetëvjetorin e vdekjes së liderit palestinez, Yasser Arafat, ka thënë se vizitat e besimtarëve hebraikë ishin provokuese dhe se besimtarët palestinezë do ta mbronin këtë tempull

RAMALLAH, 11 NËNTOR (REUTERS) – Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, e ka akuzuar Izraelin për nxitjen e një “lufte fetare”, duke lejuar besimtarët hebraikë që të vizitojnë një vend të shenjtë në Jerusalem.

Abbas, duke folur të martën gjatë një ceremonie në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor, në dhjetëvjetorin e vdekjes së liderit palestinez, Yasser Arafat, ka thënë se vizitat e besimtarëve hebraikë ishin provokuese dhe se besimtarët palestinezë do ta mbronin këtë tempull.

Komentet e tij kanë ardhur pasi që ushtarët izraelitë kanë qëlluar për vdekje një demonstrues palestinez, në përleshjet afër qytetit Hebron të Bregut Perëndimor.

21-vjeçari Imad Jawabreh është qëlluar me armë në kraharor të martën, kanë bërë të ditur mjekët palestinezë, duke shtuar se sulmi kishte ndodhur në rrugën kryesore në kampin e refugjatëve, “AlArroub”.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve ka raportuar se palestinezi ishte qëlluar, derisa ndodhej në katin e dytë të shtëpisë.

Një zëdhënës ushtarak izraelit në Tel-Aviv ka thënë se ushtarët kishin hapur zjarr, pasi që një protestues ua drejtoi “një armë të improvizuar”.

Në fjalimin e tij, Abbas ka folur për përplasjet që kanë kapluar Jerusalemin Lindor gjatë katër muajve të kaluar dhe për trazirat në kompleksin e xhamisë “Al-Aqsa”, nxitur nga kërkesat e grupeve ultrakonservative hebraike për të drejtën që të luten atje.

Hebrenjtë lejohen ta vizitojnë xhaminë, por nuk mund të falen atje.

Rritja e numrit të vizitave ka rritur shqetësimin te myslimanët se Izraeli po bën komplote që ta marrë kontrollin mbi xhaminë.

Palestinezët “do ta mbrojnë ‘Al- Aqsan’ dhe kishat nga kolonët dhe ekstremistët”, është zotuar Abbas.

Ai po ashtu ka riafirmuar planet e tij për të paraqitur projektrezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në fund të muajit, duke bërë thirrje për fundin e okupimit izraelit mbi territoret palestineze deri në nëntor të vitit 2016.

Ai ka premtuar se palestinezët, që e fituan statusin e shtetit vëzhgues të OKB-së më 2012, do të aplikonin për t’iu bashkuar një numri organizatash ndërkom- bëtare, po qe se rezoluta bllokohet nga vetoja amerikane.

“Nuk do të tolerojmë çfarëdo lloj presioni”, ka thënë Abbas, duke iu referuar përpjekjeve amerikane që të bindin palestinezët për të mos iu qasur Këshillit të Sigurimit.

Në fjalimin e tij, Abbas po ashtu e ka akuzuar “Hamas”-in për përpjekjet e “shkatërrimit” të përpjekjeve të arritjes së unitetit shtetëror, përmes një numri të sulmeve me bombë në këtë territor gjatë javës së kaluar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.