Profeti mormon me 40 gra

Koha Ditore - - BOTË -

NEW YORK, 11 NËNTOR (NYT) - Liderët mormonë e kanë pranuar për herë të parë se themeluesi i kishës dhe profeti i tyre, Joseph Smith, i portretizuar në materiale kishtare si partner besnik ndaj të dashurës së tij Emma, ishte i martuar me 40 gra, disa prej të cilave tashmë të martuara dhe një 14-vjeçare.

Të dhënat e reja të zbuluara nga kisha, në një seri esesh të publikuara në internet, janë pjesë e përpjekjes për të qenë transparente me historinë e kishës në kohën kur anëtarët e saj po rrisin shqetësimet dhe zemërimin karshi saj për pretendimet e ngritura edhe më herët në internet. Shumë mormonë, veçanërisht ata që kishin paraardhës me poligami, kanë thënë se të gjithë ishin të njoftuar se pasardhësi i Smithit, Brigham Young, kishte praktikuar poligaminë kur i priu tufës së tij në Salt Lake City. Por ata nuk e kishin ditur të vërtetën e plotë për Smithin.

E vërteta për “profetin e përsosur”

“Joseph Smithi më është prezantuar mua si profet i përsosur, dhe kështu është për shumë njerëz”, ka thënë Emilu Jensen, blogere dhe botuese në Farmington të Utah, që shpeshherë shkruan për çështje të mormonëve. “Kjo nuk është kisha me të cilën jam rritur. Ky nuk është Joseph Smith që dua”, ka thënë zonja Jensen.

Smith mbase nuk kishte marrëdhënie seksuale me të gjitha gratë e tij, sepse disa prej tyre ishin “përkushtuar” ndaj tij për botën tjetër, thuhet ndër të tjera në esetë e postuara prej kishës. Por për gruan e tij të parë, Emma, poligamia ishte “përvojë e hidhur torturuese”.

Katër botimet e reja për poligaminë e prijësve të kishës mormone ishin pritur për një kohë të gjatë për shkak se kisha akuzohej për mbajtje sekret dhe se nuk po përgjigjej hapur pas dyshimeve të ngritura për jetën martesore të të parëve të saj. Ka pasur diskutime se heqja e perdes dhe zbulimi i të vërtetave historike do të hiqte iluzionet fetare te shumë besimtarë dhe se ata do të mund të nxiteshin të hiqnin dorë prej kishës.

Kisha e Jezu Krishtit të shenjtorëve të fundit, si është e njohur Kisha Mormone, ka publikuar pa bujë të madhe 12 ese në uefaqen e saj për temat e fundit të diskutuara që ishin të njohur si “ndalimi për të zinjtë” që të ushtronin detyrën e priftërinjve, që ishte tërhequr pastaj më 1978, si dhe për pikat sesi Smithi kishte përkthyer Librin e Mormonit, skriptin e shenjtë kishtar.

Shumica e grave të Smithit ishin ndërmjet moshës 20 dhe 40-vjeçare, njoftohet në ese, por ai u martua me Helen Mar Kimballin, e bija e dy miqve të tij të ngushtë, “disa muaj para se ajo t’i mbushte pesëmbëdhjetë vjet”. Në një fusnotë thuhet se, sipas “të

dhënave të kujdesshme”, Smithi kishte prej 30 deri në 40 gra

Elder Steven E. Snow, historian i kishës dhe anëtar i lidershipit të lartë të saj, ka thënë në një intervistë se “kishte aq shumë gjëra në internet saqë ne ndjenim se kishim për detyrë t’u ofronim anëtarëve tanë një vend të sigurt, ku ata do të mund të merrnin informacione të sigurta, të besueshme dhe vetëpromovuese që ishin të vërteta për disa prej aspekteve të vështira të historisë sonë”, ka deklaruar Snow. “Besoj se historia jonë është plot me rrëfime besimi dhe përkushtimi e sakrifice, por këta njerëz nuk ishin të përsosur”.

Poligamia, “urdhër i Zotit”

Eseja për “martesën shumëfishe” në ditët e para të lëvizjes mormone në Ohio dhe Illinois njofton se poligamia ishte e komanduar nga Zoti, zbuluar nga Smithi dhe pranuar prej tij dhe pasuesve të tij vetëm me hezitim të madh. Abrahami dhe patriarkët e tjerë të Besëlidhjes së Vjetër kishin shumë gra dhe Smithi predikoi se kjo kishë ishte “restaurim” i kishës së hershme dhe të vërtetë të krishterë.

Shumica e grave të Smithit ishin ndërmjet moshës 20 dhe 40-vjeçare, njoftohet në ese, por ai u martua me Helen Mar Kimballin, e bija e dy miqve të tij të ngushtë, “disa muaj para se ajo t’i mbushte pesëmbëdhjetë vjet”. Në një fusnotë thuhet se, sipas “të dhënave të kujdesshme”, Smithi kishte prej 30 deri në 40 gra.

“Bomba” më e madhe për shumëkënd në ese ishte se Smithi ishte martuar me gra që tashmë ishin të martuara, disa prej të cilave me miq dhe pasues të Smithit.

Esetë nuk kanë treguar asgjë më shumë sesa ato që kishin qenë të di- tura më herët, ka thënë Richard Bushman, profesor emeritus i historisë në Universitetin e Kolumbias dhe autor i librit “Joseph Smith: Gur që rrokulliset”. Bushman ka thënë se liderët e kishës “në njëfarë forme diku kishin vendosur se ishte koha që të tregohej e gjithë historia, që të mos ishin në pozitë mbrojtëse, dhe të mos mundoheshin më t’i fshihnin gjërat. Dhe nuk ka asnjë fakt tjetër më shqetësues dhe acarues sesa Smithi që ishte martuar edhe me disa prej grave të shokëve të tij”.

“Kjo është një njohje dhe pjekuri”, ka deklaruar Bushman, duke komentuar vendimin e ri të kishës. “Ka shumë liderë të kishës që thonë se ‘ne vetëm dëshirojmë ta dimë se si janë zhvilluar gjërat. Ne jemi një kishë e sigurt’”.

Përparësi për të rinjtë

Gjenerata e re e mormonëve do të përfitojë prej këtij hapi, ka thënë Samantha Shelley, bashkëthemeluese e faqes “MillenniaMormons.com” në Provo të Utah.

Ajo ka theksuar se e dinte të kaluarën poligamike të Smithit, por “është shumë e lehtë për njerëzit e këtyre ditëve që të kërkojnë në internet dhe t’u shkatërrohet bota dhe nuk dinë se çfarë të mendojnë”.

Më 1890, nën presionin e Qeverisë amerikane, kisha kishte lëshuar një manifest zyrtar që i jepte fund poligamisë. Eseja e kishës për këtë fazë e pranon se disa anëtarë, madje edhe liderë, nuk hoqën dorë për disa vjet me radhë prej kësaj praktike.

Por kisha kishte hequr dorë prej mbështetjes së poligamisë, dhe mormonët që kishin refuzuar të ve- pronin sipas kësaj këshille ishin ndarë prej kishës dhe kishin krijuar kisha të pavarura, disa prej të cilëve edhe sot ekzistojnë.

Warren Jeffs, prijës i një grupi të tillë, ishte dënuar më 2011 në Teksas për abuzim seksual të fëmijëve. Ende ka një rrugë të lënë hapur që mormonët të mund të besojnë në bindjen se poligamia është e lejuar në besimin e tyre. Kisha vlerëson se një burrë “që e kishte vulosur” martesën me një grua sipas ceremonive të nevojshme kishtare, ai mund të martohet edhe me një grua tjetër pas divorcit ose vdekjes me të parën. Kështu ai mund të martohet me të dyja në botën tjetër. Megjithatë, gratë që janë martuar me një burrë, nuk mund të martohen me më shumë se me një burrë.

Kristine Haglund, botuese e “Dialogut: Revistë e mendimit mormon”, ka thënë se mendon se transparenca e kohëve të fundit e kishës është diçka “shumë shpresëdhënëse”, ajo dhe gratë e tjera me të cilat ka folur ishin acaruar se esetë nuk adresonin mësimin e dhimbshëm për poligaminë në botën e përtejme.

“Poligami edhe në parajsë”

“Këto janë çështje të njëmendta për gratë mormone”, ka deklaruar zonja Haglund. “Dhe, meqë kisha asnjëherë nuk ka hequr dorë prej pretendimit se poligamia nuk do të lejohet edhe në parajsë, çdo grua e përkushtuar dhe konservative është në hall me këtë punë”.

Historiani i kishës, Elder Snow, ka thënë se procesi i shkrimit të eseve nisi në maj të vitit 2012. Secila prej tyre është draftuar prej një dijetari, që shpeshherë kanë qenë edhe njerëz që nuk ishin pjesë e departamentit të historisë së kishës. Ka pasur edhe më herët debat për qasjen e kishës. Madje kishte ankesa të shumë femrave që sfidonin rregullën se vetëm meshkujt mormonë kanë të drejtë të jenë priftërinj. Debati shpeshherë merr përmasa kundërthënëse.

Kisha nuk kishte njoftuar zyrtarisht se do t’i postonte esetë në faqen e saj zyrtare në internet dhe shumë prej mormonëve të intervistuar kanë thënë se nuk kishin haber për lajmin. Ato nuk mund të gjenden me lehtësi as në faqe për shkak se anash ka vetëm një vegëz që udhëzon se ku mund të hapen e të lexohen esetë. Elder Snow ka thënë se përmbajtjet do të duhej të ishin pjesë themeltare për edukimin dhe formësimin e brezave të ardhshëm.

Kisha mormone i ka kushtuar së fundi hapësirë më të madhe informacioneve për disa veshje tradicionale sesa eseve apo poligamive.

Sarah Barringer Gordon, profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe historisë në Universitetin e Pennsylvanias, dhe një jomormone që ka studiuar kishën mormone, ka thënë se është marrë me punën e transparencës së kishës edhe para kësaj mundësie të fundit, duke adresuar paqartësinë e bashkëfajësinë e prijësve mormonë në një sulm mbi një vagon treni që po kalonte Utah jugore më 1857, të njohur si masakra e Malit Meadows. Ajo ka thënë se vendimi i fundit i kishës është i pashembullt dhe i mençur.

“Çfarë ju doni të bëni, është të hiqni qafe këtë problem dhe të mos keni njerëz që thonë: ‘shikojeni çfarë dëmi po ju shkakton kjo gjë, e ju po mundoheshit ta mbanit sekret”, ka thënë ajo.

Shtatorja e Joseph Smithit dhe gruaja e tij e parë, Emma, në Sheshin e Tempullit në Salt Lake City

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.