Serbia keqmenaxhon humbjen e Kosovës!

Koha Ditore - - VËSHTRIME - Halil Matoshi

Duke dashur që ta mbajë pushtetin përmes monopolizimit të gjuhës (“Kosova është Serbi”) elita politike në Beograd vazhdon t’i rrejë serbët dhe në gënjeshtër e sipër, ka nisur t’i besojë rrenës së vet... Rama s’e bëri heroin as patriotin në Beograd, por e bëri detyrën në mënyrën e tij. Ju kujtohet se detyrën në Beograd e bëri edhe ambasadori kosovar, Lulëzim Peci, por mënyra e tij e la pa punë. E në Preshevë Rama u shkri në turmë, si një aleat i mitit të “Shqipërisë së madhe”

Elitat postmoderne (ish-fashistë të Slobodan Milosheviqit dhe pasardhës të çetnikëve, radikalë të Vojislav Sheshelit) u bënë bashkë në një performancë tejet të dobët dhe primitive për ta menaxhuar disi humbjen e Kosovës, para serbëve agresivë e të painformuar.

Para budallenjve të magjepsur nga pushteti i elitave fashiste serbe.

Por duket ashiqare se kanë dhimbje të përzier me frikë dhe Vuçiq e Nikoliq, nuk po kanë as kurajë dhe as guxim t’u thonë serbëve: Kosova shkoi – ta ruajmë fytyrën!

Këtë paranojë të oborrit e dëshmoi edhe vizita e Edi Ramës në Beograd.

Kryeministri shqiptar nuk e bëri heroin as patriotin e madh (pas performancës “heroike” me dron as që mundet!?)

Rama e bëri profesionalisht detyrën e politikanit si burrë shteti...

Madje është vështirë e kuptueshme përse shqiptarët nga një shtetar në detyrë kërkojnë gjithnjë flijime, kërkojnë heroizma buçitëse!?

U pa sheshit se Rama ende nuk e ka mësuar leksionin e Brukselit, pra as gjuhën “e thatë” që preferon selia e BE-së, kur i ulë përballë shqiptarët kosovarë dhe serbët.

Prandaj kryeministri shqiptar para se të merrte mendimet e këshilltarëve të tij, është dashur ta takonte Lulëzim Pecin, ish të ngarkuarin e Hashim Thaçit me punë në Zyrën e Kosovës në Beograd, i cili ra viktima e parë e shqiptimit të faktit Kosovë e pavarur, që duhet ta njohë edhe Serbia!?

Ambasadori kosovar, Peci, shkoi në Beograd dhe një ditë të bukur tha: “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se atë duhet ta njohë edhe Serbia”.

Në të parë një fjali correct”

Kosovarëve veçanërisht u kujtohet fare mirë ky rast i ambasadorit, të cilit ia hëngri kryet (politikisht) pikërisht kjo fjali korrekte, ky fakt i thënë serbisht dhe midis Beogradit!?

Madje i ishin përplasur në fytyrë edhe një potpuri sharjesh nga shefi i tij i deriatëhershëm.

Dhe po ta pyesësh sot ambasadorin se çfarë nami paskësh bërë në Beograd, as ai vetë nuk di të thotë, pos që qetësisht përsërit: “E bëra detyrën!”

Por detyra e tij nuk ishte që ta thoshte një fakt historik, detyra e tij ishte që ta heshtte atë!?

Të thoshte: Kosova dhe Serbia kanë perspektivë evropiane. Kaq dhe mjaftueshëm. E Rama kishte një borxh për ta larë para shqiptarëve në shtëpi, atij i ishte bërë presion që të mos shkonte fare në Beograd, natyrisht nga krahu nacionalist i politikës së Tiranës.

‘political

Dhe ata pak veta që thanë se ai duhet ta bëjë detyrën e burrështetasit dhe s’ka qare pa shkuar (sepse këtë e kërkonte BE-ja, posaçërisht Berlini, por edhe Washingtoni) i thanë po ashtu se ai duhej t’i kërkonte Serbisë ta njihte Kosovën e pavarur!

Dhe vetë jam ndër ata opinionistë që s’e kam vënë në dyshim fare shkuarjen e Ramës në Beograd, porse më kanë vërshëllyer jodurimtarët shqiptarë, nacionalistët që rëndom zgjohen pas furtunës.

Por më duhet ta pranoj: e kam thënë publikisht në një televizion të Tiranës, se Rama duhej t’i kërkojë Beogradit ta njohë Kosovën e pavarur, prandaj s’e kam ndërmend t’i bie mohit e ta qortoj, siç po bëjnë tashti disa “nga ne”!?

Dihet se bërja e detyrës në rrethana të tilla nuk të sjellë gjithnjë famë dhe nuk të bën patriot, por ta nxin jetën, si Lul Pecit!?

Mirëpo Ramës i shkrepi, sepse konteksti i pasincidentit me dronin në Beograd kërkon koka të nxehta, fjali ikonike, flamuj kuqezi në duar burrash të egër dhe krenari ballkanike.

Dhe ai u bë i dashur brenda ditës për shumë kosovarë!

Madje duke i bërë ta harrojnë Sali Berishën!?

Pra kalkulimi i tij iu shpagua, ndonëse mund të marrë ndonjë vërejtje të vogël nga Brukseli.

Kosova shtet i pavarur nuk është dhe nuk duhet të jetë më pjesë e ligjërimit retorik-patriotik të liderëve ballkanikë, sepse nuk është punë e tyre!?

Kosova tashmë është një fakt, një çështje e zgjidhur me luftë!

Për Kosovën e pavarur është bërë lufta 72-ditore e NATO-s kundër forcave serbe të sigurisë, dhe ai që e përmend për namin personal veç koritet.

Mirëpo Rama e përmendi faktin litar në shtëpinë e të varurit!

Në kohën kur Serbia është në gjendje të stresit posttraumatik, duke e vuajtur plagën e humbjes së Kosovës.

Vuçiq dhe krejt Beogradi e dinë tashmë se Kosova është një shtet i pavarur në fqinjësi, por ata duan që kjo të mos u thuhet ndër sy.

Kosova është shndërruar në zemëratën më epike serbe, sidomos për mendësinë kuaziimperialiste, siç është Vuçiq. Rama e përmendi Kosovën, sepse jo vetëm që do ta humbiste krahun nacionalist në shtëpi, por dhe shumëkush nga ne – kosovarët - do t’ia vinim barrën e mëkatit në qafë, si një gur mulliri.

Porse nëse ka pasur marrëveshje paraprake me homologun e tij serb, që të mos e zë ngoje Kosovën, jo së paku në konferencën e shtypit, atëherë Rama e ka përdorur Kosovën për të krijuar epërsi psikologjike karshi Vuçiqit diletant.

Pra e ka abuzuar emrin “Kosovë” sa për mujshi ballkanike dhe në kontekst të incidentit me dron në stadiumin e “Partizanit.”

Ramës racional i duhet të bëjë diçka edhe për turmat, votuesit e tij, sidomos tashti pas rikthimit të nacionalizmit të braktisur shqiptar (që aktualisht në Tiranë duket i shpifur!?), i cili po merr përmasat e histerisë kolektive.

“Aleksandër... ky është një fakt – po i thoshte Rama – duke e siguruar atë që në Tiranë mund ta thotë “të vërtetën e tij” për Kosovën lirshëm.

Porse Aleksandër, si fëmijë i llastuar, tepër sederli ose tepër frikacak thuhet t’i jetë shfryrë kryeministrit shqiptar gjatë tërë drekës: “Edi, pse ma bëre këtë”?

Çka d.m.th. ky rënkim dhe shfrim fëmijëror?

Inatet ballkanike s’kanë të sosur, edhe pse narrativat e mëdha në epokën e globalizmit janë sosur tashmë, duke lënë prapa vetëm tymnajë performatizimi, si ai me dronin...

Nacionalizmi ekspansionist serb që u rrit në fashizëm gjatë viteve ’90 ka “prodhuar” breza të tërë “azganësh” (Delije!?) që ende vazhdojnë ta shohin Serbinë me optikën imperiale dhe serbët si “popull hyjnor”.

Kurse në sofër kanë fare pak bukë. Si të gjithë ballkanasit. Pra Vuçiqit pos që i janë skuqur veshët nga inati infantil, që po e dëgjonte një shqiptar tek ia thotë ndër sy një të vërtetë, ai duket se me këtë shpreh edhe një dozë joracionale frike: Pse ma bërë këtë?

Derisa media e fuqishme botërore vizitën historike të kryeministrit shqiptar në Beograd e cilësoi si të dështuar, ngase ajo është dashur ta hapë një kapitull të ri në mes të dy popujve e jo ta mbyllë edhe këtë deriçkë.

Sidoqoftë vizita ndodhi, disa marrëveshje që i do Brukseli u nënshkruan dhe një deklaratë në vete as nuk ndreq dhe as nuk prish punë. Sidoqoftë Kosova mbetet në mes! Sepse fakti “Kosovë e pavarur dhe sovrane” është në mes të dyja shteteve, Serbisë dhe Shqipërisë, prandaj kur dikush në Tiranë e cilëson Serbinë si fqinj verior të Shqipërisë e abuzon këtë fakt. Nuk u bë nami! Ish-drejtori politik i UÇK-së po bisedon dendur me serbët, e lëre më kryeministri shqiptar – së këndejmi – Rama i detyrohet shtetit që udhëheq dhe Brukselit, por jo Kosovës, sepse ai nuk ia ka ndonjë borxh.

Në Beograd edhe amerikanët dhe evropianët sikur i janë bindur një tradite – me ua përfillë krenarinë rustikale azganëve serbë - mos me ua hallakatë plagët në shtëpi, prandaj vlen ajo që e tha Daniel Server se diplomatët perëndimorë privatisht ua thonë serbëve se Kosova e pavarur është punë e pakthyeshme, porse në publik ua përkëdhelin sedrën, duke u thënë se Kosova dhe Serbia duhet të shikojnë kah e ardhmja.

E në Preshevë nisën të bien tupanët që me agun e së martës.

“Unë jam një preshevar” – ka thënë Rama – nga ndjenja se po e torturon një gjynah që askush s’ia vë në shpinë.

Pati thënë J.F. Kenedy në Berlin: “Unë jam një berliner”, për t’i ndarë vuajtjet me gjermanolindorët. Pati thënë dhe një Vaclav Havel: “Unë ndihem kosovar” për t’ua lehtësuar atyre dhimbjet e luftës...

Por Kenedy dhe Havel kanë bërë shumë për ata me të cilët bashkëndienin dhe nuk kanë bërë vetëm parulla boshe, për të mbledhur pikë politike në shtëpi.

Pra në Preshevë Rama u shkri në turmat nacionaliste duke mos u veçuar para parullave për “Shqipërinë e madhe.”

Dhe jeta e njerëzve atje nuk do të ndryshojë, mund të përkeqësohet madje!?

Mijëra shqiptarë dolën ta presin Ramën me mesazhin: “Presheva, Bujanovci dhe Medvegja janë Shqipëri”.

Dhe kryeministri shqiptar e relativizoi maksimalisht këtë parullë: “Kjo gjë nuk prish punë për asnjë palë, ne do t’i respektojmë ata njerëz. Në fund të fundit jetojnë në një territor të Serbisë dhe e drejta e tyre është që të flasin çfarë të duan. Kjo nuk cenon ndonjë gjë për takimin tonë mes dy shteteve”, tha Rama.

D.m.th. shumë preshevarë i la në injorancën e tyre, duke ua njohur të drejtën e shprehjes së lirë, porse ua bëri me dije se jetojnë në shtetin serb.

U shfaq dhe një pankartë në të cilën shkruante: “Të bashkuar për një qeverisje

mbarëkombëtare” dhe besoni, nuk po e kuptoj semantikën e saj!?

Nëse kryeministri shqiptar tha në Beograd se Kosova e pavarur është një fakt i

Pakthyeshëm, atëherë për cilën qeverisje mbarëkombëtare angazhohen preshevarët dhe ç‘kuptim ka kjo për ta!?

Nuk i vë asnjë faj turmës, po ç‘duan të na thonë liderët politikë të Luginës përmes këtij selami?

Që janë ngritur kundër pavarësisë së Kosovës ose pavetëdijshëm e cenojnë atë!?

Apo - fali Zot - se s’dinë çfarë bëjnë!?.

Nëse Edi Rama në intervistën dhënë “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tha: “Shqipëria e madhe nuk është projekti yni, siç nuk është as flamur yni apo flamur i ndonjë Shqipërie tjetër që ne gjoja planifikojmë, ajo copë tekstil, që e stërngarkuar me simbole shqiptare, u valëvit mbi stadiumin e Beogradit. (...) Projekti ynë i vërtetë është një Evropë e madhe, jo Shqipëria e madhe”, atëherë vështirë të kuptohet mesazhi i tubimit në Preshevë.

Një burrështetas i vërtetë nuk u bindet turmave.

Rama duhej të deklaronte hapur kundër mesazhit të asaj pankarte në Preshevë dhe t’ia thoshte ndër sy të vërtetën popullit atje - siç ia tha Vuçiqit – ndryshe, del se ai ka abuzuar me përmendjen e Kosovës së pavarur gjatë vizitës në Beograd, apo e ka përmendur sa për ta shpëlarë gojën...

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.