Komuna refuzon rishqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2015

Koha Ditore - - FEJTON - Ganimet Klaiqi

Prishtinë, 11 nëntor - Autoritetet komunale të Prishtinës nuk do ta përfillin rekomandimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, e cila nuk i ka pranuar projektbuxhetin komunal 2015, të miratuar nga Kuvendi Komunal, në mbledhjen e fundit të rregullt. Këtë e ka pohuar edhe zëdhënësja e Komunës, Miranda Muallafazliu-Bejta, të martën, duke u bazuar në deklaratat e kreut komunal të Prishtinës. Ajo ka theksuar se Komuna e Prishtinës po e pret konstituimin e Parlamentit të Kosovës.

“Pas konstituimit, në Parlamentin e Kosovës do të vendoset nëse do të miratohet apo jo buxheti i planifikuar nga qeverisja komunale e Prishtinës”, ka thënë Mullafazliu-Bejta, duke dhënë të kuptohet se kërkesa e MEF-it që çështja e buxhetit duhet të shtrohet edhe një herë nga Komuna e Prishtinës nuk do të zbatohet. “Projektbuxheti për Komunën e Prishtinës nuk e ka respektuar tavanin e të hyrave dhe të shpenzimeve të parapara në qarkoret buxhetore 2015/1 dhe 2015/2 me të cilat janë përcaktuar lartësia e të hyrave dhe shpenzimeve për Komunën e Prishtinës”, është përgjigjja që gazeta e ka marrë të martën nga Zyra për marrëdhënie me publikim e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, duke i shpjeguar arsyet e mosaprovimit të buxhetit komunal të Prishtinës, pavarësisht që ai është miratuar në Kuvendin Komunal. Kjo zyrë më tej ka sqaruar se nëse kuvendet komunale dështojnë në këtë rrafsh, atëherë mund të rrezikojnë të punojnë sipas buxhetit 2014. “Duke u bazuar në nenin 62 të Ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i cili përcakton procedurën në rast se kuvendet komunale dështojnë që me kohë të miratojnë dhe dorëzojnë propozimbuxhetet në Ministrinë e Financave në përputhje me dispozitat e ligjit, ministri i Financave është i autorizuar që të përgatisë propozimbuxhetet për komunat përkatëse sipas buxheteve të vitit ekzistues fiskal”, është thënë në përgjigjen e Zyrës së informacionit të MEF-it, duke i sugjeruar Komunës së Prishtinës që në seancën e Kuvendit Komunal duhet të aprovojë buxhetin në bazë të qarkoreve buxhetore dhe dispozitave. Në këtë ministri kanë thënë se në momentin kur nga Kuvendi Komunal i Prishtinës aprovohet buxheti konform LMFPP dhe qarkoreve buxhetore dhe ai i dërgohet Ministrisë së Financave, atëherë Ministria mund t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim, para se të miratohet buxheti i vitit 2015.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.