Komuna refuzon rishqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2015

Koha Ditore - - METROPOL -

“Projektbuxheti për Komunën e Prishtinës nuk e ka respektuar tavanin e të hyrave dhe të shpenzimeve të parapara në qarkoret buxhetore 2015/1 dhe 2015/2 me të cilat janë përcaktuar lartësia e të hyrave dhe shpenzimeve për Komunën e Prishtinës”, është përgjigjja që gazeta e ka marrë të martën nga Zyra për marrëdhënie me publikim e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave

E shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, partia e të cilit nuk e ka votuar projektbuxhetin, ka thënë se qeverisjes komunale i është tërhequr vërejtja me kohë që nuk mund të miratojnë buxhet jashtë Qarkores... dhe se është i pamundshëm realizimi i tij për shkak të shumës së madhe, porse nuk kanë dëgjuar.

“Kjo ishte edhe një nga arsyet që këshilltarët e LDK-së në Kuvendin Komunal nuk e patën miratuar projektbuxhetin”, ka thënë Hamiti teksa ka shtuar se Qarkorja buxhetore 2015/2 kishte paraparë që Komuna e Prishtinës të mos kalonte më shumë se 62 milionë e 706 mijë e 756 euro, kurse Kuvendi e ka miratuar projektbuxhetin deri në 69 milionë e 91 mijë e 410 euro. Ai ka theksuar se derisa Qarkorja buxhetore parashihte që për kategoritë “Paga dhe mëditje” të kishin buxhet 27 milionë e 50 mijë euro, KK-ja e ka miratuar këtë buxhet të ishte 27 milionë e 802 mijë e 410 euro, ose rreth 800 mijë euro më shumë. Për “Shërbime dhe mallra” Qarkorja kishte paraparë të mos kalohej kufiri mbi 11 milionë e 388 mijë e 45 euro, Kuvendi Komunal ka vendosur për 13 milionë e 659 mijë euro, që i bie rreth 2 milionë e 270 mijë euro më shumë. Për investime kapitale, ndërkaq, janë paraparë 24 milionë e 268 mijë e 351 euro, kurse KK-ja ka miratuar 27 milionë e 30 mijë euro, rreth 3 milionë më tepër. Po kështu, sipas Qarkores buxhetore 2015/2 Komunës së Prishtinës i është lejuar tavani buxhetor për të hyra vetjake deri në 27 milionë e 162 mijë e 609, kurse KK-ja e ka aprovuar buxhetin 33 milionë e 500 mijë euro.

Hamiti i LDK-së ka thënë se s’është problem nëse janë kërkuar mjete më shumë për mallra e shërbime apo për paga e mëditje, pasi që mund të paraqiten nevoja të mëdha, por nuk arsyetohet planifikimi 33 milionë euro i të hyrave vetjake.

“Janë bërë projekte vetëm sa për t’u shtuar buxheti, pa asnjë kriter, kurse në praktikë ai nuk do të mund të realizohet kurrë”, ka thënë Hamiti për të shtuar se Ahmeti do të duhej të qëndronte në kufi të Qarkores buxhetore.

Drejtori Instituti STRASS, Ibrahim Rexhepi, ndërkaq, nuk është lëshuar shumë në problemet e Komunës së Prishtinës me Qarkoren buxhetore, por ka bërë vërejtje ndaj qeverisjes komunale, e cila, sipas tij, “së paku në 9-mujorin e parë të vitit është treguar se nuk është aq e aftë për të menaxhuar buxhetin. “Nuk kanë arritur t’i menaxhojnë edhe ato mjete që i kanë pasur në dispozicion, kurse po e fryjnë buxhetin e radhës”, ka theksuar ai.

Projektbuxheti komunal i Prishtinës 2015 është miratuar në mbledhjen e parafundit të Kuvendit Komunal pa votën e 18 këshilltarëve të LDK-së, derisa subjektet e tjera të KK-së e patën përkrahur.

© KOHA Ditore

Zyrtarët komunalë të Prishtinës kanë theksuar se pas konstituimit të Parlamentit të Kosovës do të vendoset nëse do të miratohet apo jo buxheti i planifikuar nga qeverisja komunale e Prishtinës. Më këtë ata kanë lënë të kuptohet se kërkesa e MEF-it që çështja e buxhetit të shtrohet edhe një herë nga KK-ja nuk do të zbatohet

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.