Kurorë mbi pllakën përuruese të projektit të dështuar

Koha Ditore - - KOSOVË - Afrim Demiri

FERIZAJ, 11 NËNTOR - Organizata joqeveritare INPO ka mbajtur të martën një performancë homazh për dështimin e projektit të Komunës në bashkëpunim me firmën “Kosova gas”, për ta bërë rrjetin e gazit për ngrohje në Ferizaj. Me këtë rast u vu një kurorë me mbishkrimin “ngushëllime komunë”, mbi pllakën përkujtuese, e cila shënonte fillimin e punimeve të këtij projekti, i cili mbeti vetëm një mashtrim i radhës për qytetarët. “Në vitin 2013, pas shumë polemikave mes aktorëve politikë si dhe me ngritjen e shumë dyshimeve nga shoqëria civile, u vendos nga Kuvendi Komunal në Ferizaj që t’i jepej në shfrytëzim toka komunale kompanisë “Kosova Gas”, si dhe të hiqej taksa për riparimin e rrugës, për ta ndihmuar këtë projekt”, pohoi Visar Sadiku, koordinator. Sipas INPO-s, ky projekt që në fillim ishte sulmuar nga opozita e atëhershme se ishte projekt ku “aksione kishte edhe pushteti i atëhershëm”.

“Kosova Gas” ka dështuar ta realizojë këtë projekt , andaj INPOja nëpërmjet homazhit përpara pllakës përkujtimore kërkon që “Kuvendi Komunal në seancat e ardhshme ta vërë në diskutim çështjen e ‘Kosova Gas-it’, që ta kthejë pronën komunale, si dhe taksën për punimet nëntokësore në rrugë”, theksoi Sadiku. Kurse për drejtorin ekzekutiv Samir Reka, vendosja e pllakës përkujtimore për një projekt të dështuar është mbase absurd. “Është absurd që në parkun e qytetit të kemi një pllakë përkujtimore, e cila na tre- gon për një projekt të pafilluar kurrë, kjo është nën çdo dinjitet dhe ajo duhet të hiqet, kurse qytetarët të cilët eventualisht janë mashtruar nga kjo firmë italianekosovare duhet t’i kërkojnë paratë e tyre në rrugë ligjore”. Reka theksoi se shembulli i kësaj marrëveshjeje duhet të jetë mësim për Komunën që herëve të tjera të mos ndajë pronë publike për projektet e dyshimta.

Pas vendosjes se kurorës së INPO-s ka reaguar edhe nënkryetari i komunës Xhavit Zariçi, i cili i pari kishte ngritur dyshimet se firma italiane është fantome. “Fatkeqësisht ashtu doli, ajo firmë ishte fantome, ata ikën dhe nuk u lajmëruan, ne në seancën e ardhshme të KK-së do ta kthejmë pronën tonë, si dhe do ta kthejmë taksën e punimeve nëntokësore, kurse edhe pllaka përkujtimore duhet të hiqet”, pohoi Zariçi. Mirëpo as Zariçi nuk kishte ndonjë shifër nëse firma italiane ka mbledhur para nga qytetarët. “Nëse kjo ka ndodhur në përmasa më të mëdha, atëherë qytetarët kanë të drejtë të paraqesin rastin e tyre në polici apo në prokurori si vepër për mashtrim”, pohoi ai.

© KOHA Ditore

Projekti i cili do të duhej ta bënte qytetin e Ferizajt me rrjet të gazit për ngrohje ka dështuar. OJQ INPO ka vendosur kurorë me mbishkrimin “ngushëllime komunë” mbi pllakën e cila shënonte kinse fillimin e punimeve të këtij projekti, i cili mbeti vetëm një mashtrim i radhës për qytetarët e Ferizajt

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.