“Vetëvendosje” e çon në Antikorrupsion këshilltarin komunal

Koha Ditore - - KOSOVË - Agron Gashi

KLINË, 11 NËNTOR - “Vetëvendosje” e ka çuar në Agjencinë Antikorrupsion këshilltarin komunal Ndue Shabanaj, për shkelje ligji, përkatësisht për konflikt interesi.

Shabanaj ka shkaktuar konflikt interesi në rastin e votimit për ndërtimin e objekteve të larta në sheshin “Ndue Përlleshi”, ku vetë ai do të përfitojë, ngase është pronar i një banese në emër të babit të tij, Nikollës, që do të rrënohet e do të kompensohet nga Komuna. Madje 10 për qind më shumë hapësirë sesa tashti ka banesën. Shabanaj, në seancën 2 muajve më parë, ka shkelur Ligjin e parandalimit të konfliktit të interesit dhe Ligjin e vetëqeverisjes lokale.

Komuna ka planifikuar rrënimin e disa objekteve përreth sheshit “Ndue Përlleshi” në hyrje të Klinës nga drejtimi i Pejës dhe rregullimin e këtij sheshi, si edhe ndërtimin e 3 objekteve të larta. Ndër banues në ndërtesat që do të rrënohet është edhe Ndue Shabanaj, që ka banesën në emër të babait. Por ai nuk ka deklaruar këtë konflikt interesi dhe ka votuar në KK për të njëjtin vendim. Për ketë shkak lëvizja “Vetëvendosje” e ka dërguar këtë rast në Agjencinë Antikorrupsion dhe të martën ka organizuar një aktivitet ku janë shpërndarë njoftime për shkeljet që ka bërë këshilltari Shabanaj në procedurën e miratimit të vendimit për rregullimin e sheshit “Ndue Përlleshi” dhe 3 objekteve të larta.

Aktivistët e” VV”-së, para objektit të Komunës, kanë vendosur një tabelë në të cilën shkruan për shkeljen që ka bërë Shabanaj. Ndërkaq Policia e Kosovës, i ka urdhëruar aktivistët e “VV”-së që të largoheshin nga vendi ku ata po kryenin aktivitetin. “Është urdhër, duhet të largoheni nga këtu!”, ka thënë me ketë rast komandanti Rexhë Berisha, derisa ka hasur në kundërshtim nga aktivistët e “VV”-së. Këta të fundit i janë bindur urdhrit të policisë dhe janë zhvendosur në një pjesë tjetër po ashtu afër Komunës

Kryetari i “VV”-së, Skënder Merturi, ka thënë me ketë rast se qeverisja lokale PDK-AAK në seancën e 26.9.2014 ka votuar kundër interesave të qytetarëve, duke tjetërsuar pronën publike në dobi të grupeve të caktuara të interesit dhe personave privatë. “Procesi i vendimmarrjes së këtij vendimi është i paligjshëm, ngase anëtari i KK-së, Ndue Shabanaj, ka konflikt interesi dhe me këtë rast ka shkelur Ligjin e parandalimit të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, duke votuar, ani pse është përfitues personal në këtë rast”, ka thënë Merturi, sipas të cilit LVV-ja rastin e ka paraqitur në Agjencinë Antikorrupsion dhe MAPL me vlerësimin se ky vendim paraqet konflikt interesi.

Me ketë rast VV-ja ka paraqitur edhe marrëveshjen e mirëkuptimit midis Komunës dhe pronarëve të ndërtesave në objektet që do të rrënohen dhe ndërtohen të rejat, ku ndër 10 nënshkruesit është edhe Ndue Shabanaj si pronar, i cili nuk është ndalur me kaq, por edhe ka votuar vendimin në mbledhjen e KK-së. Merturi ka deklaruar se Shabanaj, duke qenë se në kuptimin e nenit 4 paragrafi 1.10 të LPKI-së në ushtrimin e funksionit publik, ka statusin e kategorisë ligjore të zyrtarit të lartë publik.

Sipas aktivistit Fadil Destani, Shabanaj ka interes, ngase është pronar i një banese që do të rrënohet dhe do të kompensohet nga Komuna. I kontaktuar nga KD-ja, Shabanaj ka konfirmuar se e ka një banesë në emër të babait, porse nuk e ka idenë se bëhet fjalë për konflikt interesi. “Është e vërtetë se e kam banesën në emër të babait, por nuk e kam idenë se kam bërë konflikt interesi, as që më ka shkuar mendja për këtë”, ka thënë Shabanaj.

©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.