Uji i 14 shkollave të zonave rurale rezulton i kontaminuar

Koha Ditore - - KOSOVË - Feim Azemi

GJILAN, 11 NËNTOR - Pothuajse të gjitha shkollat fillore të Komunës së Gjilanit të cilat gjenden në zonat rurale kanë ujë të papërdorshëm. Këtë e ka konstatuar Drejtoria e Shëndetësisë Publike dhe Ambientit, pas analizave të mostrave të ujit të marra nga 14 shkolla. Ata kanë rezultuar se uji përmban kontaminim bakterial dhe kimik.

Kështu shkollat fillore në fshatrat: Malishevë, Uglar, Pograxhë, Bresalc, Llashticë, Zhegër, Lladovë, Ponesh, Cernicë, Kmetovc, Te çezma e Pograxhës, Mihir, Miresh, Baja e Mireshit, vazhdojnë të përdorin ujë të kontaminuar. Raporti thekson se duhet që të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i ujit, në mënyrë që nxënësit të mos rrezikohen nga përhapja e ndonjë sëmundjeje.

Këtë problem e kanë pranuar edhe drejtorët e disa shkollave të cilët kanë thënë se në mungesë të ujit, i cili mund të përdorej, nxënësit janë të detyruar të marrin shishet me ujë nga shtëpitë e tyre.

Gafurr Syla, drejtor i shkollës “Ibrahim Uruçi”, në Bresalc, ka thënë se ata nuk kanë marrë ndonjë njoftim, qoftë nga Drejtoria e Arsimit, qoftë nga ajo e Shëndetësisë për këto rezultate.

Ai ka theksuar se nxënësit prej një kohe të gjatë janë duke siguruar vetë ujin. “Kurrkush nuk na ka njoftuar se uji është i papërdorshëm, qoftë ata të Drejtorisë së Arsimit, qoftë ata të Shëndetësisë. Por ne edhe më herët e kemi vërejtur vetë se ai ujë nuk pihet. Si zgjidhje nxënësit mbushin shishet me ujë që nga shtëpia dhe pastaj i përdorin në shkollë.

Nuk është një gjendje e mirë, mirëpo ne presim që të bëhet diçka në këtë plan. Ujin e sigurojmë ndonjëherë edhe nga puset lokale”, ka thënë ai.

E Nehat Shabani, drejtor i SHF “Esat Berisha”, në Llashticë, thotë se edhe nxënësit e tij janë të detyruar të bëjnë si zgjidhje marrjen e shisheve me ujë që nga shtëpia. Edhe ai thotë të mos ketë marrë ndonjë njoftim për rezultatet e këtyre analizave. “Edhe shkolla jonë ka probleme të tilla me ujin, sepse është i papërdorshëm. Nxënësit tanë kanë të njëjtat probleme siç kanë edhe nxënësit e tjerë. Ata marrin shishet e ujit nga shtëpia për nevoja të tyre. Ujin nuk mundemi që ta përdorim sepse nuk bën. Drejtoria e Shëndetësisë asnjëherë nuk na ka paraqitur rreth analizave të ujit dhe rrezikun që mund t’i kanosen nxënësve nëse uji është i kontaminuar”, ka thënë ai.

Për këtë problem komunarët nuk deklarojnë. Fejzullah Berisha, ushtrues detyre i QKMF-së ku është duke menaxhuar edhe Drejtorinë e Shëndetësisë, e cila ka mbetur pa drejtor prej 6 muajsh ka thënë se nuk e ka raportin e plotë dhe nuk mund, që të flasë.

Edhe Heset Mahmuti, shef i sektorit shëndetësor, ka thënë se nuk ka kompetenca për të folur për këtë çështje.

E Nazmi Musa, drejtor i Arsimit, ka pasur të mbyllur telefonin gjatë gjithë ditës.

©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.