Arsimi gjakovar përballet me mungesë të kuadrit të shkencave ekzakte

Koha Ditore - - KOSOVË -

GJAKOVË, 11 NËNTOR - Shkollat e Gjakovës vazhdojnë të kenë mungesë të kuadrit të kualifikuar për shkencat ekzakte, kryesisht për lëndët e matematikës dhe fizikës, të cilat nuk janë përtëritur në vitet e fundit. Ndërsa sipas autoriteteve komunale të Arsimit, situata mund të rëndohet edhe më keq, nëse ajo nuk ndryshon, pasi edhe së paku 12 arsimtarë në të dyja lëndët, do të pensionohen deri më 2017, 9 profesorë të matematikës dhe 3 të fizikës. Sipas Diana Çarkaxhiut, drejtore e Arsimit e Gjakovës, tash për tash s’ka lëndë më parësore në arsim për t’u plotësuar sesa matematika dhe fizika. Mungesa e arsimtarëve të kualifikuar ka nisur të ndihet para disa vjetësh me pensionimin e kuadrove. Ndërsa ka qenë si prioritet edhe i Qeverisë së kaluar komunale që kjo çështje të zgjidhej. Aktualisht këto 2 lëndë po demonstrohen nga 12 mësimdhënës të kualifikuar në fusha të tjera të përafërta, kryesisht nga inxhinierë të elektronikës, është bërë e ditur në DA. Deri më 2005, lënda e matematikës ka qenë si pjesë e drejtimeve të ish- Shkollës së Lartë Pedagogjike, të cilat nga dyvjeçare janë shndërruar në trevjeçare, me plotësim të disa lëndëve nga informatika. Kastriot Buza, prorektor i çështjeve akademike në Univer- sitetin e Gjakovës, thotë se ai brez ka qenë i fundit me kualifikim për lëndën e matematikës. “Me hapjen e drejtimeve lëndore - teknologji dhe informatikë, histori – qytetare…, nuk ka pasur matematikë më”, thekson Buza. Ai ka thënë se ndërkohë është bërë kërkesë që ky drejtim t’i rikthehet institucionit shkollor. “Kemi bërë kërkesë më herët për hapje të kësaj lënde në kuadër të fakultetit. Kemi paraqitur në Këshillin drejtues, por nuk e kanë parë të arsyeshme për të hapur këtë drejtim për shkak se ka probleme me kuadrin”, deklaron Buza. Ndryshe thotë ai është lënë dera e hapur me Fakultetin e Shkencave të Aplikuara, që aty në të ardhmen të parashihet edhe një program i matematikës për Universitetin e Gjakovës”. Zyrtarë arsimi në Gjakovë thonë se janë të gatshëm që të stimulojnë me bursa ata që vendosin që të studiojnë shkencat ekzakte. “Gjatë takimit që kemi pasur me maturantët, kemi diskutuar, që është shumë me rëndësi dhe prioritet që të studiojnë në shkencat ekzakte, pasi llogarisin që sivjet ndarja e bursave do të fokusohet në këto drejtime”, thotë drejtoresha Çarkaxhiu.

G.D. ©KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.