“Facebook” me 500 milionë përdorues të “Messengerit”

Koha Ditore - - MARKETING -

Gjiganti i rrjetit social “Facebook” ka bërë të ditur se shërbimi i tij i ri për dërgimin e mesazheve ka arritur të anëtarësojë më shumë se 500 milionë përdorues anembanë botës.

Përdoruesit e “Messengerit” janë dyfishuar krahasuar me muajin prill, kur kishte rreth 200 milionë anëtarë, ka njoftuar kompania e njohur botërore.

“Facebook” është përballur me kritika pasi kishte njoftuar se do t’i detyronte përdoruesit që ta shkarkonin shërbimin e ri me qëllim që anëtarët të komunikonin ndërmjet vete nëpërmjet këtij shërbimi. Anëtarët e shumtë kishin kundërshtuar këtë, duke vlerësuar se mënyra e vjetër e “Facebook-ut”e dërgimit të mesazheve konsiderohej si e përshtatshme.

Mirëpo disa anëtarë i ishin nënshtruar kërkesës së gjigantit dhe kishin nisur ta shkarkonin shërbimin që ishte lansuar në korrik të vitit 2011.

“Dërgimi i mesazheve është pjesë e rëndësishme e mënyrës se si njerëzit luajnë lidhjet virtuale dhe prejse e kemi lansuar ‘Messengerin’ në vitin 2011 kemi qenë të përkushtuar që njerëzit të mund të shpreheshin dhe komunikonin nëpërmjet tij në mënyrë më të lehtë”, ka deklaruar drejtor i menaxhimit të produkteve në “Facebook”, Peter Martinazzi, në një blog.

Kritikat

Në prill “Facebook” i kishte njoftuar përdoruesit se do të duhej të shkarkonin aplikacionin e ndarë për t’u lejuar atyre të dërgonin video dhe thirrje falas me miqtë.

Por gjiganti i teknologjisë ishte kundërshtuar ashpër nga opinioni i gjerë dhe përdoruesit që nuk pëlqenin konceptin e daljes prej faqes së “Facebook-ut” dhe të merrnin një shërbim të ri për të dërguar mesazhe.

Kjo kishte bërë që versioni i fundit të kritikohej edhe të detyronte gjigantin t’i merrte seriozisht kritikat. Drejtuesit kishin bërë të ditur se ishte kërkuar shkarkimi veçmas për shkak se ishte i fokusuar vetëm në dërgimin dhe pranimin e mesazheve dhe videove.

“Ne vazhdimisht kemi përmirësuar shpejtësinë dhe besueshmërinë. Të dhënat e reja në ‘Messenger’ vazhdojnë të përmirësohen me kalimin e kohës”, ka bërë të ditur Martinazzi.

Javën e kaluar kryeshefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg, e ka pranuar se detyrimi i njerëzve që të instalojnë një tjetër aplikacion ishte “një gjë e dhimbshme në planin afatshkurtër”, por shtoi se ko ishte bërë për shkak se do të ishte oferta “më e shpejtë dhe më e fokusuar”.

Një ekspert i kompanisë ia kishte kujtuar faqes së rrjetit social se duhet të ketë rreziqe prej krijimit të aplikacioneve të shumta.

“Strategjia kryesore e ‘Facebookut’ është t’i mbajë njerëzit të lidhur me botën e tij, pavarësisht nëse ‘Messengeri’ është vetëm një aplikacion i thjeshtë apo shërbim i rëndësishëm i tij”, deklaronte eksperti Jack Kent.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.