Kinemaja “Lumëbardhi” do të futet në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përkohshme

Koha Ditore - - KULTURË - Shaban Maxharraj

PRISHTINË, 11 NËNTOR - Kërkesa që objekti i kinemasë “Lumëbardhi” në Prizren të futet në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, ka marrë sinjal pozitiv nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit. Kjo e fundit i ka kthyer përgjigje “Iniciativës për mbrojtjen e kinemasë “Lumëbardhi”, duke siguruar që Komisioni që e ka shqyrtuar kërkesën e mbështet plotësisht atë. Sipas asaj, që shkruhet në përgjigjen zyrtare të MKRS-së, anëtarët e Komisionit që kanë shqyrtuar kërkesën, kanë kërkuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren që të bëjë incizimin e gjendjes ekzistuese dhe regjistrimin e saj si ndërtesë të veçantë në Databazën e Trashëgimisë Kulturore sikurse edhe asetet e tjera duke propozuar dhe masat teknike që duhet të merren në relacion me rehabilitimin e ndërtesës.

Kërkesa e 58 organizatave joqeveritare për futjen e “Lumëbardhit” në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, i ishte adresuar Ministrisë së Kulturës, në fund të tetorit. Sipas hartuesve të kërkesës, një gjë e tillë do ta ndalonte përgjithnjë edhe privatizimin e Kinemasë, proces i nisur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

“Gjatë shqyrtimit, Komisioni konstaton se kërkesa përmban të gjitha informacionet dhe përshkrimet në mënyrë të detajuar duke filluar nga periudha e ndërtimit, funksioni, vlerat, rëndësinë që ka për shoqërinë dhe vendndodhjen”, shkruan në përgjigjen e Komisionit që merret me shqyrtimin e kërkesave për restaurime e konservime.

“Komisioni e mbështet plotësisht kërkesën pasi që Qendra Historike e

Sipas asaj që shkruhet në përgjigjen zyrtare të MKRS-së, anëtarët e Komisionit që kanë shqyrtuar kërkesën, kanë kërkuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren që të bëjë incizimin e gjendjes ekzistuese dhe regjistrimin e saj si ndërtesë

të veçantë në Databazën e Trashëgimisë Kulturore

Prizrenit është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme, e përcaktuar në kategorinë ‘Fushë e konservimit arkitekturor me numër rendor 1237 në përputhje me Ligjin mbi trashëgiminë kulturore”, vazhdon përgjigja e MKRS-së.

Në përgjigjen e MKRS-së po ashtu është shkruar se për çdo veprim të mëtutjeshëm të gjitha palët obligohen të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi si me Ligjin mbi trashëgiminë kulturore dhe Ligjin mbi Qendrën Historike të Prizrenit. Komisioni i përbërë nga Vjollca Aliu, kryesuese, Enver Rexha, Shafi Gashi, Agim Gërguri, Artan Hoxha dhe Rreze Loxha, ka ardhur në përfundim se kinemaja Lumëbardhi” ka status të mbrojtjes ligjore dhe është pjesë integrale e Qendrës Historike të Prizrenit. Sipas planit të konservimit, ndërtesa është vlerësuar si ndërtesë me destinim kulturor dhe nuk lejohet ndryshimi i formës fizike të saj.

Por, megjithëse kinemaja “Lumëbardhi” gëzonte mbrojtjen e Ligjit mbi Qendrën Historike të Prizrenit, Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte futur atë në procesin e likuidimit në muajin korrik të këtij viti.

Hajrulla Çeku, nga organizata joqeveritare "EC Ma Ndryshe", ka thënë se MKRS-ja e ka shqyrtuar kërkesën në afatin më të shpejtë të mundshëm dhe në mënyrën më profesionale të mundshme.

“Na vjen mirë që e kanë konfirmuar iniciativën dhe kërkesat tona në raport me kinemanë “Lumëbardhi”. Është konfirmuar edhe një herë se kinemaja është e mbrojtur si trashëgimi kulturore. Tash ka nisur edhe procesi i caktimit të një numri unik”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, megjithëse kinemaja mbrohet nga Ligji mbi Qendrën Historike të Prizrenit dhe ai mbi trashëgiminë kulturore tash ekziston edhe një garanci ligjore, meqenëse do ta ketë numrin e vet unik.

“Me këtë konstatim e kemi parasysh se kinemaja është nën mbrojtje”, ka thënë Çeku.

Sipas tijm AKP-ja nuk i ka konsultuar rrethanat e tjera ligjore kur ka vendosur për likuidimin e kinemasë “Lumëbardhi”. Për të defekti më i madh është se AKP-ja provon të privatizojë gjithçka pa bërë konstatimet e duhura.

“Edhe pse në këtë rast kemi një rrethanë shumë të rëndësishme që nuk mund të injorohet, sepse Qendra Historike e Prizrenit ka ligjin e vet dhe është në Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme”, ka thënë Çeku.

Sipas tij, “Iniciativa...” tashmë ka një argument shumë të fortë përballë AKP-së, kur merret parasysh edhe vendimi i Komunës së Prizrenit për ta shpallur si pronë me interes të përgjithshëm.

“Tash nuk lejohet as ndërrimi i destinimit e as i strukturës unike. Jemi ofruar goxha shumë për t’ia arritur qëllimit që ta shpëtojmë nga privatizimi e rrënimi”, ka thënë ai.

Çeku ka thënë se “Iniciativa” do të komunikojë me AKP-në dhe do të paraqesë të gjitha argumentet duke kërkuar përfundimisht që kinemaja “Lumëbardhi” të mos përfshihet në procesin e privatizimit.

Gazeta e ka kontaktuar zëdhënësin e AKP-së, Ylli Kaloshi, por të martën ai nuk ka pasur një përgjigje.

Në fund të tetorit, MKRS-ja e ka konfirmuar që e ka pranuar kërkesën, të cilën do ta shqyrtojë Komisioni që merret me shqyrtimin e kërkesave për restaurime e konservime. Brenda këtij organi ka qëndrime të ndryshme për këtë kërkesë. Disa anëtarë ishin deklaruar se kinemaja “Lumëbardhi” nuk ka vlera për t’u shpallur monument i trashëgimisë kulturore, derisa për të tjerë ky objekt tashmë është i mbrojtur me ligj, duke qenë pjesë e Qendrës Historike të Prizrenit. Por hartuesit e kërkesës kishin këmbëngulur që shteti duhet ta mbrojë Kinemanë si objekt më vete e futja në Listë është njëra prej mënyrave. Sipas tyre, për më tepër, ky veprim do ta ndalonte përgjithnjë edhe privatizimin e kinemasë, proces i nisur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Kjo e fundit në korrik të këtij viti, përmes një njoftimi kishte bërë të ditur fillimin e procesit të likuidimit të ndërmarrjes “Kino Bistrica” (kinemaja ‘Lumëbardhi’), gjegjësisht privatizimin e tij. Likuidimi sipas njoftimit ka filluar më datë 14.07.2014. Një nismë e tillë kishte shkaktuar pakënaqësi tek aktivistët kulturorë të qytetit, por edhe te drejtuesit e festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër "DokuFest", të cilët në ceremoninë e hapjes së edicionit XIII shprehën revoltën ndaj këtij zhvillimi. Në fund të shtatorit Kuvendi Komunal i Prizrenit, miratoi vendimin që patundshmërinë ku gjendet kinemaja ta shpallë pronë me interes publik. E përkufizimi i nenit 1 të këtij vendimi ishte kundërshtuar për shkak se në arsyetimin e qëllimit publik mes tjerash figuron edhe “zgjerimi i rrugës”.

© KOHA Ditore

“Tash nuk lejohet as ndërrimi i destinimit e as i strukturës unike. Jemi ofruar goxha shumë për t’ia arritur qëllimit që ta shpëtojmë nga privatizimi e rrënimi”, ka thënë Hajrulla Çeku, nga OJQ “EC ma ndryshe”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.