“Deluzioni Zot” për rolin e fesë në sferën publike

Koha Ditore - - KULTURË - Sihana Klisurica

PRISHTINË, 11 NËNTOR - Një libër që ka për qëllim të krijojë pikëpamje më ndryshe rreth shekullarizimit dhe mendimit kritik, i shkruar nga evolucionisti e shkrimtari i njohur britanik, Richard Dawkins, është përkthyer edhe në shqip. “Deluzioni Zot” është titulli i librit që mëton të sjellë argumente rreth rolit që duhet ta ketë feja në sferën publike. Në 396 faqe janë të përmbledhura fakte, të cilat Dawkins i bazon në kërkimet e tij shkencore. Libri në shqip u promovua të martën, në një ceremoni të organizuar nga “Shoqëria sekulare për mendim kritik”, në kryeqytet, që u mbajt në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Deluzioni...” është përkthyer nga gjuha angleze në shqip nga studiuesi i gjuhës, Bardh Rugova.

Sipas Rugovës, ky libër është një tekst argumentues për metodën shkencore të kërkimit.

“Ky libër përmbledh pak a shumë të gjitha ato që i përmban një libër i zakonshëm i metodës shkencore. Fjala ‘dije’ nuk e përfshin shkallën e informacionit, por aftësinë që mbështet mbi këtë informacion të zgjidhë probleme të ndryshme të fushave të ndryshme”, ka thënë Rugova.

Rugova e ka quajtur autorin britanik Dawkins mjeshtër të hartimit shkencor e diskursit shkencor.

“Gjuha e tij është e përmbledhur dhe e pasur me idioma tekstore. Mendoj se do të ishte me interes ta studiojmë leksikun e tij me idiomat e tij”, ka shtuar Rugova.

Ai ka treguar për sfidat linguistike që i ka hasur gjatë përk- thimit, veçanërisht për shkak të një fjalori qëllimisht të larmishëm që është përdorur nga autori, fjalor ky që, sipas Rugovës, është përshtatur njësoj me laramani edhe në gjuhën shqipe.

“Përkthimi i librit nuk është bërë për fëmijët e shkollës fillore, por është bërë për lexues që duan të informohen më gjerësisht mbi kon- ceptet e vështira të shkencës dhe mendimit kritik,” ka thënë Rugova.

“Shoqëria sekulare për mendim kritik”, e cila ka për qëllim promovimin e shekullarizimit në Kosovë, është e themeluar në vitin 2011 dhe ka më shumë se 500 anëtarë.

Dren Pozhegu, njëri nga anëtarët e kësaj organizate, ka thënë se qëllimi kryesor i përkthimit të këtij libri ka të bëjë me mungesën e literaturës që flet për shekullarizimin.

“Ne kemi pasur debate të ndryshme dhe kemi diskutuar rreth religjionit e fesë në Kosovë. Ajo çka kemi vërejtur ka qenë mungesa e literaturës në këtë fushë. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse kemi vendosur ta përkthejmë këtë libër. Kur them ‘ në mungesë të literaturës’ e them për literaturën që është kritike në aspekte të religjionit”, ka thënë Pozhegu.

“Deluzioni sot” është një bestseller i shitur në më shumë se 2 milionë e gjysmë kopje dhe është i përkthyer në më shumë se 35 gjuhë.

Por, sipas Pozhegut, kjo nuk është arsye përse e kanë zgjedhur pikërisht këtë libër për ta përkthyer.

“Libri ka një përmbajtje shumë të mirë dhe qartëson shumë mbi kon- ceptet e shekullarizimit. Qëllimi ynë nuk është promovimi i ateizmit, por qartësimi i koncepteve që të ketë debate më të mira në të ardhmen, sepse të jesh ateist është fyerje. Me këtë libër dëshirojmë që t’i qartësojmë këto koncepte që të mos përdoren më fyerjet si i ‘pafe’ ose ‘ateist’”, ka thënë Pozhegu, i cili është i vetëdijshëm se ky libër ka nxitur polemika në botë dhe ka marrë kritika të shumta.

Për dekada me radhë biologu, evolucionisti dhe autori i njohur britanik, Richard Dawkins, ka shkundur botën me teoritë që zënë fill tek ateizmi. “Deluzioni Zot” është botuar në vitin 2006. Dawkins, bashkë me Sam Harris, Daniel Dennet dhe Christofer Hitchens, janë cilësuar si “Katër kalorësit e ateizmit botëror”. Dawkins këtë libër ia ka dedikuar shkrimtarit anglez Douglas Adams, dhe mes rreshtash e citon atë: “Mjafton të shohësh një kopsht të bukur pa pasur nevojë të besosh se poshtë saj ka zana?” Libri është i përbërë nga dhjetë kapituj. Në kapitujt e parë autori ndërton teori mbi atë se Zoti nuk ekziston, derisa në pjesët e tjera flet për religjionin dhe vdekshmërinë.

© KOHA Ditore

“Deluzioni sot” është një bestseller i shitur në më shumë se 2 milionë e gjysmë kopje dhe është i përkthyer në më shumë se 35 gjuhë. Kësaj liste i është shtuar edhe gjuha shqipe

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.