“Rrethi i jetës” në katalogun 100 faqesh

Koha Ditore - - KULTURË -

PRISHTINË, 11 NËNTOR - Kostume, stoli, orendi e objekte të tjera që ruhen në muzeun i cili ndodhet në zemër të Prishtinës së vjetër, nëpërmjet shkrepjeve të aparatit fotografik, rrëfejnë një histori. Objektet që shpjegojnë disa prej momenteve kyç të jetës së shqiptarëve në shekujt e kaluar, e që janë pjesë e ekspozitës së përhershme të kompleksit të muzeut etnologjik “Emin Gjik” janë përmbledhur në një katalog. Në mbi 100 faqe, katalogu i cili është produkt i projektit “Promovimi i diversitetit kulturor” të Bashkimit Evropian e Këshillit të Evropës, zënë vend shpjegime e fotografi për ekspozitën “The Circle of Life” (Rrethi i jetës). Katalogu ka marrë emrin sipas ekspozitës dhe i botuar në gjuhën angleze është promovuar të martën. I njëjti do të bo tohet edhe në g j u hën shqipe e atë serbe. Një fotografi e çardakut dhe një tjetër që pasqyron objektin kr yesor të “Emin Gjikut” janë pasqyruar në faqet e para. Në brendi të faqeve të “The Circle…” është përshkruar koncepti i ekspozitës së përhershme të këtij muzeu, duke sqaruar se “Rrethi i jetës” përmban “Dhomën e lindjes” në katin përdhes e “Dhomën e ritit të vdekjes” në katin e parë. Aty ka edhe fotografi të stolive, orendive, veshjeve tradicionale të burrave e nuseve nga krahina të ndryshme të Kosovës.

Në ceremoninë e promovimit të katalogut, të mbajtur në oborrin e Muzeut Etnologjik, është thënë se katalogu do të jetë udhërrëfyes për vizitorët.

Gabby Hamugller, udhëheqëse e ekipit për zhvillim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se ky katalog është përshkrimi më i mirë për vlerat e trashëgimisë për ata që nuk e kanë vizituar Kosovën ende.

“Trashëgimia kulturore luan rol fundamental në zhvillimin e njeriut dhe identitetin. Të gjesh këto identitete kërkohet që historia dhe trashëgimia kulturore të dokumentohen. Sa i përket Muzeu Etnologjik, vendosja e objekteve në një katalog pasqyron një kontribut të veçantë për dokumentimin e trashëgimisë”, ka thënë ajo.

Andrew Ford, ushtrues i detyrës së shefit të misionit të Zyrës së Këshillit të Evropës, ka thënë se janë dy arsye të rëndësishme për mbajtjen e ceremonisë të së martës.

“Në një anë po festojmë përmbylljen e Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane dhe në anën tjetër të promovojmë këtë katalog të rëndësishëm për ekspozitën ‘The Circle of Life’”, ka thënë ai.

Ford po ashtu ka ndarë një informatë të rëndësishme teknike me të pranishmit.

“Dua t’ju siguroj që ky katalog nuk do të jetë vetëm në anglisht, por do të vijë së shpejti edhe në shqip dhe në serbisht”, ka thënë ai.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se megjithëse është bërë përmbyllja e Ditëve të Trashëgimisë Kulturore, MKRS-ja do të vazhdojë aktivitetet për paraqitjen e vlerave unike të trashëgimisë.

“Ky katalog nuk promovohet vetëm si katalog, por promovon punën shumë të gjatë të institucioneve, kjo është një punë, një aktivitet shumë i madh. Jo rastësisht është përzgjedhur si aktivitet përmbyllës, por me këtë kemi dashur t’i shprehim vlerat e trashëgimisë kulturore, dhe mbi të gjitha takimet me legjislacionin në përputhje me standardet e BE-së”, ka thënë Aliu.

Ukë Xhemaj, ekspert vendor që ka punuar për realizimin e katalogut, ka thënë se me këtë botim është duke u promovuar puna që etnologët e “Emin Gjikut” po e bëjnë tash e disa dekada me radhë. Ai ka folur edhe për qëllimin e “Rrethit të jetës”.

“Synimi i realizimit të këtij katalogu ka qenë që shumë nga vlerat që janë brenda në këtë objekt t’iu ofrohen jo vetëm atyre që vijnë, por edhe atyre vizitorëve që nuk kanë mundësi të vijnë e t’i shohin këto vlera përmes këtij katalogu ”, ka thënë ai.

© KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.