“Skena UP” fut filmat kosovarë në garën e njëjtë me ndërkombëtarët

Koha Ditore - - KULTURË -

PRISHTINË,11 NËNTOR - Festivali Ndërkombëtar i Studentëve të Teatrit e Filmit “Skena UP”, do t’i përballë në një kategori filmat e studentëve ndërkombëtarë dhe ata kosovarë. Ndryshe prej edicioneve të kaluara, kur kienastët e rinj kosovarë garonin në programin kombëtar të filmave, në edicionin e dymbëdhjetë, festivali do t’i fusë në garë të përbashkët me kineastët e rinj ndërkombëtarë. Kështu, në konkurrencën ndërkombëtare të filmave do të garojnë edhe filmat e prodhuar nga Fakulteti i Arteve i universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Edicioni i sivjetmë i “Skena UP” mbahet nga data 2 deri më 7 dhjetor, ndërsa ky ndryshim ka ardhur si rrjedhojë e një bashkëpunimi në mes të Fakultetit dhe festivalit. Marrëveshja është nënshkruar në mes të drejtoreshës së festivalit, Hana Qena, dhe regjisorit Ismet Sijarina, i cili është profesor në Fakultet të Arteve. Ky ndryshim është bërë publik nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga “Skena UP”.

“Si festival i studentëve ne dëshirojmë që t’i fusim në një konkurrencë të përbashkët të gjitha prodhimet e filmave nga e gjithë bota, duke i përfshirë edhe filmat kosovarë. Ne besojmë që cilësia e filmave kosovarë duhet të konkurrojë me cilësinë e filmave të studentëve nga vende të ndryshme të botës”, ka thënë Qena.

Ky takim ka rezultuar edhe me një marrëveshje tjetër në mes të festivalit dhe fakultetit.

“Skena UP” gjatë festivalit do të shfaqë një projeksion special të prodhimeve të filmave të studentëve të Fakultetit të Arteve. Programi i filmave për këtë projeksion special ashtu sikurse edhe për konkurrencë ndërkombëtare do të përgatitet nga Fakulteti i Arteve në bashkëpunim me festivalin.

Programi i projeksionit special do të zgjasë afërsisht 1 orë dhe në të do të shfaqen prodhimet më të fundit të studentëve kosovarë të filmit.

Sipas Sijarinës, këto ndryshime që janë arritur me marrëveshje do të kenë efekte pozitive.

“Jemi pajtuar që në vend të konkurrencës kombëtare, në ‘Skena UP’ të organizohet një ditë që i dedikohet shkollës sonë të filmit. Kësisoj edhe ‘Skena UP’ si festival i studentëve do të mbajë ekskluzivitetin e premierave të filmave të studentëve kosovarë, të cilët zakonisht prodhohen në fundvit”, ka thënë Sijarina.

© KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.