Ritestimi i aksiomave të kancerit të gjirit

Koha Ditore - - MESPËRMES -

Kostot e fshehura

Gratë amerikane përballen me këshilla kontradiktore në lidhje me faktin nëse duhet të skanohen për kancer të gjirit, në ç’moshë dhe sa shpesh. Vendimet që ata i sjellin janë shpesh të ndikuara ndjeshëm nga frika apo përvoja e ndonjë mike sesa nga të kuptuarit e detajuar për përfitimet dhe rreziqet nga mamografia.

Në vitin 2009, United States Preventive Services Task Force ka rekomanduar që gratë e moshës 50-74 vjeçare duhet të skanohen me mamograf çdo dy vjet dhe se skanimi bienalen i grave më të reja se 50 duhet të merret parasysh rast pas rasti. Nuk ka asnjë dëshmi të mirë nëse gratë më të vjetra se 75 duhet të ekzaminohen, tha task forca. Megjithatë, normat e ekzaminimit nuk kanë rënë. Sipas Affordable Care Act, skanimi falas me mamograf është në dispozicion për të gjitha gratë çdo 1-2 vjet. Por a është kjo me të vërtetë falas, në kuptimin më të plotë të fjalës? Shumë ekspertë i citojnë kostot e fshehura - financiare, mjekësore dhe emocionale.

Para se të vendosni që të bëni mamogram - çdo vit, çdo dy vjet, duke filluar nga mosha 40 apo 50 vjeçare, ose fare - ju duhet t’i merrni në konsideratë rreziqet e mundshme dhe nëse ato janë të tejkaluara nga përfitimet e pritshme. Vendimi mund të komplikohet edhe më tej nga teknologjia e re, si testet e imazherisë të rezonancës magnetike dhe mamogramet 3D, të cilat mund t’i zbulojnë lezionet e padukshme dhe të paprekshme.

Zbulimi i plotë: Përkundër kontraversitetit rreth mamogrameve vjetore, unë ende avokoj për to. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, një sonogram e zbuloi një kancer të hershëm invaziv në gjoksin tim të majtë. Kanceri nuk ishte parë në mamogram, por sikur të mos kisha shkuar që ta bëja atë, ky sonogram nuk do të ishte bërë për të parë se pse kisha dhimbje në gjoksin tim.

Nuk ka asnjë mënyrë për të ditur nëse kanceri im do të ishte zhdukur, ose do ta kishte marrë jetën time me kohë, por sapo e kuptova se ishte atje, vendimi për ta hequr atë ishte i pashmangshëm.

Prandaj, është e domosdoshme për çdo grua që të jetë e vetëdijshme për argumentet pro dhe kundër ekzaminimit vjetor. Shumë pak paciente janë në gjendje që ta vlerësojnë atë që dr. Lisa Rosenbaum, një korrespondente kombëtare për New England Journal of Medicine e ka quajtur “pasiguri e konsiderueshme dhe kompromise komplekse."

Siç shkroi ajo në tetor, asnjë vendim mjekësor nuk e nënvizon “tensionin mes emocioneve dhe vlerësimit të rrezikut më shumë se mamografia." Edhe pse grupet e ekspertëve kanë nxjerrë udhëzime bazuar në shqyrtimin e provave shkencore, mosmarrëveshjet midis tyre vazhdojnë, rezultatit të perspektivave të ndryshme profesionale, shqetësimet financiare dhe vlerësimet e pasojave mjekësore.

Pavarësisht nga udhëzimi i task forcës, American Cancer Society, Kolegji Amerikan i Radiologjisë dhe Society of Breast Imaging vazhdojnë të rekomandojë mamografi vjetore duke filluar nga mosha 40-vjeçare për gratë në rrezik mesatar për kancerin e gjirit.

Kolegji pohon se skanimi është kryesisht përgjegjës për rënien prej 30 për qind të vdekjeve nga kanceri i gjirit nga viti 1990, ndonëse përparimet në trajtim e kanë luajtur pa dyshim një rol të rëndësishëm. Por një shqyrtim i kohëve të fundit i provave në dispozicion nga ana e studiuesve në Brigham dhe Spitalin e Grave në Boston sugjeron se skanimet e rregullta përbënin një ulje prej vetëm 19 për qind të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit.

Dobësitë e skanimit

Atëherë cilat janë dobësitë e skanimit të rregullt? Rezultati fals-pozitiv- një imazh i dyshimtë në mamografi që rezulton të jetë asgjë - është një dobësi e madhe.

Në qoftë se një grua 50-vjeçare skanohet çdo vit për një dekadë, ajo ka 50 për qind gjasa që të marrë një diagnozë fals-pozitive gjatë kësaj kohe, sipas dr. H. Gilbert Welch dhe Honor J. Passow i Institutit Dartmouth për Politikat Shëndetësore dhe Klinike. (Hulumtuesit nga Bostoni njoftuan për 61 për qind gjasa për një rezultat fals-pozitiv.)

Gruaja që e merr një diagnozë fals-pozitive mund të ketë nevojë vetëm për një ekzaminim të përsëritur, i cili mund të tregojë se rezultati fillestar ka qenë i gabuar. Por në qoftë se edhe ky duket i dyshimtë, atëherë biopsia duhet të bëhet, e cila u ndodh 2 për qind të femrave. Lezioni mund të dalë të jetë beninj; gjithsesi, pacientja ka përjetuar anksiozë, shqetësim dhe shpenzime të konsiderueshme.

Dhe çfarë nëse biopsia e tregon një malinjitet? Atëherë pacientja përballet me një tjetër pasojë të mundshme të ekzaminimit: mbitrajtimi.

Ka pyetje të papërgjigjura në lidhje me faktin nëse çdo kancer i zbuluar vërtet meriton trajtim dhe sa intensiv duhet të jetë ai trajtim. Disa kancere nuk përparojnë, disa madje mund të zhduken vetë, dhe të tjerët mund të rriten aq ngadalë saqë mund të mos bëhen problem gjatë viteve të mbetura të jetës. Por mjekët nuk mund të dallojnë me siguri se cilat kancere janë të sigurta që të lihen të patrajtuara.

Dr. Rosenbaum e citoi një studim në të cilin më shumë se 99 për qind e grave e dinin se mamografia mund të rezultojë në një diagnozë fals-pozitive, por vetëm 38 për qind besonin se kjo mundësi duhet të peshohet në vendimet rreth asaj nëse duhet ta bëjnë testin.

Edhe në mesin e atyre që kishin rezultat fals-pozitiv, “më shumë se 90 për qind ende besonin se mamografia nuk mund ta dëmtojë gruan e cila nuk ka kancer të gjirit," tha ajo. Në një tjetër studim, gratë që kishin diagnozë fals-pozitive e përshkruan përvojën si “shumë të frikshme” ose “periudhën më të frikshme të jetës së tyre", - megjithatë, 98 për qind e tyre ishin të kënaqura që e kishin bërë testin.

Përgjigjet kontradiktore janë pjesë e “natyrës së përzier të emocioneve dhe vlerave” të cilën gratë e sjellin në mamografi, shkroi dr. Rosenbaum. Një studim i grave në të 40tat e tyre gjeti se këshillimi i atyre që ta shtyjnë skanimin derisa t’i mbushin 50 vjet vetëm sa e forcoi dëshirën e tyre për ekzaminim.

Disa besonin se udhëzimi i task forcës ishte një përpjekje për t’i ulur kostot e sigurimit dhe për t’i mbajtur ata nga marrja e kujdesit të nevojshëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.