Asnjë mënyrë për ta ndalur rritjen e popullsisë?

Koha Ditore - - MESPËRMES -

Goditja e asteroidit e cila zhduku qindra miliona njerëz ka shumë pak të ngjarë që do ta ngadalësojë rritjen e popullsisë njerëzore. Ky është një prej rezultateve befasuese të një modeli të ri kompjuterik, i cili konstaton se mund të ketë disa gjëra që mund t’i bëjmë për t’i mbajtur shifrat tona nën kontroll.

Çdo disa dhjetëra vjet shtohen nga një miliard njerëz në planet. Nëse trendi do të vazhdonte, me kohë do të mbeteshim pa ushqim dhe ujë, dhe nuk do të ishim dot në gjendje t’i menaxhonim sasitë masive të mbeturinave dhe ndotjes që i prodhojmë. Megjithatë, e dimë se rritja e popullsisë tashmë po nivelohet për shkak të një kombinimi të programeve të planifikimit familjar dhe edukimit për gratë. A është e mundur që të ngadalësohet rritja e popullsisë, edhe më shumë në dekadat e ardhshme? Corey Bradshaw vendosi që ta zbulojë këtë. Bradshaw, që është biolog i popullatës në Universitetin e Adelaides në Australi, e studion ekologjinë e popullimit në kafshë. Por, kur ai mban fjalime në takimet shkencore lidhur me rënien e biodiversitetit, anëtarët e audiencës gjithnjë pyesin, “Çfarë me problemin që po injorohet? Çfarë me madhësinë e popullsisë njerëzore? ", thekson ai. “Unë i kam modeluar popullsitë ndryshuese në specie të tjera për vite me radhë", thotë ai, “por kurrë nuk i kam aplikuar [ato modele] në qenie njerëzore".

Pra, Bradshaw dhe biologu i Universitetit të Adelaides, Barry Brook, vendosën që të shohin se çfarë ritmi ka rritja e popullsisë njerëzore. Ata gjithashtu donin të shihnin se sa e ndjeshme është rritja e popullsisë ndaj faktorëve si vdekshmëria dhe fertiliteti. Dyshja e hulumtuesve mori të dhënat mbi normat e vdekjes, madhësinë mesatare të familjes (fertilitetit), dhe madhësinë e popullsisë rajonale nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe U.S. Census Bureau International Data Base. Ata e krijuan një model kompjuterik i cili e projekton rritjen e popullsisë njerëzore nga viti 2013 deri në vitin 2100. Ata shtuan variabla në modelin të cilin mundën ta modifikojnë për të krijuar skenarë të ndryshëm. Qëllimi i tyre ishte që të vlerësohej se sa e ndjeshme është rritja e popullsisë njerëzore ndaj ndryshimeve në vdekshmëri, jetëgjatësi e madhësi të familjes, dhe moshës së nënës kur ajo e kishte lindur fëmijën e saj të parë.

Ekipi pastaj i krijoi 10 skenarë, duke përfshirë një skenar “të zakonshëm", në të cilin normat e vdekjes dhe fertilitetit qëndruan të njëjta si ato që ishin në vitin 2013. Skenarët e tjerë parashikuan efektet e ndryshimeve si jetëgjatësia më e madhe, nënat i lindin fëmijët e tyre të parë në moshat më të vjetra, imponimi i një politike globale për lindjen e një fëmije, dhe vdekjet katastrofike për shkak të luftës apo pandemive. Duke i përdorur të dhënat rajonale, hulumtuesit i ekzaminuan edhe efektet e rritjes së popullsisë në pikat e nxehta të biodiversitetit në pjesë të ndryshme të botës.

Modeli i zakonshëm u përputh me parashikimet e OKB-së për 12 miliardë njerëz deri në vitin 2100, duke i dhënë hulumtuesve besim në modelin e tyre. Por ata gjithashtu e panë një rritje të madhe të popullatës edhe kur e aplikuan vdekjen globale katastrofike deri në 5% të popullsisë, siç ishte në Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore, dhe gripin spanjoll. Kur popullata e modelit kompjuterik i humbi gjysmë miliard njerëz, popullata e përgjithshme ishte ende 9,9-10.4 miliardë njerëz në vitin 2100, raporton ekipi në versionin online të Proceedings of the National Academy of Sciences. “Kjo në fakt kishte shumë pak ndikim në trajektoren e popullatës njerëzore", thotë Bradshaw.

Disa ekonomistë debatojnë që popullatat në rënie e krijojnë një barrë të pambështetur të të moshuarve të varur (financiarisht), gjë që çon në kolaps ekonomik. Por modeli i ekipit tregoi ndryshe. Kur popullsia është në rritje, më shumë të varur janë fëmijët, dhe kur popullata është në rënie, më të varur janë të moshuarit, tregon modeli. Një person i varur gjithmonë mbështetet nga 1.5 deri në 2 punëtorë. Ideja që popullatat në rënie nuk mund t’i mbështesin të rriturit më të vjetër është një “ide e gabuar", thotë Bradshaw.

Dy faktorë kanë pasur ndikim në rritjen e popullsisë njerëzore: eliminimi i shtatzënive të padëshiruara, të cilat përbëjnë rreth 16% të të gjitha lindjeve të gjalla, dhe miratimi i një politike globale për një fëmijë. Eliminimi i këtyre lindjeve vit pas viti rezultoi në madhësi të popullatave në vitet 2050 dhe 2100 të cilat janë të krahasueshme me ato të prodhuara me politikën globale për një fëmijë - rreth 8 miliardë apo 7 miliardë (2100).

Modelet konfirmuan gjithashtu se efektet më të këqija njerëzore në pikat e nxehta të biodiversitetit do të ndodhin në Azinë Juglindore dhe Afrikë, vende këto të cilat deri në vitin 2100 kanë të ngjarë të kenë densitetin më të lartë njerëzor në botë. Presionet në ato pjesë të botës, thotë Bradshaw, do të jenë më të larta se kudo tjetër në botë. Elefantët, rinoqerontët, dhe luanët sigurisht do të zhduken më shpejt. “Pra, a do ta shohë vajza ime 7-vjeçare ndonjëherë ndonjë elefant në Afrikë nëse nuk e dërgoj atje së shpejti?", thotë Bradshaw. “Nuk e di”.

Bradshaw dhe Brook nuk janë duke e avokuar ndonjë politikë të veçantë. Por ata argumentojnë që ritmi i rritjes së popullsisë njerëzore është i fortë, thotë Richard Cincotta, demograf politik në Qendrën Stimson, një trupë ekspertësh në Washington, DC. Rezultatet e studimit nuk janë të papritura, thotë Cincotta: Demografët e kanë ditur këtë për vite, ata thjesht nuk e transmetojnë atë shumë mirë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.