Kërpudhat psikodelike mundësojnë tru të hiperkonektuar

Koha Ditore - - MESPËRMES -

Shumë laikë si dhe shkencëtarë e dinë se kimikati i cili e shton “magjinë” në kërpudhat magjike është psilocibini.

Por si ndikon pikërisht psilocibini në tru? Cili është mekanizmi me të cilin psilocibini ofron veti halucinogjene të kërpudhave magjike dhe veti që e turbullojnë mendjen?

Falë punës së studiuesve në King's College në Londër, tani shkencëtarët kanë përgjigje më të mira për këto pyetje. Psilocibini, sugjeron një studim i ri, e bën së paku një pjesë të magjisë së tij duke e penguar rrjetin e komunikimit normal të trurit, duke mundësuar lidhje në mes të pjesëve të trurit të cilat zakonisht nuk flasin me njëra-tjetrën.

Kur shumica e njerëzve mendojnë për kërpudhat psikodelike, ata mendojnë për ngjyra të gjalla dhe të thella dhe objekte të përditshme që transformohen në krijesa ekzotike. Por shumë përdorues gjithashtu e kujtojnë një efekt më pak definues, një lloj të epifanisë shpirtërore.

“Përdoruesit e përshkruajnë atë si një nga përvojat më të thella që e kanë pasur në jetën e tyre, madje edhe kur e krahasojnë atë me lindjen e fëmijëve të tyre", tha për Live Science bashkautori i studimit Paul Expert nga King’s College.

Kjo përvojë e thellë mund të jetë rezultat i një truri tërësisht të riorganizuar. Gjatë studimit të efekteve të kërpudhave magjike në tru, Experti dhe kolegët e tij zbuluan se skanimet fMRI të trurin të atyre që kishin marrë placebo dhe trurin e atyre që kishin marrë kërpudha ishin thellësisht të ndryshme, ku truri i marrësve të drogës kishte shfaqur një mori të lidhjeve rajonale të cilat zakonisht nuk shkaktohen gjatë aktivitetit nervor normal.

Hulumtuesit sugjerojnë se ky aktivitet i rritur i trurit mund të jetë përgjegjës për sinestezinë, fenomenin ku shqisat e ndryshme janë të lidhura me njëra-tjetrën – shijimi i ngjyrës portokalli, ndjenja e melodisë, apo shijimi i erës së kafesë. Sinestezia shpesh lidhet me gjendjen e droguar të shkaktuar nga kërpudhat psikodelike.

Eksperti dhe hulumtuesit e tjerë shpresojnë se eksperimentet e tyre mund t’iu ndihmojnë atyre që ta kuptojnë dobinë potenciale të psilocibinit në trajtimin e çrregullimeve si depresioni, por ata gjithashtu mendojnë se eksplorimet e tyre të lidhjes së trurit mund të çojnë përfundimisht në përgjigjet e pyetjeve edhe më të mëdha.

“Pyetja e madhe në neuroshkencë është se nga vjen vetëdija", tha për Wired bashkautori Giovanni Petri, matematikan në Institutin e Italisë për Shkëmbim Shkencor. “Nuk e dimë".

Por, Petri thotë se më shumë hulumtime si ky mund t’u ndihmojnë atyre që ta zbulojnë këtë. Shikuar nga një këndvështrim më i gjerë, kërpudhat psikodelike mund të ndihmojnë në shpjegimin e thelbit të vetes.

Studimi për psilocibinin u botua ditë më parë në “Journal of the Royal Society”.

Një krahasim i ilustruar i lidhjeve në mes të një truri normal, në të majtë, dhe një truri nën efektet e psilocibinit, në të djathtë

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.