Kosova me katër xhudistë në Evropianin U23

Koha Ditore - - SPORT -

PRISHTINË, 11 NËNTOR - Katër xhudistë kosovarë do të paraqiten në kampionatin evropian për garuesit deri 23-vjeç. Evropiani U-23 do të mbahet nga e premtja deri të dielën në Wroclaw të Polonisë. Kosovën në Poloni do ta përfaqësojnë Nora Gjakova, Akil Gjakova, Korab Morina e Besfort Nallbani.

Xhudistët kosovarë aktualisht janë duke u përgatitur në Slloveni, ndërsa të mërkurën (sot) udhëtojnë për Poloni. Përzgjedhësi Driton Kuka pret që në evropianin e të rinjve të fitohen medalje.

“Nora Gjakova realisht e ka cilësinë që të fitojë medalje. Pa gjasa nuk është as Akili, ndonëse ka ndërruar kategorinë së fundi. Korab Morina ngadalë po ngrihet si garues. Shpresoj që me një short të mirë të ketë plasman të kënaqshëm”, ka thënë Kuka, të martën.

Nora Gjakova garon në kategorinë deri 57 kilogramë, Akil Gjakova në kategorinë deri 73 kg, Morina në atë 66 kg, ndërsa Nallbani në kategorinë deri 81 kilogramë.

22-vjeçarja Nora Gjakova nuk ka pasur vit të suksesshëm. Ajo në qershor është kthyer nga një lëndim i gjurit, që e kishte lënë jashtë prej shtatorit të vitit të kaluar. Akil Gjakova ka garuar deri vonë në kategorinë deri 66 kilogramë, por 18vjeçari tashmë do të paraqitet në kategorinë 73 kilogramë. Ka pasur disa rezultate të mira këtë vit.

“Jam shumë i kënaqur se si po punojnë Akili e Nora. Akili në stërvitje po paraqitet shumë mirë, është talent i madh. Prej janarit të dy do të kenë orar të ngjeshur për kualifikim në Lojëra Olimpike. Për Norën do të ishte e mirëseardhur një medalje, por ka dytri rivale të forta dhe nuk po e përcjell fati në short. Akili me kalim në një kategori më lart vetëm ka fituar në cilësi. Në garat e fundit luftonte keq, pasi detyrohej që të hiqte shumë kilogramë dhe humbiste në fuqi. Ai është ende duke u rritur dhe nuk ka mundur të qëndrojë në kategorinë deri 66 kilogramë. I ka ndodhur që për garë në këtë kategori të detyrohej të hiqte deri në dhjetë kilogramë”, ka thënë Kuka.

Ai në Poloni nuk do të udhëheqë Distria Krasniqin, që nuk është paraqitur as në Grand Slam në Abu Dhabi, që u mbajt në fund të tetorit.

“Pas mosardhjes në Abu Dhabi, Distria nuk ka ardhur fare në stërvitje dhe kështu është vetliminuar prej pjesëmarrjes në evropianin U-23”, ka thënë Kuka.

Krasniqi (18) në dy vitet e fundit ka pasur rezultate të mira në kategoritë 48 dhe 52 kilogramë. Vlerësohet shpresë për Lojëra Olimpike nëse u kthehet garave e stërvitjeve.

A.M. © KOHA Ditore

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.