Advocaat: UEFA e dënoi vetëm Serbinë

Koha Ditore - - SPORT -

Përzgjedhësi i Serbisë në futboll, holandezi Dick Advocaat, vlerëson se UEFA ka dënuar vetëm Serbinë për ndeshjen e ndërprerë me Shqipërinë. UEFA regjistroi ndeshjen 3:0 në të mirë të Serbisë, por i mori tri pikë kësaj përfaqësueseje dhe e dënoi që dy ndeshjet e radhës t’i luajë pa shikues. Të dy përfaqësueset u gjobitën me nga 100 mijë euro. “Edhe pse UEFA ka vlerësuar se ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë mund të vazhdojë, epilogu i procesit të vendosjes është i pabesueshëm - është dënuar vetëm njëra palë, Serbia. Shqiptarët nuk kanë dashur të vazhdojnë të luajnë ndeshjen në asnjë rrethanë. Kam përshtypjen që dikush nuk e dëshiron pjesëmarrjen e Serbisë në evropian”, ka thënë Advocaat, të martën, për sajtin e Federatës së Futbollit të Serbisë.

Serbia, të premten, pret Danimarkën në ndeshjen eliminatore. Pas dy ndeshjeve mban vendin e katërt në Grupin I me një pikë. Danimarka prin me katër pikë, sa ka edhe Shqipëria. Të dy përfaqësueset kanë luajtur nga tri ndeshje, ndërsa Serbia dy. Ndeshja mes Serbisë e Danimarkës luhet pa shikues. “Rrethanë rënduese është që dy ndeshjet e ardhshme në shtëpi i luajmë pa shikues. Pa marrë parasysh vendimin, besoj në ekipin tim dhe do të bëjmë çdo gjë që të sigurojmë vend në elitën evropiane”, ka shtuar Advocaat. “Na kanë lëkundur pak ngjarjet që ndodhën në ndeshjen me Shqipërinë”.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.