Alban Meha ndihet i mashtruar nga De Biasi

Koha Ditore - - SPORT -

“Katër javë më parë Albani nuk ishte i aftë, por ishte ftuar në ekipin kombëtar. Tani ai është i aftë, por nuk është në ekip. Unë nuk e kuptoj“, ka thënë trajneri i Paderbornit, Andre Breitenreiter. As Meha nuk po e kupton dot situatën, në të cilën po kalon

PADERBORN, 11 NËNTOR - Mesfushori kosovar i Paderbornit, Alban Meha, është shprehur i zhgënjyer që nuk është ftuar nga trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, për dy miqësoret e mëdha, kundër Francës më 14 nëntor dhe kundër Italisë më 18 nëntor. Meha 28-vjeçar të martën për “Bild” ka thënë se trajneri De Biasi i ka thënë se duhet edhe pak kohë për të kthyer formën fizike.

“Fakti që unë tani nuk jam llogaritur për ndeshjet me Francën dhe Italinë, është me të vërtetë zhgënjyes për mua. Trajneri më ka thënë se duhet të jem më i fortë fizikisht”, ka thënë ai.

Por, mendim krejt të ndryshëm nga De Biasi kanë në klubin gjerman të Bundesligës 1. Trajneri i klubit, Andre Breitenreiter, ka thënë se mesfushori është i gatshëm për lojë.

“Katër javë më parë Albani nuk ishte i aftë, por ishte ftuar në ekipin kombëtar. Tani ai është i aftë, por nuk është në ekip. Unë nuk e kuptoj“, ka thënë Breitenreiter për “Bild. “Që nga ajo kohë Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka pyetur në lidhje me formën fizike të Mehës”.

Në të vërtetë, Meha më 27 shtator luajti 12 minuta pas një lëndimi që e mbajti atë një kohë të gjatë jashtë fushës. Pas kësaj ndeshjeje u ftua nga trajneri Gianni De Biasi për ndeshjen e 14 tetorit kundër Serbisë në Beograd, të vlefshme për eliminatoret e Evropianit “Franca 2016”. Atëbotë, Meha iu bashkua Shqipërisë pa pëlqimin e skuadrës. Kjo zemëroi drejtuesit e skuadrës gjermane.

Ndërkohë trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, ditë më parë në një konferencë për media tregoi arsyet pse nuk e ka ftuar Mehën.

“Nuk është grumbulluar, pasi ende nuk është në formën më të mirë të mundshme. Unë jam shumë i lumtur që ai shënoi edhe golin e tij të parë në Bundesligë, por kam menduar se në këto momente Meha duhet të përqendrohet në rikuperimin e tij tërësor, pasi, më shumë sesa në këto dy ndeshje miqësore, ai është një lojtar që na duhet për ndeshjen e marsit të vitit tjetër dhe Albani e di fort mirë këtë gjë”, pati thënë De Biasi. Ndërkohë, italiani ka reaguar të martën, pas delaratave të Mehës, duke dëshmuar për muhabetet që ka bërë me lojtarin. Sipas “Panorama Sport”, trajneri ka marrë “pohimin” e Mehës se nuk është në gjendjen më të mirë fizike, para se të shpallte listën.

Tekniku italian shkaktoi befasi edhe me lënien jashtë listës të sulmuesit Shkelzen Gashi, që me skuadrën e tij Basel, po luan në Ligën e Kampionëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.