Cana, i lumtur për dy miqësoret e luksit

Koha Ditore - - SPORT -

MARSEILLE, 11 NËNTOR - Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, ka folur për dy ndeshjet miqësore, kundër Francës më 14 nëntor dhe katër ditë më vonë kundër Italisë. Ai ka thënë se dy ndeshjet miqësore janë presigjioze dhe teste të mira për Kombëtaren e Shqipërisë. Cana 31vjeçar ka kujtuar edhe ndeshjen e zhvilluar më 2 shtator të vitit 2011 kundër Francës, ndeshje që e patën fituar francezët me rezultatin 2:1.

“Franca mbetet një komb i madh futbolli dhe po kalon nëpër një periudhë të mirë, çka e dëshmoi edhe në finalet e Kupës së Botës në Brazil. Kjo kombëtare do të jetë një nga më favoritet për ta fituar Kampionatin Evropian të radhës. Ne nuk kemi luajtur shumë ndeshje të tilla miqësore me kundërshtarë të këtij rangu. Pas Francës do të shkojmë në Genova, katër ditë më vonë, për të luajtur kundër Italisë. Janë dy miqësore prestigjioze, dy teste të mira për Kombëtaren e Shqipërisë”, ka thënë Cana të martën për “ledauphine.com”.

Ai, pos nënshtetësisë shqiptare, ka edhe atë franceze. Familja e tij jeton në Marseille. Ai ka treguar për lidhshmërinë që ka me skuadrën franceze Olimpique Marseille, për të cilën ka luajtur disa sezone. Ka luajtur edhe për PSG-në në Francë.

“Sigurisht! Unë jam thellësisht i lidhur me Marseillen. Ende e kam familjen atje. Po ashtu, mbaj kontakte të rregullta me disa njerëz afër klubit. Kështu që e kam të pamundur të mos e mbaj një sy edhe nga rezultatet e Olimpique Marseilles”, ka theksuar Cana.

Cana, pjesë e Kombëtares së Shqipërisë është që nga qershori i vitit 2003. Ai deri tash ka zhvilluar 79 paraqitje dhe ka shënuar një gol.

“Unë nuk jam më i vjetri në moshë, por lojtari më me eksperiencë në Kombëtare. Që nga viti 2003, luaj me Shqipërinë. Tani kam 79 ndeshje me Kombëtaren dhe kundër Francës do të thyej rekordin në këtë aspekt (bëhet me 80 ndeshje dhe kalon Altin Lalën me 79 ndeshje në total). Unë po përpiqem për ta vënë përvojën time në shërbim të të rinjve, për t’i ndihmuar ata”, ka thënë Cana.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.