I kthehet basketbollit pas dy aksidenteve ajrore

Koha Ditore - - SPORT -

ANN ARBOR, 11 NËNTOR ( MLIVE.COM) - Kishin mbetur edhe pesë minuta të asaj që doli fitore e lehtë e Michiganit ndaj Wayne Stateit, me shifrat 86:43, kur John Beilein shikoi në fund të bankinës.

Aty ishte i ulur Austin Hatch. Aty ishte ulur storia e tij - e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e tij. Hatch është lojtar i Michiganit, mirëpo është person që duhet të ngjitet shumë shkallë, të arrijë shumë dhe të ketë momente të tilla para se karriera e tij në kolegj të ketë kuptim normal.

Të gjitha tragjeditë janë tashmë të njohura. Hatch i mbijetoi dy aksidenteve ajrore në jetën e tij, një në vitin 2003 ku humbën jetën nëna e tij, vëllai dhe motra dhe një tjetër në vitin 2011, ku humbën jetën babai i tij dhe njerka. Aksidenti i dytë ajror la Hatchin në komë për tetë javë. Ai e gjeti veten duke luftuar për jetën e tij, vetëm një javë pasi që kishte arritur marrëveshjen për të luajtur me Michiganin. Ai mbeti me lëndime në kokë dhe me fraktura në brinjë dhe në klavikulë.

Askush nuk ka mundur të parashikojë ardhjen deri tek ajo që ndodhi të hënën.

Beilein bëri një kontakt me sy me Hatchin e ulur në bankinë dhe i tha, “Austin rri në gatishmëri. Ne do të aktivizojmë tash”.

Disa minuta më vonë, tifozët në “Crisler Center” u ngritën në këmbë, derisa Hatch u shënua në listën e realizatorëve. Ndonëse arena e madhe nuk ishte e mbushur, pati ovacione gati nga të gjitha anët kur spikeri i palestrës thirri emrin e Austin Hatchit.

1:40 minuta pa mbaruar ndeshja, Michigani ishte duke udhëhequr me 42 pikë. Mirëpo, asgjë nga këto nuk pati rëndësi.

Para “timeoutit”, 1:40 minuta pa mbaruar takimi, Beilein i tha skuadrës se Hatchi do të futet dhe se synimi është t’i jepet topi atij. Lojtarët e bënë këtë dhe sa herë që e pati topin, lojtarët dhe tifozët i bënin thirrje atij “gjuaj, gjuaj”.

Ai vazhdoi të pasonte. Kur mbetën edhe 12 sekonda, ai nuk pati zgjidhje. Hatch u faullua.

Ovacionet u kthyen në heshtje kur Hatch u vendos në vijën e gjuajtjeve të lira.

E para qëlloi vetëm rrethin. Hatch mori frymë thellë dhe gjuajtja tjetër gjeti cakun. Gëzimet ishin të mëdha.

“Ishte ‘cool’. Nuk dua të gënjej. Unë nuk do të them se ishte thjesht një gjuajtje e lirë. Pasi fundi i fundit, pas gjithë asaj që ndodhi, ishte një situatë unike. Është gjë e madhe që realizova atë gjuajtje të lirë”, thotë Hatch.

Me të shënuar gjuajtjen, Hatch u largua nga ndeshja nga trajneri. Ai u përqafua nga trajneri e më pas edhe nga bashkëlojtarët.

“Unë i thashë ‘Trajner kemi edhe shumë punë për të bërë. Unë kam edhe katër vite tjera dhe do të kemi shumë mbrëmje si këto që do të ndodhin në katër vitet e ardhshme’”, ka thënë Hatch.

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka siguruar të gjithë se skuadra e tij nuk do të bëjë blerje gjatë miniafatit kalimtar të janarit, shkruan të martën e përditshmja spanjolle “Marca”. Ai ka thënë se ka bërë mjaft blerje për këtë edicion dhe se ka një ekip që mund ta përfundojë me sukses edicionin. “Jese Rodriguez është blerja jonë dimërore, pasi është kthyer nga lëndimi. Ai do të luajë prej muajit tjetër”, ka thënë Ancelotti. “Nuk do të bëjmë blerje dhe po ashtu nuk do të ketë as shitje”. Ancelotti para fillimit të këtij edicioni, transferoi lojtarët si James Rodriguez, Toni Kroos, Keylor Navas dhe Javier Hernandez.

Dy të vdekur nga përleshjet e

huliganëve në Argjentinë

Dy persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve mes dy grupe rivale të huliganëve në kryeqendrën e Argjentinës, Buenos Aires, përcjell agjencia e lajmeve AFP, të martën. Personat kanë humbur jetën nga të shtënat me armë. Raportohet se të hënën mbrëma ka ardhur deri te përleshjet mes tifozëve të skuadrave të Kategorisë së Katërt, Sportivo Dockl Sud dhe Atletico San Telmo. Dy tifozë të San Telmos janë qëlluar për vdekje. Një person tjetër është dërguar me lëndime të rënda në fytyrë në spital.

Skuadrat nga Tel-Avivi dënohen

me marrje të pikëve

Skuadrat izraelite të futbollit Maccabi Tel Aviv dhe Hapoel Tel Aviv janë dënuar nga Federata e Futbollit e Izraelit për shkak të përleshjeve që ndodhën në përballjen mes tyre një javë më parë. Dy skuadrat janë dënuar me marrjen e pesë pikëve, ndonëse për tri nga to është dënim me kusht. Po ashtu skuadrat do të mbyllin një pjesë të stadiumit në katër ndeshjet e ardhshme. Ndeshja e ndërprerë është llogaritur pa fitues (0:0). Hapoeli ka paralajmëruar ankesë. Në të vërtetë, trazirat nisën në minutën e 34-t kur një tifoz i Hapoelit u fut në fushë dhe sulmoi lojtarin e Maccabit, Eran Zahavi. Zahavi u kunërpërgjigj, ndërsa për këtë u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë nga arbitri. Më pas nisën protestimet e lojtarëve të Maccabit, për çka u futen në fushë tifozë të tjerë të Hapoelit dhe kështu u ndërpre ndeshja. Dhjetë tifozë u arrestuan pas kësaj ngjarjeje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.