Violinistja e famshme suspendohet për mashtrim në skitari

Koha Ditore - - SPORT -

BERN, 11 NËNTOR (REUTERS) - Violinistja e famshme, Vanessa Mae, është suspenduar për katër vjet nga Federata Botërore e Skitarisë (FIS) për manipulim të garave të sllallomit të madh që lejuan atë të sigurojë normën për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Dimërore “Sochi 2014”, në momentet e fundit.

Një panel i FIS-it ka suspenduar po ashtu pesë zyrtarët, përfshirë edhe shefin e garës dhe delegatin teknik të FIS-it, nga një deri në dy vjet për katër gara të sllallomit të madh që u organizuan në Krvavec të Sllovenisë në janar, gara që ishin organizuar me kërkesë të menaxherit të Mae’s.

Rezultatet i dhanë Mae’s mundësinë që të marrë pikët e nevojshme në FIS-it për të siguruar normën për “Sochi 2014” në skijim alpin.

FIS ka përmendur një seri të parregullsive si rezultatet zyrtare, pastaj garuesit që u paraqitën, por në fakt nuk morën pjesë dhe garat e organizuara në kushte të parregullta atmosferike.

“Paneli Dëgjimor ka zbuluar se rezultatet e katër garave të sllallomit të madh që janë mbajtur më 18 janar dhe 19 janar në Krvavec ishin të manipuluara”, ka thënë FIS-i në një deklaratë.

“Manipulimi ka rezultuar në grumbullimin e pikëve të mjaftueshme në FIS për të siguruar kualifikimin, por kjo në fakt nuk reflekton performancën e vërtetë të garuesve që kanë marrë pjesë në atë garë dhe në veçanti pikët e marra nga Vanessa Vanakorn (Mae)”.

Mae, një shtetase britanike, garoi për Tajlandën në Sochi në shkurt me mbiemrin e babait Vanakorn dhe përfundoi e fundit, e 67-a në garën e sllallomit të madh në skijim alpin.

“Rezultatet në dy garat e sllallomit të madh më 19 janar përfshinë edhe një garuese që nuk ishte fare prezente dhe nuk mori pjesë në garat në Krvavec. Një garuese tjetër u vendos e dyta në një garë ndonëse u rrëzua. Është mësuar se koha e saj është përmirësuar për më tepër se dhjetë sekonda. Së paku një garuese ka startuar në garë jashtë zonës së caktuar dhe koha ka nisur të numërohet më vonë, derisa ishte ajo në shteg duke garuar”, ka shkruar FIS-i.

Në listë ka pasur edhe pesë parregullsi tjera dhe është thënë nga FIS-i se “garat janë organizuar me kërkesë të menaxhmentit të Vanessa Vanakornin, nëpërmjet kapaciteteve të Komitetit Olimpik të Tajlandës, që është anëtare e Federatës Botërore të Skitarisë (FIS)”.

Paneli ka thënë se do të rekomandojë që këshilli i FIS-it, që mban mbledhjen e ardhshme më 18 nëntor, të anulojë rezultatet e të gjitha atyre garave dhe të eliminojë të gjitha pikët e të gjithë garuesve.

Shtetet që nuk kanë skitarë në mesin e “Top 500” në renditje botërore janë lejuar të dërgojnë nga një skitar dhe një skitare në Lojërat Olimpike Dimërore, nëse arrijnë standardin e kërkuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.