Kupa e Afrikës do të mbahet ashtu siç është paraparë

Koha Ditore - - SPORT -

KAJRO, 11 NËNTOR (REUTERS) - Marokut i është marrë e drejta e organizimit të Kupës së Afrikës të vitit 2015. Këtë vendim e ka marrë Konfederata e Futbollit e Afrikës (CAF), të martën, në mbledhjen e mbajtur në Kajro dhe janë duke u shqyrtuar mundësitë për të gjetur një shtet tjetër zëvendësues ku do të mund të mbahet ngjarja më e madhe e futbollit.

CAF-i po ashtu ka diskualifikuar Marokun nga pjesëmarrja në Kupën e Afrikës 2015. CAF-i ka thënë se Kupa e Afrikës do të mbahet sipas planit, nga 17 janari deri më 8 shkurt të vitit të ardhshëm.

Heqja e së drejtës së organizimit të Marokut vjen pasi që shteti i veriut të Afrikës kishte kërkuar që ky turne të shtyhet nga frika e përhapjes së virusit vdekjeprurës ebola.

Maroku kishte thënë se mijëra tifozë që do të udhëtojnë nga perëndimi i Afrikës përbëjnë rrezik dhe ka kërkuar që turneu të shtyhet së paku gjashtë muaj, derisa lufta kundër rbolas është intensifikuar.

Mirëpo, CAF-i ka refuzuar çdo ndryshim të mundshëm, duke thënë se ka një kalendar të stërngarkuar. I ka dhënë Marokut ultimatum deri të shtunën për të tërhequr kërkesën që ka bërë për shtyrje, gjë që Maroku e refuzoi.

“CAF ka marrë disa aplikime nga asociacione nacionale të futbollit që kanë konfirmuar dëshirën e tyre për të organizuar Kupën e Afrikës në datën e paraparë në vitin 2015”, është thënë nga CAF-i.

Mirëpo, nuk është përmendur asnjë shtet. Asnjë shtet nuk ka shprehur publikisht interesimin për të organizuar këtë ngjarje.

CAF-i ka thënë se do të shqyrtojë aplikimet dhe do të finalizojë çështjen për nikoqirin e ri së shpejti.

Po ashtu do të konfirmojë datën dhe vendin për ceremoninë e shortit, që ishte paraparë të mbahej në Rabat të Marokut më 26 nëntor.

CAF-i po ashtu ka thënë se do të kërkojë masa ligjore ndaj Marokut bazuar në marrëveshjen kontraktuale që ka firmosur me Federatën e Futbollit të Marokut në prill.

Federata e Marokut po ashtu pritet të ndëshkohet rëndë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.