Federer, me gjithë moshën, vazhdon të qëndrojë lart

Koha Ditore - - SPORT -

LONDËR, 11 NËNTOR (REUTERS) - I bekuar me gjenialitet të tenisit, si baba i dy çifteve binjake, Roger Federer, ka shumë gjëra që po shkojnë në favor të tij, mirëpo mbi gjitha, ai duket se po kundërshton edhe procesin e plakjes.

Si 33-vjeçar, moshë ku shumica e sportistëve dhe sportisteve lënë sportin, veçanërisht ata që stërvitin sportet individuale që kërkojnë shpejtësi, forcë, kondicion dhe shkathtësi, zvicerani po vazhdon të godasë fort dhe të lëvizë si një i ri.

Të dielën, ai mposhti tenistin me shtetësi kanadeze, Milosh Raoniq, që është dhjetë vjet më i ri, në dy sete dhe po ashtu të martën i dha leksion japonezit nëntë vjet më të ri, Kei Nishikori, duke e mposhtur 6:3, 6:2 dhe duke e dërguar atë në prag të kualifikimit në gjysmëfinale të turneut final të vitit, që është duke u mbajtur në Londër.

Fitorja e tij bindëse ndaj Nishikorit në “O2 Arena” ishte e 70-ta e stinorit, dukshëm më tepër se çdo lojtar tjetër dhe e la atë vetëm shtatë fitore larg për të arritur shifrën e 1000 fitoreve në karrierë.

Nëse ai mposht britanikun Andy Murray në ndeshjen e fundit të Grupit B të enjten, atëherë do të barazojë rekordin e tij për më së tepërmi fitore të shënuara në një stinor, rekord që e kishte vendosur në vitin 2006, kur ishte i pandalshëm.

Ai e ka të siguruar të bëhet tenisti më i vjetër që përfundon në Top 2 në renditjen botërore dhe nëse ai fiton për herë të gjashtë turneun final të vitit këtë javë dhe po ashtu fiton trofeun Davis me Zvicrën javën e ardhshme, atëherë edhe mund të ngjitet në pozitën numër një në botë.

Nuk është edhe habi që Nishikori magjepset me Federerin.

“Në fakt unë nuk e shoh atë si 33vjeçar. Ai duket ende i ri dhe luan tenis fenomenal. Mendoj se mosha nuk ka rëndësi. Mendoj se po përmirësohet vazhdimisht”, ka thënë Nishikori.

Derisa Federer thotë se do të jetë bukur nëse shënon fitoren e 1000-të në karrierë, tash për tash koncentrimi i tij i vetëm është përballja e së enjtes me Murrayn ku do të mundë të sigurojë kalimin në gjysmëfinale.

“Unë shikoj ndeshje pas ndeshje. Tash jam i koncentruar në sfidën e radhës dhe dua të jem sa më i gatshëm për fazën të mëtutjeshme”, ka thënë Federer.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Kosovo

© PressReader. All rights reserved.