Gazeta Dita

Kjo gjuhë duhej shkulur kohë më parë

-

Dërguar me email Në adresën e redaksisë

Në një fshat, i cili ndodhet andej nga anët tona, jetonte një baba me djalin e tij. Kishin mbetur vetëm, sepse e zonja e shtëpisë, thonë, ishte ndarë nga burri, apo divorcuar, si thuhet sot me një farë krenarie, por jetonin në një banesë. Arsyeja e ndarjes ishte, sepse burri kishte një zakon: kur shkonte në shtëpitë e komshinjve do të fuste diçka në xhep. Kopshteve e pemëtoreve të fshatit u bënte kërdinë. Nuk e zinte gjumi pa vjedhur diçka qoftë dhe brenda shtëpisë së tij. Ndaj edhe gruaja e “bëri” lanet. Shtëpive të fshatit s’po ua shikonte më derën, apo më mirë të themi: fshati i vuri drunë. Këtë zakon babai ia shiti djalit. Djali ishte kapur disa herë duke vjedhur, por fshati e falte, sepse i ati dhe e ëma përgjërohe­shin: është axhami, do mësojë! Nuk do përsëritet....Djali rritej e po bëhej burrë, por edhe dëshira për të vjedhur i rritej e i rritej më shumë, jo vetëm për rrush e kumbulla, të cilat i hante shumë i ati dhe e ëma, por filloi të fusë duart në xhepat e të tjerëve dhe sirtarëve të banakëve ku mbaheshin paratë. Tani i hyri në qejf të tregohej edhe trim. Në fshat qarkullont­e fjala; i ka ngjarë babait. Thonë se nga ky fshat doli edhe shprehja: bëmë baba të të ngjaj. Një ditë durimi mori fund. Ligji i vuri me shpatulla pas murit. I ati për të shpëtuar më shumë veten se të birin, filloi të flasë në mes të fshatit, aty ku po i bëhej gjyqi.

- Tani... ju s’më keni dëgjuar, por më besoni, se e kam këshilluar çdo natë. Po laneti lanet mbetet. I thosha mos vidh, mos shaj dhe mos u grind me njerëzit! Më ngeli goja hapur dhe gjuha përjashta nga të folurit, por ky s’më ka dëgjuar. Vendimet i merrte vete. Pastaj ju të gjithë e dini se unë e kam djalë të birësuar.

Edhe ky e ka ditur, por tani po na mohon...

- Ato që haje, kur ti sillte në shtëpi, të pëlqenin? Po kur i numëronit paratë të tre aty pranë sobës u vinte mirë?

-Nuk ju kemi dëgjuar ndonjëherë që të jeni ankuar kështu si ankoheni sot, edhe pse djali po mbush 25 e kusur vjet, - ju drejtuan fshatarët. - Doni të shpëtoni kokën? I harrove bëmat e tua? Pse fshati dhe miqësia ta mbyllën derën...?

Djali, i cili po e dëgjonte me vëmendje ato që po thoshe i ati birësues, iu afrua dhe i tha: “Pa nxirre pak atë gjuhën, që e paskërke mbajtur jashtë duke më dhënë këshilla të ta shoh, se mos të është zgjatur shumë! Baba nxori gjuhën, ndërsa djali nxor shaminë nga xhepi e filloi t’ia tërheqë.

- Po, po!- foli duke shikuar nga populli. - Kjo gjuhë na solli në këtë ditë, ndaj duhej “shkulur” kohë më parë!

Tomorr Shasho

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania