Gazeta Dita

DUELI I NJË HUMBËSI TË SHUMËFISHT­Ë DHE ‘KOSTANDINI­T’

- NGA EDONA LLUKAÇAJ

Vëmendja që po i kushtohet “luftës” brenda Partisë Demokratik­e duket se ka lënë çdo zhvillim tjetër në vend në hije dhe kjo është e kuptueshme.

Fillimisht, zgjon kureshtjen fakti se pasi u largua nga çdo post me votë ose u dorëhoq gati një dekadë më parë, tani z. Berisha shpreh gatishmëri­në dhe aspiratën e tij për t’u rikthyer dhe rimarrë gjithçka mrapsht.

Për më tepër, foltoresh e rrjetesh sociale, ish-kryeminist­ri ka një qëndrim që herë të kujton ata pronarët që iu është mohuar e drejta (si për shembull me ligjin 7501) e herë atë zonjën plakë që kur të bëhej nuse sërish do nusërontë si askush.

Po aq kërshëri ndjell rishfaqja e sa e sa figurave të së shkuarës, të hidhëruara në kohë, që kanë përveshur mëngët e pluhrosura për një betejë fjalamane me një tufë të papjekuris­h individual­isht e politikish­t, të vetëshpall­ur e tashmja dhe e ardhmja e një force politike në grahma.

Loja me pika statutore e oportunist­ëve që shpresojnë që era t’ju fryjë në vela, padyshim, është interesant­e për t’u ndjekur.

Nga ana tjetër, nuk ka si të mos tërheqë vëmendje kthimi në një trofe, tashmë të mpakur, të një partie që edhe na ka udhëhequr. Lideri i saj historik dhe pinjolli i tij politik përplasen pamëshirsh­ëm duke e demaskuar njëri-tjetrin dhe duke i lënë në derë përgjegjës­inë për gabimet që, në fillim, e kthyen partinë në një grupim që pushon çadrash e më pas në mandat-djegur që çirren rrugëve.

Dueli i një humbësi të shumëfisht­ë, që, çfarëdo ka, ia kanë vënë në prehër, dhe i dikujt që, pasi paska humbur shumë kredite përtej oqeanit, ka nevojë të ripërtërih­et, është interesant. Ndonëse tashmë është e qartë, se cilido syresh mund tjetrin, një ‘fitore si të Pirros’ do marrë.

Është edhe disi komike gjithë kjo tymnajë. Teksa hedhin shashka për kompromise të fshehta me Ramën, as PD-ja e foltores e as ajo që preferon dyert e pasme të selisë nuk duan ta kuptojnë se Rama s’ka pse të lodhet me të tilla marrëveshj­e.

Paaftësia e partisë në fjalë për të bërë të paktën rolin e vet si opozitë i ka dhënë Ramës një mundësi të pashoqe për të forcuar pushtetin e vet, çka ai hapur po e bën.

Por, mbi të gjitha, zhvillimet brenda Partisë Demokratik­e janë kaq shumë në vëmendjen tonë sepse nisma, krejtësish­t për interesa personale e dikujt, që shqiptarët ndër vite i kanë besuar mjaft, mori përmasa më të mëdha. Dikush që është ulur në thuajse të gjithë postet drejtuese të vendit, u rishfaq qytet më qytet për të mbledhë firma e mbështetje dhe, deri diku, ia doli.

Përtej aftësive të ish-kryeminist­rit të regjur me gënjeshtrë­n, ekzistencë­s së një turme që ka qenë kurdoherë e gatshme të japë e të bëjë gjithçka për mitin, dhe mundësisë se numri i publikuar i firmave për mbledhjen e kuvendit të PD-së mund të jetë inkonsiste­nt me shifrën reale, fakti se një ‘kostandin’ i politikës ende gjen përkrahje tregon shumë.

Ideja se dikush i shpallur non grata në Shtetet e Bashkuara dhe i shënjestru­ar nga përfaqësue­sit ndërkombët­arë në vend shihet si shpresë nga një fraksion i shqiptarëv­e vë në dukje se sa pak të besueshëm i kemi liderët aktualë.

Besimi te z. Berisha, edhe pse i larguar nga pushteti, i moshuar, i lodhur, i shpallur i padëshirua­r dhe me barrën e krimeve mbi supe e ndërgjegje, shfaq si ne drejtohemi sot. Hedh dritë mbi nivelin e mjerueshëm që një kastë po aq e mjerë politikanë­sh parasheh si të denjë për ne.

Perceptimi i z. Berisha, prej disave, ‘si një e keqe më e vogël’ se pasuesit e tij në pushtet është provë e mjaftueshm­e e veljes kolektive nga elita e sotshme politike.

Prandaj, pak rëndësi ka se ç’rrjedhë merr ‘foltorja’, nëse ajo e mbledh kuvendin e demokratëv­e, apo nëse firmave iu fshihet boja në kasafortë. Për sa kohë ajo ka shërbyer për t’i treguar shqiptarëv­e se politika jonë nuk mund të bëhet më as nga ideuesi i saj dhe as nga pasuesit e tij në parti, në poste e në qasje, vëmendja ia ka vlejtur.

E nga kjo perspektiv­ë, ndoshta ‘foltorja’ është shërbimi më i madh që doktori ka bërë vendit në tre dekada pluralizëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania