Gazeta Dita

QË KUR LINDE – O NJERI (BALADË PËR BOTËN)

-

Toka në ajër vërtitet, fiksuar në trajektore, as nuk bie-as nuk ngjitet, po bën vetëm dy rrethore.

Toka në ajër vërtitet, s’ka themele-s’ka çati, as nuk bie-as nuk ngjitet, fiksuar tek Dielli rri.

Ku nis rrugën-aty kthehet, pikat fiks në mes të qiellit, aty ndrin e aty zbehet, sipas humorit të Diellit.

Me një të shkurtër kalem, fati i Tokës u shkrua, ajo ngrin-ose shpërthen, një çast Dielli po u shua!

Miliona mund të shkojnë, ose miliarda vite, po njerëzit dot s’i shpëtojnë, asnjëherë asaj dite!

Toka ende s’ka marrë ters, njëlloj ecën në çdo vit, po në këtë Univers, s’është e largët asnjë ditë.

Njerëzit si Toka vërtiten, në shekujt e jetës sonë, që në Kohë llogariten, nga sekonda-një fraksion!

S’e kuptoj njerinë e shkretë, pse më bën kaq karshillëk, gjersa vërtitet në jetë, nga boshllëku në boshllëk?!

Tokën dot nuk e mbështesim, themele për të nuk kemi, ndaj sa lindim-gjer sa vdesim, në ajër si Toka jemi.

Njeri-që këtu jeton, siç linde në ajër mbete, sa çudi që s’e kupton, kotësinë e kësaj jete!

Në gjithë shekujt që kanë shkuar, si guri je bërë i gurtë, tek kjo Botë e ngatërruar, ku asgjë s’është e sigurtë! Gozhdë në kokë më është ngulur, ajo që s’na thanë të parët, duhet të rrinë kokëulur, këtu dhe më guximtarët. Që kur linde-o njeri, djalli të zuri në leqe, në boshllëk e kotësi, s’ke pse bën asnjë të keqe. Dhe pa qenë akademik, çdo njeri mund ta kuptojë, një çast Dielli po u fik, s’do mbesë kush të na kujtojë! Gjer në kockë më lodhi Bota, pisllëku dhe kotësia, domosdo që janë të kota, dhe vargëzimet e mia. Dhe në fund nuk po ju them, miq të dashur ndonjë përrallë, se jeta është një betejë, ku nuk del askush i gjallë!

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania