Gazeta Dita

DEMOKRACIA TË NGRE NË QIELL, DEMOKRACIA TË LË MË DIELL

-

Edhe ata dikur kanë punuar, kanë arsyetuar, kanë drejtuar a kanë komanduar, po tani, me fytyrat gjithë rrudha e vija nga pesha e viteve, po kalojnë kohën në stolat e ftohtë të lulishtes. Po nga jeta e përditshme nuk duan të heqin dorë. Arsyetimet e tyre mund të kenë më tepër vlerë se sa ato të memurëve e analistëve që duan t’u bëjnë hije shefave, drejtorëve a pronarëve se ndryshe i pret e zeza. Ditët e fundit këta bashkëmosh­atarë të mi i dëgjoja tek diskutonin për vendimet e fundit të dhjetorit për përgjysmim­in e gjykatave dhe të prokuroriv­e. Të gjithë e fillonin nga 30 vite më parë, nga ajo kohë kur shteti i diktaturës i hoqi armët e mesit dhe qyçet e brezit për t’i sjellë popullit liri e demokraci që na e kishin propagandu­ar me të madhe. E nisnin nga ajo kohë kur në peshoren e drejtësisë në vend të ligjit u vu ryshfeti dhe shteti u shkeli syrin gjithë kënaqësi pasi shtetarët ngrohnin xhepin. Shteti demokratik ua krijoi këto kushte organeve të drejtësisë. Dhe qytetarët janë në një mendje. E pse të mos jenë në një mendje me shtetin? Guxo po të duash! Po do të presësh vetëm shtrëngata­t pas. Ja, shteti i lejoi hetuesit, prokurorët, gjykatësit e gjithë njerëzit e drejtësisë të krijonin një sistem korruptiv (që i interesont­e edhe përfaqësue­sve të shtetit) dhe shteti kohët e fundit, pas ultimatume­ve të miqve e dashamirës­ve tanë, u kujtua të luftojë korrupsion­in në drejtësi, të nxjerrë jashtë sistemit jo pak prej tyre, seleksiono­i një pjesë nga ajka e korrupsion­it, dhe u detyrua të përgjysmoj­ë numrin e institucio­neve të drejtësisë. Dhe deklaroi se drejtësia e re po funksionon. (Një miku im pasi pagoi sekserët tek drejtësia e re për t’ia afruar datën e një gjyqi për probleme pronësie, u njoftua se gjyqi do të bëhej në fund të dhjetorit. Po për çdudi, sa shkeli në Tiranë mori vesh se gjyqi u shty për në fund të qershorit!) Duke marrë të mirëqenë kërkesën për përgjysmim­in e organeve të drejtësisë, sjellim ndërmend se ai fshatari nga thellësia e Sarandës apo nga malësitë e Veriut për të zgjidhur një hall me drejtësinë, duhet të mendohet disa herë. Se për të shkuar në Vlorë, në Gjirokastë­r, apo kudo në një qendër prefekture duhet të sigurojë në radhë të parë se me kë do t’i lerë fëmijët, shtëpinë, bagëtinë, gjithë prokopinë që ka. Po duhet të bëjë mirë llogaritë për shpenzimet e rrugës, për të ngrënë e për të fjetur (s’dihet sa kohë, se kjo varet edhe nga humori i hetuesit, prokurorit, gjykatësit, dëshmitari­t, avokatit etj).Po i duhet të llogarisë edhe më shumë sekserë, deri sa të arrijë të trokasë në atë derë. E po t’i bëjë mirë llogaritë nuk dihet në se do të fitojë ndonjë send nga ajo padi apo do të humbasë. Po për shtetin tonë demokratik kjo nuk ka asnjë rëndësi. Kjo nuk është e vetmja dhuratë që shteti ynë demokratik u jep shqiptarëv­e. Në gjithë këto vite kënaqësitë që u ka sjellë-nuk merret vesh kujt-janë të panumërta.

2.Partitë politike që e quajtën veten nismëtare të vendosjes së sistemit të ri, me lojën e tyre politike ankohen për papunësinë masive në qytete dhe shpopullim­in e fshatit. Po kujtesa popullore nuk është aq e shkurtër. Ishin po këta njerëz e këto parti që shkatërrua­n fabrika, uzina e kombinate në të cilat punësohesh­in mijëra qytetarë e që ishin krenari e sistemit të kaluar. Ishin po këta që këto shkatërrim­e i kishin ndër dhuratat e para që sistemi i ri u bëri shqiptarëv­e. Edhe se mbetën pa punë e pa asnjë mjet jetese, nuk u tha shteti që të merrnin rrugët e botës për të mbijetuar. Prandaj partitë politike të shtetit të ri ‘’Demokratik’’ i sulen njëra-tjetrës si të ndër kryera, kërkojnë fajtorin po bëjnë sikur nuk e gjejnë dot. Fajtori janë vetë ato, shteti që vet ato krijuan. Ndër masat e para që mori shteti ‘’demokratik’’ këtu e më se 30 vjet më parë ishte heqja e barrierave që pengonin lëvizjen e lirë të njerëzve. Dhe njerëz të shumtë, nisur nga dëshira për një jetë më të mirë, lanë shtëpi e katandi dhe shkuan në qytete apo në periferi të tyre, u vendosën ku u mbush mendja, rrethuan një sipërfaqe toke që u duk e arsyeshme, ndërtuan kasolle, shtëpi apo vila-sipas mundësive ekonomike që kishin dhe e quajtën të tyre, pa pyetur për ata që e kishin patur atë tokë denbabaden. Po ky shtet ‘’demokratik’’ nuk ka asnjë faj që u dha lirinë, ai nuk u tha që të harxhonin gjithë mundimet e jetës e të ndërtonin ku donin, as tani që po u vë rruspën pa i pyetur. Për gjithë këtë katrahurë e gjullurdi shteti nuk ka asnjë faj. Po edhe në se vriten për një copë tokë a një vijë uji, shteti ynë demokratik nuk i thotë që të vriten, të grinden apo ta shikojnë njeri-tjetrin me smirë. Shteti u ka thënë të shfrytëzoj­në liritë. Cilat liri e kush i gëzon ato në fakt? Fajin e ka diktatura që kishim, e cila tregoi se edhe kodrat bëhen fusha, edhe nga guri del buka edhe balta është flori, edhe dashuria e respekti midis njerëzve u vunë në themel të shoqërisë njerëzore. Kështu ndodhi edhe me energjinë elektrike. Shteti, për të fituar edhe një grusht votash, i la banorët të mos e paguanin dëmin e shkaktuar. Po menjëherë pas votimeve shteti ua preu rrymën elektrike, i gjoboi apo i dënoi. Kështu ndodhi edhe me kanabisin. Shteti e bëri flamur Lazaratin për kanabisin e shteti bën sikur lufton kultivimin e tij, djeg ndonjë parcelë sa për ta filmuar televizion­et, kurse skafet e maunet vijojnë pa pushim të transporto­jnë tonelata kanabis nëpër botë. Pa le që ditët e fundit shteti na doli me teorinë e kultivimit të kontrollua­r të kësaj bime helmuese (me sa duket xhepat kanë filluar të boshatisen dhe kërkon rrugë të reja, këtë radhë të ligjëruara) E sa të tilla. Shteti ynë demokratik i ndryshon planet e gjykimet sipas hënës e kërkesave të kupolës që e mëkon dhe e komandon. Ja, për të tilla probleme të jetës së përditshme diskutojnë bashkëmosh­atarët e mi atje në stolat e lulishtes edhe në këto ditë të ftohta janari, të zhgënjyer nga demokracia e instaluar, të velur me premtime e përbetime, të neveritur nga hipokrizit­ë dhe kurvëritë, të pakënaqur nga sa shikojnë e dëgjojnë përditë.

Veledin Abazi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania