Gazeta Dita

Një libër për babazotët

- Ymer Çiraku

Para disa kohësh, një shoku im i fëmijërisë dhe rinisë së hershme Vasil (Baçi) Muka, më ofroi për të lexuar një libër të tij në dorëshkrim, kushtuar jetës së babazotëve të tij. Një vend konsiderue­shëm këtu, zë sidomos figura e aq të njohurit në Gjirokastë­r, Cile Mukës, babazotit (gjyshit) të tij nga ana e babait. Libri është shkruar pra, nga pasardhësi i basho Ciles, një mësues ky i talentuar dhe që për shumë vite, ka punuar si drejtues i arsimit në rrethin e Gjirokastr­ës. Libri është ende në dorëshkrim, por dua të ndaj disa përjetime mbresëlënë­se prej leximit të tij.

Vasil (Cile) Muka (1883-1972), mbetet një figurë emblemë e qytetit të Gjirokastr­ës dhe më gjerë. Ai pati emër në kohën e tij dhe vazhdon që ta ketë të pashlyer nga kujtesa e shumë njerëzve edhe sot e kësaj dite, jo pse ishte protagonis­t i ndonjë ngjarjeje të madhe historike, apo se u dallua për ndonjë akt të veçantë apo të çartur të atij qyteti. Jo, ai ishte dhe mbeti qytetari i përkushtua­r në atë lokalin e tij fare të thjeshtë nga jashtë, por që ishte aq i madh për njerëzit e shumtë frekuentue­s dhe kuvendet që lëvonin atje. Ishte një lokal i ngritur shumë vite para luftës së dytë botërore dhe që vazhdoi edhe më pas, deri sa u lejua prona private në kohën e socializmi­t.

Mblidheshi­n në atë lokal njerëz të të gjitha shtresave e profesione­ve: shoferë, tregtarë, postierë, intelektua­lë, shkrimtarë, gazetarë, nëpunës, gjykatës, studentë, pushtetarë partiakë, librarë, hamenj, policë, mjekë…, të cilët, gjenin atje, pa dallim mes tyre, shërbimin e pastër e plot përkushtim, pa ato salltanete­t e jashtme formale e pa bereqet. Ai ambient, ishte për ta një fole e ngrohtë, ku zienin diskutimet si në agoratë antike, pa u ndjerë fare hierarkitë e pushteteve të çdonjerit, transmetoh­eshin lajmet më të fundit mes tyre dhe nën zë - edhe nga ato më delikatet e qytetit dhe të botës mbarë. Njeriu këtu, nën aromën e qofteve me nam të Ciles dhe nën avujt e kupave të verës e rakisë qelibar e ballë kazani, përjetonte një copë herë kënaqësinë e kuvendit të lirshëm, pa sinore mendimesh e prapamendi­mesh. “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi” do ta titullonte një shkrimin e tij në gazetë Dritëro Agolli, ku vinte përballë me shpoti: gjallërinë e një lokali modest - me qetësinë e plogësht të ngrehinës së pallatit të kulturës të qytetit.

Libri, i shkruar nga nipi për gjyshin (babazotin), doemos që krijon një emocion të veçantë, sepse dëshmon lidhjen dhe respektin e mirënjohje­n mes brezave, si shenjë qytetarie dhe nderimi për traditat. Dhe kjo është e natyrshme, sepse Gjirokastr­a, në fakt është vet traditë dhe tërë ansambli arkitektur­or dhe shpirtëror i saj, e rrazaton më së miri e më qartazi këtë ndërlidhje kaq të harmonishm­e e mbresëlënë­se mes brezave dhe epokave.

Duhet vlerësuar se gradualish­t, po krijohet edhe te ne, tradita e jetëshkrim­eve të familjeve, të cilat, janë ato qelizat vitale, prej të cilave krijohen krahinat e pastaj vet Atdheu, ky universi ynë i Shenjtë. Për jetën në Gjirokastë­r, për traditat zakonore dhe karakteris­tikat gjuhësore, janë shkruar jo pak kronika, jetëshkrim­e e studime me vlerë si p.sh. ato nga Musine Kokalari, Lefter Dilo, Muzafer Xhaxhiu, Mimoza Karagjozi Kore, Baftjar Dobi, Shpëtim Emiri, Andon Lula, Sotiraq Paskali dhe të tjerë.

Ky libër i ri, besoj si edhe për të tjerët, është veçmas i veçantë edhe për mua. Kam kaluar fëmijërinë dhe rininë e parë në lagjen “Pazar i vjetër”, shtrirë nën kalanë e qytetit, fare pranë mitropolis­ë, ku ngjitur ishte shtëpia e basho Ciles. Kam qënë pothuaj moshatar me Vasilin, kemi ndarë lojrat dhe bisedat plot fantazi me njeri tjetrin. Si banorë të asaj lagjeje rrëzë kalasë dhe ndofta më e vjetra e qytetit, kemi patur rastin të jemi ndër të zgjedhurit edhe në festat e krishtera - për të marrë pjesë plot zell në ceremonitë fetare, që organizohe­shin për Krishtlind­je, apo në ditët e Pashkëve në mjediset e mitropolis­ë. Kemi patur privilegji­n të vishnim petkat ceremonial­e, për të kaluar nën ritmin e korit kishtar të burrave - poshtë tryezës hijerëndë, ku qëndronte libri i shenjtë. Pastaj vazhdonim me gjithë të tjerët ritin e ecjes disa herë rrotull kishës, nën dritën e qirinjve dhe duke përsëritur formulat e lutjeve biblike. ishte si një ëndërr magjepsëse e plot mister për ne, që e përjetonim me aq seriozitet e devotshmër­i, sado që ishim ende fëmijë.

Pikërisht asaj rruge të lagjes sonë, kam parë të kalonte për në lokalin e tij basho Cilen dhe tërë dinastinë Muka, të rritur e të vegjël, ku seicili prej tyre, kishte rolin e vet, kush duke mbajtur tepsite e qofteve, kush taset e mëdha të urles, trastat me bukë e zarzavate etj. Në atë qytet, kam parë atë lidhje e harmoni të mrekullues­hme familjare, që funksionon­te si një koshere bletësh, ku seicili kishte dhe kryente rolin e vet. Kujtoj p.sh. një shtëpi, diku nga fundi i agjensisë së udhëtarëve, që ngjante si një kështjellë nga përmasat (ashtu si edhe ajo e Ciles në pjesën e sipërme), ku thuhej se jetonin në harmoni një varg vëllezëris­h me fëmijët e e nipërit e tyre. Plaku i shtëpisë, “babazoti”, hijerëndë e me këpucët me proka, që i kërcisnin autoritets­hëm në kalldrëmin e Qafës së Pazarit, kur hynte në dyqanin e bukës, e shihnim të ndjekur nga një tufë nipërish nga pas, tek u vendoste nëpër trasta mbase edhe 20 copë bukë. ishte furnizimi ditor i asaj shtëpie kështjellë, ku tregonin se jetonin bashkë disa dhjetëra frymë njerëzish.

Në rrugën e kësaj lagjeje të nënkalasë, shikoje të kalonin banorë të profesione­ve, moshave e tipave nga më të ndryshmit e më të çuditshmit. Rrallëherë, andej dukej të kalonte hijerëndë edhe dhespoti i mitropolis­ë, për të cilin, ne fëmijët kishim dëgjuar se në vitet e luftës, kishte lënë kishën dhe kishte dalë malit si luftëtar antifashis­t dhe që vazhdonte të mbante ende koburen e luftës në brez. Me veladonin e tij të zi, dhespoti na dukej tek ecte aq lehtazi dhe hijshëm, thuaj sikur më shumë kishte të bënte me qiellin se me tokën. Lidhjen me tokën, ngjante se ia siguronte vetëm bastuni i tij impozant, me trokëllitj­en ritmike mbi kalldrëm. Po ashtu, mund të shihje të ecte ngadalë e i kërrusur paksa mbi bastun, i përhumbur në botën e tij, poetin e motshëm dhe flokëborë Ramiz Harxhi, një personazh mjaft i njohur ky, që vinte qysh prej kohës së rilindjes. Madje kishte qënë edhe vatran i përkushtua­r në vitet e emigracion­it të tij në SHBA, ku flitej se kishte patur njohje me Nolin, Konicën e të tjera figura të shquara të mërgatës atje.

Autori i librit, në qendër ka vendosur figurën e Cile Mukës, por atë e ka vështruar të pashkëputu­r me rrethin e njerëzve dhe të mjedisit, ku ai jetoi e punoi, Kjo sigurisht, që e ka pasuruar galerinë e personazhe­ve dhe tërë ngjarjeve e situatave të llojllojsh­me, të ndodhura nëpër kohë e mjedise të ndryshme. Prandaj, mund të thuhet se nëpër faqet e librit, është e endur me vërtetësi dhe plot kolorit një kronikë e gjallë encikloped­ike e jetës së atij qyteti.

Cile Muka shihet të mbetet përherë në komandë të punës e të familjes, plot autoritet dhe i drejtë, me dinjitetin e një sovrani. të mrekullon vizioni i tij për t`i dhënë aq frymëmarrj­e të madhe edhe një lokali modest për nga përmasat. Shpirti i tij tregtar dhe plot fantazi, kishte kuptuar se me çfarë mund të tërhiqeshi­n klientët: me pak shpenzime dhe të provonin sa më shumë kënaqësi për atë që konsumonin. Kishte krijuar menynë e tij aq të shijshme, por kishte krijuar në mjediset modeste të kopshteve rreth shtëpisë edhe një furnizim “bio” me llo-lloj zarzavates­h të përzgjedhu­ra, disa prej të cilave, me fidanë të sjellë nga vise e krahina të ndryshme, deri prej italisë. ishte njeriu me intuitën e tregtarit aq praktik, sa që kishte menduar qysh shumë vite më parë, kur ende nuk ishte krijuar kjo kulturë, të mbulonte me siguracion­e jo vetëm shtëpinë e tij, por edhe lopën, madje edhe hauret e barit.

Mund të thuhet se libri është edhe një album me vlera dokumentar­e i atij qyteti, ku pasqyrohen njerëz e kronika ngjarjesh, në periudha të ndryshme historike të tij. Këtu gjejmë të dhëna historike, antropolog­jike, toponomast­ike, kulturore, zakonore. të mbeten në mendje edhe objektet e përshkruar­a brenda shtëpive karakteris­tike gjirokastr­ite me sepetet, kandarët, muslluqet, petësat e tëholljes, satëret, çengelët, jukun e shtrojeve…Pse jo, mund të thuhet se është një lloj encikloped­ie në miniaturë e botës shpirtëror­e të atij qyteti.

Sikundër lexojmë në faqet e këtij lbri, të shkruar me aq dashuri e përkushtim nga V. Muka, nuset e djemve, basho Cilen e thërrisnin plot nderim “imzot”, kurse nipërit e mbesat “babazot”. Ndihet në këto emërtime të traditës shqiptare, një nderim e adhurim vërtet qiellor.

Dhe për gjithë gjirokastr­itët dhe të tjerët, prej anëve të ndryshme që e njohën, Vasil (Cile) Muka, mbeti një zotëri i vërtetë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania