Gazeta Dita

DIMËROJ SI ZOGU I DETIT…(BALADË)

-

E ç’të shkruajmë-e ç’të themi, tani në muzgun e jetës, pa dyshim në doré s’e kemi, formulën e së vërtetës.

Se neve jemi poetë, zili Zoti do na kish, s’pyetëm né të vërtetë, në u derdh – a në u prish.

Se neve jemi poetë, muzat me nektar i shkundëm, s’pyetëm në këtë jetë, sa fituam dhe sa humbëm!.

Dridhet syri ndënë vetull, dridhet si ky muzg i murmë, do kuptohet për një shekull, nëse lamë ndonjë gjurmë.

Në mëngjes sa shkrepi drita, trëndafilj­a lulëzojë, kush na desh-i’u shtoftë dita, kush s’na desh s’ka pse të mos rrojë!

Dimëroj si Zog’ i Detit, pres e pres të vijë pranvera, se në zemrën e poetit, s’mbijnë kurrë gjëmba dhe ferra.

Dimëroj si Zog’ i Detit, pres e pres për lulëzimin, s’mban dot zemra e poetit, as urrejtjen-as mallkimin.

Rëntë bore e më mbuloftë, nata me qefin të artë, dashtë Zoti më kuptoftë, Zoti i Tokës atje lart.

Shkrova vargje të magjishme, se magji kisha në kokë, dhe në jetën e stuhishme, vetëm veten pata shok.

Vetëm veten pata shok, shoqe vesën edhe lulen, dhe kur të jem ndënë tokë, do ngrihem që t’u përulem.

Troku i jetës kurrë s’ndal, trokon mbi shkëmbinj e gurë: “Dashuria që ti fal, dihet qé s’të kthehet kurrë!.”

Në stacionet ku u ndala, dhimbjet-ferr-por s’ulërita, dashuria që ju fala, të më kthehej kurrë s’prita.

Dhimbjet ferr edhe pelin, po nuk thashë: “Bo-bo ç’më gjeti!.”, këto dhimbje pa dyshim, i duron vetëm poeti.

I duron vetëm poeti, ky vullkan krejt i pashuar, se poetin zgjodhi Zoti, në dhimbje për ta provuar.

Gjëmojnë në breg të detit, dhe s’pushojnë kurrë valët, po ndryshe fati i poetit, një ditë i mbarojnë fjalët!

Një ditë s’do ketë më zgjim, tek kjo Botë e flamosur, se edhe mademi im, është gati në të sosur.

Dhjetor 2007-Gusht 2016

Botuar në Dita, 9 Gusht 2016

Në këtë rubrikë do vazhdoni të lexoni poezi nga arkiva e Arbenit

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania