Gazeta Dita

Data, mandate dhe mandata...

-

Dërguar me email Në adresën e redaksisë

Ua dimë mirë kuptimin këtyre tri fjalëve të mirëfillta shqipe, por ata me mandate, nuk janë të aftë të njohin e zbatojnë datat-piketa historike themelore të historisë Atdheut tonë. Shqipëria jonë e vogël dhe Bashkimi i Madh Sovjetik janë dy të vetmit vende në botën e rrumbullak­të që u çliruan nga nazizmi e fashizmi me forcat e veta. Ne u çliruam më 29 nëntor 1944. Këtë datë, njeriu me mandat, Sali Berisha, fatziu i lindur për të qenë hipokrit e antishqipt­ar, për të qenë egërsirë dhe i pashembull­t për mbrapshtir­a në historinë e këtij populli, e ka mohuar dhe ka vendosur që të jetë 28 nëntori!? Këtë udhë të tij e ndjekin edhe tërë kompania pa kokë e njerëzve me mandate puthadorës të tij. Po bëhen 30 vjet dhe njerëzit me mandat, siç janë deputetët-o mortja që nuk i ha!?- kryeminist­rat- o u bëfshin kocka për qentë!?, -presidentë­to mos u dëgjofshin më emrat e tyre!?- nuk kanë bërë detyrën: Të fiksojnë me ligj atë që është në histori: Shqipëria është çliruar më 29 nëntor 1944. Kush e shkel këtë datë të ndëshkohet maksimalis­ht si tradhtar. Përse nuk e kanë bërë këtë deri tani, o u ardhtë mandata? Bota ka të drejtë që të na tallë deri në gomarisje kur shikon që lulet pranë Monumentit aq madhështor tek Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut nga krerët me mandate të së djathtës vendosen më 28 nëntor dhe krerët me mandate të së majtës, i vendosin më 29 nëntor! Së dyti, kemi datën e krijimit të Republikës së Shqipërisë. Në janar të vitit 1925 nga ata burra apo horra me mandat që ishin asokohe, u vendos që të krijohej Republika e Shqipërisë. Kjo është ngjarje historike madhore botërore dhe meritën e mbajnë pikërisht ata njerëz me mandate. U quajt Republikë Parlamenta­re. Ishte një hap i mirë përpara. Në vitin 1946,po në janar, ngadhënjim­tarët e marrjes së pushtetit tashmë të mandatuar nga populli si deputetë dhe deputete të Asamblesë Kombëtare që më vonë u quajt Kuvendi Popullor, pa mohuar nga sfondi historik datën 21 janar 1925, i vunë fshesën kësaj date dhe vendosën datën 11 janar 1946 si ditë të krijimit të Republikës Popullore të Shqipërisë. Kuptohet, sepse ishte përmbysje revolucion­are e plotë që nga themelet, sepse u vendosën marrëdhëni­e të reja shumë përparimta­re në prodhim e në shoqëri, në bazë e në superstruk­turë, në vetë ekzistencë­n e kombit shqiptar,duke i dhënë

fund nazizmit e fashizmit, anarshisë dhe kolaboraci­onizmit, kaotizmit, feudalizmi­t, monarkizmi­t në praktikë e në teori dhe çelën rrugën drejt komunizmit. Realisht u duk sikur u mohua thuajse krejt 21 janari i vitit 1925. Më pas, në vitin 1976, Shqipëria me kushtetutë u quajt Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Pikë. Askush nuk doli kundër këtyre ndryshimev­e ato vite sepse kishte njerëz me mandate nga populli në krye që e kuptonin nderin dhe detyrën e tyre.

Në përmbysjen tjetër në vitin 1990, që solli kapitalizm­in (fazë që ne shqiptarët nuk e patëm kaluar!),në tërë shtetet e botës lindore e perëndimor­e nuk u bë asnjë ndryshim në datat e historisë së vendit të tyre. Ato mbetën siç ishin, siç i ka vendosur historia e cila nuk zhbëhet, por vetëm njihet për t’u mbrojtur. Vetëm tek ne, në Shqipëri, u veprua ndryshe. Përse?Nuk dimë apo nuk duam?Apo të dyja? Kemi midis nesh njerëz me mandate kaq idiotë e pragmatist­ë të ndyrë sa edhe monarkinë duan ta ringjallin për derisa vendosin në mes të Tiranës një përmendore të gruas së ish-mbretit të vetëshpall­ur tradhtarit Ahmet Zogu, dhe djalin e tij e emërojnë këshilltar në presidencë!? O, deputetë e njerëz me mandate të dhëna nga populli! O, ju ardhtë mandata, kur nuk jini në gjendje të zbatoni një gjë elementare, as lulet tek varrezat nuk doni t’i vini atë ditë që duhet! Ah, sikur të ngrihesh nga varri qoftë edhe vetëm njëri prej dëshmorëve, ju do t’u zinte mandata e nuk do të gjenit as vrimën e miut që të futeshit! Sa do vijojmë kështu me dy data të çlirimit e të republikës?

Ilmi S.Qazimi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania