Gazeta Dita

Këngët, si vetëtima të largëta

-

Dërguar me email Në adresën e redaksisë Tregim

E dinim që kështu do të ndodhte. Më kujtohet kur ra muzgu i parë i asaj nate që do të na dukej pa mbarim. Ishte një muzg i gjatë, me një perëndim të shpejtë të diellit dhe me një përflakje të ngadaltë të qiellit. Përflakja erdhi më pas dhe vazhdoi shumë. Dukej sikur s’do vinte nata.

Nënat hapën dritaret dhe përflakja e qiellit hyri në shtëpitë tona. Ata matanë bënë të njëjtën gjë. Nga dritarja e shtëpisë sonë dukej mirë fshati matanë, kroi, pllaja ku luanin fëmijët, varret e përbashkët­a. Gurët, ku ishte caktuar kufiri, ishin më poshtë, nën arën e Avdi Mazes. Atje ishte një arrë dhe sipër saj gorricat e dardhat që, pa gjethe, dukeshin njëlloj.

-E hapi Mexhitja penxherenë, - tha nëna që, e ulur në minder, vështronte fshatin matanë.

Pastaj erdhi nata. Një natë e zezë pis. Ishte nata e parë kur ndiem një si boshllëk, diçka të shkëputur nga vetja.

-Më dhembën mishrat mbrëmë, - dëgjova të thoshte nëna në mëngjes.

Të nesërmen kalova dhe qëndrova gjithë paraditen në fshatin matanë. Të pasnesërme­n gjithashtu. Dukej sikur s’kishte ndodhur gjë. Po kjo s’vazhdoi gjatë. Pesë ditë pas vënies së kufirit, aty nga mesdita, erdhën ushtarët e huaj. Ishin 10. Ushtarët e huaj u morën me rregullimi­n e çadrës që u vendos në pllajën ku luanin fëmijët. Pa rënë akoma muzgu, pesë prej tyre u shpërndanë gjatë kufirit. Të nesërmen ata penguan gratë e fshatit tonë të mbushnin ujë në çezmën matanë. Po atë ditë nuk lejuan plakën Mexhite të vinte këtej nga ne. Ajo u ul në monopatin mbi çezmë dhe qëndroi atje mbi një orë.

-Do të zbres poshtë, - tha nëna. - Do të vete të llafosem me Mexhiten.

Me nënën shkuan edhe plaka të tjera. Plakat e fshatit qëndruan në këmbë. Matanë qëndronin plaka Mexhite dhe plaka të tjera. Ato folën me radhë, ashtu më këmbë, e pyetën për njerëzit, për shëndetin e tyre. U ndanë vonë nga njëra- tjetra. Këto biseda vazhduan edhe ditë të tjera, derisa një ditë ushtarët e huaj i ndaluan. Pas kësaj vazhduan një ditë, dy, tri katër, pesë ditë heshtje. Asnjë lajm nga ata matanë, asnjë bisedë. Dhe pas pesë ditësh matanë u dëgjua një këngë. Ishte pasdite.

-Hape dritaren, - tha nëna. – Ç’është ai që këndon?

Hapa dritaren dhe i vura veshin këngës.

-Ka lindur djalë, - thashë unë. –Ka lindur djalë nusja e Azemit.

Këtë e thoshte kënga. Pastaj përsëri një këngë tjetër dhe një lajm tjetër: plaka Mexhite ishte e sëmurë.

-E shkreta Mexhite, - psherëtiu nëna.

Ushtarët e huaj lëviznin në muzg, ndërsa kënga, kënduar me zërin paksa të trashë, dëgjohej mirë e pastër. Kështu ndodhi edhe më pas. Ata matanë flisnin me këngë për të rejat e fshatit, na pyesnin për pleqtë dhe shëndetin e tyre, për dasmat që do të bënin. Të njëjtën gjë bëmë edhe ne. Ditën e parë lajmet me këngë i dha Sulo Dinia. Ai këndoi në vendin që ne e quajmë “Shtegu i Dhive” e që ndodhet përballë fshatit matanë. Ditët e tjera, me radhë, ata që kishin zë të plotë. Më kujtohet atë ditë, kur kënga matanë u dëgjua jo pasdite, si zakonisht, po në mëngjes. Nëna doli në dritare, i mori erë manxuranës dhe diç dëgjoi. -Ç’thotë? – pyeti nëna.

-Mbylle dritaren, - thashë, - Është ftohur koha. -Ç’haber jep kënga? – tha nëna.

-Është ftohur koha, - thashë.

-S’dëgjoj mirë, - vazhdoi nëna.

- M’i shkoqit ato fjalë që thotë kënga.

Unë e luta prapë të mbyllte dritaren. Matanë, në pllajë, ai këndonte e këndonte, ndërsa nëna qëndronre në këmbë me degët e manxuranës në duar.

-E mora vesh. – tha nëna, - Ka vdekur plaka Mexhite.

Degët e manxuranës i ranë nga duart. Matanë kënga kishte pushuar.

Kështu kaluan muajt... Erdhi pranvera. Erdhën zogjtë dhe ikën. Dhe një ditë, në të hyrë të vjeshtës së dytë, këngët matanë nuk u dëgjuan më. Kur ne kërkuam me këngë të dinim përse heshtën ata, u dëgjua zëri i ushtarit të huaj dhe një krismë e thatë pushke. Pritëm. S’kaloi shumë, kur një ditë, u dëgjuan në disa vende matanë jo një këngë, po disa. Zërat e atyre që këndonin përziheshi­n me erën që frynte e fjalët vinin dallgë-dallgë te ne. Ata kishin kaq shumë për të na thënë, pas asaj heshtjeje të gjatë. Kishin ndodhur 5 lindje dhe 10 martesa... Një tjetër foli për ushtarët e huaj që i kishin penguar për të kënduar e për të komunikuar me këngën... Kënga atë ditë vazhdoi gjatë, derisa ra muzgu... Dritaret e fshatit tonë i mbajtëm hapur deri vonë atë natë. Qëndroja në dritare duke vështruar jashtë nëpër muzg e më ngjante se një si mjegull e hollë e tejdukshme, i kishte mbuluar, si pa dashje, vargjet e këngëve që sapo ishin kënduar. Kështu më dukej. Ishte dhimbja? Ndoshta diçka tjetër përtej dhimbjes që thyen edhe gurin e jo më zemrën...

... Vetëtima të largëta, të largëta, shiheshin në muzgjet dhe netët e vjeshtrave që erdhën dhe pas tyre ca bubullima, sikur dilnin nga shkëmbinj a thellë nga dheu. Mbaj mend, se në net të tilla plakat e moçme hapnin dritaret, qëndronin për një kohë të gjatë atje, si për të dëgjuar një si “ah” të thellë e pastaj, duke mbyllur dritaret, flisnin për dhimbjen e dheut dhe prisnin këngët që do të vinin të nesërmen nga matanë. Enver Kushi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania