Gazeta Dita

VETËM NË XHUNGËL KA LIRI TË PAKUFIZUAR

-

Në këtë rubrikë do vazhdoni të lexoni poezi nga arkiva e Arbenit

Sa filloj të shkruaj, në mendje më bie, se njeriu është, një kafshë me arsye!

Dhe mund të besojmë, që Zoti na talli, brenda tija rrojnë, engjëlli dhe djalli!

Pa menduar shumë, mund t’i kem përgjigjet, për të mundur djallin, njerëzit shpikën ligjet!

Dhe po ta shikojmë, gjithë historinë, çdo ligj që është shkruar, kufizon lirinë!

Miliona shembuj, dhe mund të shpalos, Dhjetë Urdhrat e Zotit, fillonin me: “Mos!”

E kupton në çast, dhe me pakëz dije, “Mos”-është urdhërore, kufizim lirie!

Një det mençurie, erdhi nga të vjetrit, më shumë rëndësi, ka liri e tjetrit!

Njëri mendoi, më shumë për të ligën, ndaj njëlloj me ligjet, dhe burgjet u shpikën!

Për shpikjen e burgut, Bota s’është penduar, se nuk ka liri, të pakufizuar!

Burgosja ja ndal, vrullin marrëzisë, ndaj dhe ndryshe quhet: “Heqje e lirisë!”

Ligji e ka mbajtur, në zap njerëzinë, shteti vetë është mjeti, që e ndrydh lirinë!

Askush s’mund të bëjë, si të dojë vetë, kjo gjithmonë ka qenë, dhe kështu do jetë!

Shteti i së drejtës, dhe i së vërtetës, është një garant, për lirinë e jetës!

Shteti është shpikur, si një dhunë ndaj dhunës, po dhe për të qenë, një garant i punës!

Një shtet më i drejtë, ju desh njerëzimit, garant kundër shtypjes, edhe shfrytëzim­it!

Një shtet për njeriun, është vërtetë i mirë, kur është garant, dhe i fjalës së lirë!

Po ti s’je i lirë, dhe kjo s’diskutohet, nëse fjala jote, asgjëkund s’dëgjohet!

Është e mjeruar, jeta pa liri, po liri e xhunglës, është anarshi!

Pa ligje dhe burgje, ka veç anarshi, ndaj s’ka e s’do ketë, liri pa kufi!

Ky rregull i rreptë, kurrë s’do ndryshohet, se shpesh do njeriu, atë që ndalohet!

Po në ato vende, që ka drejtësi, është e sigurt, që ka dhe liri!

Në dy rreshta mblidhet, histori e tërë, jo të bësh çfarë do, po çfarë duhet bërë!

27 Gusht, 2016

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania