Gazeta Dita

POEZI TË NDRYSHME

-

1. Ç’ma zunë frymën…

Ç’ma zunë frymën pallatet e zhgërryera, dhe tymi i zi i makinave, ku jini agime labovite të shkëlqyera, nga vesa dhe aroma e trëndelina­ve?

Ç’ma zunë frymën intrigat e maskarenjv­e, dhe krekosja e pështirë e debilave, ku jini pyjet e thellë të Labovës, ku nuk pushon simfoni e bilbilave?

Ç’të bëj këtu akoma?!…

Të grindem e me veten time të grisem, ku Tiranës vulgu i thotë Tirona, ku unë rri si idiot-e s’arratisem!

26.05.2004 2. Për kë i shkrova këngët?!

Ah-veshët na gjëmojnë, nga palla e gomerëve, sa s’mund as të dëgjojmë, vajtimin e të mjerëve.

Një psherëtimë e thellë, më drithëron nga rrënjët: “I mjeri unë-i mjeri, për kë i shkrova këngët?!…”

Për kë-për kë i shkrova, gjëmon si ankth tek gjiri, ah-derrat zbukurova, me lule xhevahiri!

26.04.2005 3. Shpirt njeriu

Unë me shpirt-shpirtin e ruaj, që nga zjarret mos më tretet, ju po falët shpirtin tuaj, veç kufoma do t’ju mbetet.

Dhe kur mbetesh veç kufomë, bëhesh lodër çilimiu, jo më kot Zoti krijoi, në fillim një Shpirt Njeriu!

25.05.2004 4. Kjo Botë…

Kjo Botë e shkretë që rënkon, mbushur me njerëz të egër, ku dhe miku e mikja kërkon, çdo çast të të hanë si kuçedër.

Kjo botë e shkretë-shpellë e errët, mendo pastaj për të tjerët!

5. Burrë i mërzitur

Mërzitja më ka kapur, si rrjetë merimange, më rrahin tëmthat fort, më rrahin si çomange.

Krejt koka më buçet, si shkrepje eksplozivi, dhe sytë më janë ngjyer, me bojë kopjativi.

S’e di në të vërtetë, nga jeta ç’kisha pritur, tani e di që jam, një burrë i mërzitur.

Ti që më shton mërzinë, mos dil kaq shpesh përpara, se burri i mërzitur, qëllon të bëjë hatara.

16.05.2004 Botuar në Dita, 28 Gusht 2016

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania