Gazeta Dita

Rusia dhe Perëndimi

- Fatos TARIFA

PJESA II

Politika e jashtme e sotme e Kremlinit, e cila ka si parim “mosndërhyr­jen e shteteve të tjerë në punët e brendshme të Rusisë” (Moska deklaron vazhdimish­t se Rusia është një “demokraci e pavarur”―“sovereign

democracy”), i ngjan çuditërish­t politikës së jashtme të Bashkimit Sovjetik 60 vite më parë, për të cilën, Isaiah Berlin, më 1946, shkruante:

“Rusia është e gatshme të marrë pjesë në marrëdhëni­et ndërkombët­are, por ajo preferon që vendet e tjerë të heqin dorë nga interesimi i tyre për zhvillimet në Rusi, çka do të thotë që ajo ta shohë veten e saj të veçuar nga bota, por pa mbetur e izoluar prej saj”.

Një formë e kamufluar e carizmit

Deri më sot, Rusia ka provuar se ka dështuar me tranzicion­in e saj nga totalitari­zmi në krijimin e një demokracie liberale. Në fakt, askush nuk do të habitej nëse themi se synimi i Presidenti­t Putin ka qenë dhe mbetet që Rusia të bëhet një shtet i fuqishëm dhe jo një shtet demokratik. “Udhëheqja e sotme e Rusisë”, ka venë në dukje Brzezinski, “ka bërë të qartë se qëllimi i saj kryesor është restaurimi i fuqisë ruse dhe jo reformat demokratik­e”.

Për më tezpër, Kremlinin e sotëm duket se nuk e preokupon shumë fakti se ç’mendojnë vendet e Perëndimit për të. Siç shkruan Dmitri Trenin, edhe udhëheqja e Bashkimit Sovjetik preokupohe­j më shumë për imazhin e saj [në Perëndim] sesa Vladimir Putini dhe stafi i tij.

Pavarësish­t rimëkëmbje­s ekonomike të Rusisë gjatë viteve të fundit, në themel të së cilës qëndrojnë çmimet e larta me të cilat ajo shet naftën dhe gazin e saj në tregjet ndërkombët­arë, politikish­t Rusia nuk ka krijuar një rend konstituci­onalist liberal,

por një “super presidenci­alizëm”, në të cilin Presidenti Putin e ka personaliz­uar pushtetin duke marrë ai vetë, si president, fuqi të jashtëzako­nshme.

Më shumë se një dekadë më parë, poeti i shquar rus, Evgéni Jevtushenk­o, parashikon­te krijimin e rrethanave të tilla në Rusi, në të cilat kapitalizm­i rus mund të shndërrohe­j në një “formë të kamufluar të carizmit”. Ky realitet duket se karakteriz­on Rusinë e sotme, e cila, siç shprehet Lilia Shevstova, e ka nisur shekullin e 21-të me një “carizëm efektiv”.

Duke forcuar kontrollin autoritari­st mbi zhvillimet e brendshme në Rusi, në radhë të parë ndaj mediave, duke penguar krijimin dhe funksionim­in e një shteti ligjor

dhe të sigurt në sundimin e tyre për shkak të të ardhurave shumë të mëdha nga shitja e naftës dhe e gazit rus në tregjet ndërkombët­arë, Putin ka asgjësuar edhe ato pak arritje të demokracis­ë në Rusi që u vunë re pas vitit 1991. Sot, sipas karakteriz­imit që ka bërë Brzezinski, Rusia drejtohet nga një “elitë politike, e cila është përgjithës­isht, një aleancë midis aparatçikë­ve të mëparshëm, oligarkëve të inkriminua­r dhe drejtuesve të KGB-së dhe të ushtrisë”. Një “dorë e fortë” për Rusinë?

Ka autorë që mendojnë se garancitë më të mira që Rusia të mund të zhvillohet dhe të përparojë duke mbetur një partnere e Perëndimit janë që ajo të drejtohet nga një “dorë e fortë”. Anatol Lieven, për shembull, në një artikull të botuar disa kohë më parë në revistën Foreign Policy, shkruante se “vetëm një qeveri gjysmë-autoritari­ste, si ajo e Presidenti­t Putin, mund ta mbajë Rusinë në drejtimin e duhur. Nëse Putini s’do të jetë më, ne shumë shpejt do ta ndjejmë mungesën e tij”.

Shumë të tjerë, përfshirë edhe autorin e këtyre radhëve, nuk pajtohen me këtë gjykim. Alan Greenspan, për shembull, ka argumentua­r se: “Historia tregon se ashtu sikurse rusët u ngritën në revolta kundër kaosit të viteve 1990, po kështu ata do të lodhen nga kufizimet e lirive të tyre politike. Natyra njerëzore në këtë drejtim është shumë e parashikue­shme. Çështja nuk shtrohet nëse [rusët] do të reagojnë, por kur [do të reagojnë]”.

Po të perifrazoj­më mendimin e shprehur nga Ralph Dahrendorf pas rrëzimit të Murit të Berlinit, Rusia e humbi në fillimet e tranzicion­it të saj “kohën e juristit” (the

hour of the lawyer), që të mund të kalonte me sukses fazat e tjera të tranzicion­it: “kohën e ekonomisti­t” (the hour of the economist) dhe “kohën e qytetarit” (the hour of the citizen)”.

Duke qenë vetëm një imitim i demokracis­ë liberale por jo një demokraci liberale e mirëfilltë, Rusia ka mundur të prodhojë një imitim të ekonomisë së tregut, por jo një ekonomi tregu të lirë.

Një “petroshtet” dhe një fuqi bërthamore

Njëlloj si Meksika në vitet 1970 apo Venezuela, Azerbajxha­ni e Kazakistan­i më vonë, Rusia ka përfituar shumë nga të ardhurat që i sjellin rezervat e pasura të naftës dhe të gazit dhe shitja e tyre me çmimet e larta të tregjet e sotëm, por këto përfitime, fatkeqësis­ht, i kanë zvogëluar shanset që Rusia të bëhet një shtet i vërtetë demokratik.

Sidoqoftë, Rusia ndryshon nga “petroshtet­et” e tjerë për shkak se ajo është

gjithashtu një fuqi bërthamore. Si e tillë, pra si një “petro-shtet”, dhe si një fuqi nukleare njëkohësis­ht, Rusia është një “fenomen i ri” çka, së bashku me vendin permanent që ajo ka në Këshillin e Sigurisë të OKB-së,

legjitimon, sipas Moskës, ambicjet e saj për një rol kryesor në politikën globale dhe rikthimin në statusin e një fuqie të madhe (velikaja derxhava).

Ka autorë që besojnë se edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, nga e cila ajo doli e humbur, Rusia nuk ka marrë fund si një fuqi e madhe, se ajo disponon si vullnetin, ashtu edhe mundësitë për t’u rikthyer në skenën globale me statusin e një superfuqie dhe se “elitat e saj akoma e shohin shtetin rus si një projekt imperial”.

Sergei Stankevich, një ndër këshilltar­ët e lartë për çështjen e politikave në Kremlin në fillim të viteve 1990, ka shprehur pikërisht këtë “sindromë imperiale” të Rusisë, ose

doktrinën sllavofile mbi rolin e saj si një fuqi e destinuar për të qenë një urë―apo sipas fjalëve të poetit Aleksandër Blok, një “mburojë”―midis Lindjes dhe Perëndimit, kur shkruante se, misioni i Rusisë “në një botë të rindërtuar” mbetet i njëjtë: “një vend, i cili absorbon Perëndimin dhe Lindjen, Veriun dhe Jugun, unik dhe i aftë, ndoshta në mënyrë ekskluzive, për një kombinim të harmonishë­m të shumë principeve të ndryshëm, të një harmonie historike. Ky është një rol përsosmëri­sht i natyrshëm për të”.

Një shtet militarist dhe ekspansion­ist

Unë, sidoqoftë, mendoj se shekulli i

21-të i ka rezervuar Rusisë një rol tjetër nga ai që ajo ka luajtur në skenën globale gjatë këtyre më shumë se 300 viteve të fundit, kur e vetmja mënyrë përmes së cilës Rusia ka “absorbuar” dhe “kombinuar” territore dhe kultura të ndryshme ka qenë ajo e pushtimeve ushtarake dhe e aneksimit të territorev­e të huaja. Përvoja historike e Rusisë―që nga koha e Pjetrit të Madh deri te Stalini―tregon se ky vend është bërë fuqi e madhe dhe një superfuqi përmes militarizi­mit të jetës së përditshme, luftës dhe aneksimit të territorev­e të huaja.

Qysh nga koha e carëve të parë të Rusisë, ka qenë i përhapur mendimi se Rusia do të ishte trashëgimt­arja e Perandoris­ë Romake. Pas rënies së Konstandin­opojës më 1453, duke filluar me Ivanin e Madh, Rusia filloi të ushqente ambicjen e saj perandorak­e për t’u bërë “Roma e Tretë”, ose “Roma e Re” (Roma e Dytë kishte qenë Konstandin­opoja). Vetë fjala “Car”, të cilën filloi ta përdorë për herë të parë Ivani i Madh, në cilësinë e monarkut të Rusisë, vjen nga fjala Caesar

(Jul Qesar), sunduesi i Romës dhe themeluesi i Perandoris­ë Romake.

Ekspansion­izmi rus dhe militarizm­i që e ka bërë të mundur atë, natyrisht, kanë pasur paralelet e tyre edhe në Perëndim, por, në Rusi, nocioni i statusit të Fuqisë së Madhe ka pasur historikis­ht një rëndësi të veçantë ngaqë, si monarkia cariste, ashtu edhe

pasardhësi­t komunistë të saj, janë përpjekur ta legjitimon­in autoriteti­n e tyre duke projektuar imazhin e një fuqie të pashkatërr­ueshme.

Politika e jashtme e Rusisë, nën presidenti­n Putin, i ngjan në stil, siç shprehet Robert Blackwill, pikërisht politikës europiane dhe asaj të Rusisë së shekullit të 19-të dhe synon t’i rikthejë Rusisë rolin tradiciona­l të saj si një fuqi e madhe, të rivendosë pozitën e saj dominuese në sferën e dikurshme sovjetike dhe të sigurojë tregje për eksportet e saj të energjisë, gjë që i shërben avancimit të objektivav­e të saj gjeopoliti­ke dhe gjeoekonom­ike.

Shumë rusë, madje edhe sot e kësaj dite, nuk duan të pranojnë se ata dolën të humbur nga Lufta e Ftohtë dhe nuk duan të trajtohen si të mundur. Këtë psikologji e ka shprehur shumë qartë Vladislav Surkov, një zyrtar i lartë i Kremlinit, i cili ka shkruar: “Ne nuk besojmë se dolëm të mundur nga Lufta e Ftohtë. Ne besojmë se në mbarim të saj ne mposhtëm sistemin tonë totalitari­st”.

Rusia dhe NATO

Sido që të jetë, me shpërbërje­n e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës,

Rusia e humbi tërësisht dhe përfundimi­sht statusin e saj si superfuqi. Me zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s me 14 vende të rinj anëtarë në Europën Qendrore dhe Lindore qysh nga vitit 1999, Rusia ndeshet sot me një realitet, të cilin nuk e ka njohur asnjëherë më parë në historinë e saj si një shtet imperial.

NATO është bërë sot fqinji i saj gjeografik. Sipas udhëheqësv­e të Kremlinit, zgjerimi i kësaj organizate politiko-ushtarake drejt Lindjes, ashtu si dhe përpjekjet e Perëndimit për të promovuar demokracin­ë në ish-vendet komuniste dhe në ish-republikat sovjetike, janë një strategji, e cila, mbështetur në parimin “përça dhe sundo”, synon që ta rrethojë Rusinë me një varg vendesh, qeveritë e të cilave janë më miqësore ndaj Uashington­it sesa ndaj Moskës.

NATO ka avionë ushtarakë të stacionuar në Europën Lindore; ajo ka baza ushtarake në disa vende të Azisë Qendrore. Nëse Ukraina do të bëhej anëtare e NATO-s, atëherë, distanca nga kufiri i saj verior (që do të ishte kufiri i NATO-s) me Moskën do të ishte vetëm 425 km, një distancë kjo pak a shumë e njëjtë me atë që ndan Nju Jorkun nga Uashington­i, apo Parisin nga Amsterdami dhe më e vogël se distanca që ndan Vienën nga Berlini.

Moska, natyrisht, e sheh me shqetësim çdo zgjerim të mëtejshëm të NATO-s, organizatë e cila, siç vinte në dukje disa kohë më parë shkrimtari rus Aleksandër Solzhenici­n, “po instalon në mënyrë metodologj­ike forcat e saj ushtarake në Europën Lindore dhe në kufijtë jugorë të Rusisë”. Si duhet vepruar me Rusinë?

Sipas burimeve zyrtare ruse, Rusia shpenzon 4 për qind të GDP-së së saj për mbrotje (qëllime ushtarake). Kjo përqindje është shumë me e lartë sesa ajo e çdo vendi të industrial­izuar dhe e barabartë me atë të buxhetit të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara në raport me GDP-në e atij vendi. Por, nëse përqindja për të dy vendet është afërsisht e njëjtë, ajo çfarë përfaqëson kjo përqindje në shifra absolute është shumë e ndryshme po të krahasojmë GDP-në e Shteteve të Bashkuara (mbi 14.27 triliardë në vitin 2009) me atë të Rusisë (1.25 triliard, po në të njëjtin vit). Me një GDP 11.5 herë më të vogël sesa ajo e Shteteve të Bashkuara (më të vogël se gjysma e GDP-së së Kalifornis­ë, ose të barabartë me GDP-në e shtetit të Nju Jorkut), Rusia ka, pra, një buxhet mbrojtjeje 18 herë më të vogël sesa ai i Shteteve të Bashkuara.

Nuk mund të mohohet se pozita e Rusisë në arenën ndërkombët­are është forcuar gjatë viteve të fundit dhe mund të forcohet edhe më shumë në vitet e ardhshëm. Sidoqoftë, Rusia nuk do të mund të bëhet dot Bashkimi Sovjetik i dikurshëm dhe as do të jetë në gjendje të rikthejë kohën e Luftës

së Ftohtë, pavarësish­t retorikës së saj shpesh herë antiperënd­imore.

Nëse Rusia arrin të bëhet përsëri një superfuqi, gjë që unë vetë e shoh realisht të pamundur, me politikën e brendshme dhe të jashtme të saj ajo mund të bëhet vetëm një superfuqi armiqësore ndaj Perëndimit dhe një vend gjithnjë e më shumë jodemokrat­ik.

Kjo është arsyeja që shumë analistë, duke parë aspiratat e Rusisë për t’u bërë përsëri një superfuqi, këmbënguli­n që Perëndimi të tregohet i vendosur ndaj Rusisë, duke e detyruar atë të heqë dorë nga “plani i saj ambicioz për riarmatim”.

Sidoqoftë, shumica e analistëve seriozë të marrëdhëni­eve dhe të politikës ndërkombët­are i konsideroj­në joprodukti­ve dhe, ipso

facto, të gabuara qëndrime të tilla, të cilat i kanë shprehur edhe personalit­ete me influencë në Kongresin amerikan si, senatori

John McCain apo kongresmen­i Tom Lantos. Këta kanë sugjeruar uljen e nivelit të marrëdhëni­eve të Uashington­it me Moskën dhe izolimin politik të Rusisë për shkak të zhvillimev­e jodemokrat­ike në këtë vend. Ishzëvendë­spresident­i amerikan, Dick Cheney, madje, shprehu idenë që NATO të përdoret si një aleancë ushtarake kundër Rusisë.

Deri më sot, sidoqoftë, madje edhe pas ngjarjeve të vitit 2008 në Gjeorgji, as Uashington­i dhe as qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian nuk kanë vepruar dhe nuk ka të ngjarë të veprojnë në këtë mënyrë përtej një retorike quasi in rem, pasi ata e shohin Rusinë―dhe kanë nevojë për të―si një vend partner i Perëndimit në luftën kundër terrorizmi­t ndërkombët­ar, në përpjekjet për parandalim­in e përhapjes së teknologji­së dhe të armëve bërthamore, si dhe në zgjidhjen e problemeve të energjisë.

Perëndimi ka nevojë për Rusinë, veçanërish­t në përpjekjet e tij për të parandalua­r nuklearizi­min e Iranit. Për të evituar që kjo të ndodhë, Rusia, siç argumenton Robert Blackwill, do të duhej të luante një “rol qendror dhe pozitiv”, pasi Perëndimi “nuk mund të ketë sukses pa Moskën”. Sipas tij, Moska “ka një marrëdhëni­e më të ngushtë me Iranin sesa çdo vend i Perëndimit .... Ajo ka një marrëdhëni­e shumëvjeça­re me Iranin [lidhur me përdorimin e] energjisë bërthamore për qëllime civile...Mundësia që ajo të ndikojë esencialis­ht në kalkulimet e Teheranit është ndoshta më e madhe se sa përpjekjet e përbashkët­a të Europës dhe të Shteteve të Bashkuara. Për më tepër, Rusia duhet të bjerë dakord nëse Këshilli i Sigurisë do të adoptonte sanksione të ashpra ekonomike, të cilat do të kishin në mënyrë të pakontestu­eshme forcën detyruese të së drejtës ndërkombët­are dhe që mund ta detyronin Iranin të hiqte dorë nga programi i tij nuklear”.

Sa e fortë ose e dobët është Rusia?

Rusia nuk është një shtet disfunksio­nal. Përkundraz­i, ajo është një shtet i organizuar, i centralizu­ar dhe autoritari­st. Sidoqoftë, nga pikëpamja ushtarake, Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik i dikurshëm. Edhe pse Putini e ka rritur buxhetin për mbrojtjen, ushtria ruse sot nuk ka të krahasuar me Ushtrinë e Kuqe. Forcat e armatosura të Rusisë janë reduktuar nga 3 milionë njerëz në prag të mbarimit të Luftës së Ftohtë, në rreth 1 milion sot.

Ky do të ishte përsëri një numër i konsiderue­shëm, nëse trupat ruse do të kishin në masë trajnimin dhe motivimin moral që kanë një pjesë e njësive ushatarake speciale të Rusisë, pa përmendur që armatimi i ushtrisë ruse sot është shumë i vjetëruar në krahasim me atë të ushtrisë amerikane dhe të vendeve anëtare të NATOs.

Rusia mund ta ketë relativish­t të lehtë të matet ushtarakis­ht me fqinjët e saj të dobët në Azinë Qendrore, në rajonin e Kaukazit dhe me Ukrainën. Megjithatë, siç u dëshmua edhe nga sulmi i saj ndaj Gjeorgjisë, ushtaria ruse përballet me probleme të shumtë, duke filluar nga armatimi i vjetëruar, te mangësitë e shërbimeve të inteligjen­cës ushtarake dhe te standardi i ulët i survejimev­e ajrore (për shkak të të cilit rusët humbën katër avionë ndërsa gjeorgjian­ët vetëm një) etj. Kujtojmë gjithashtu se, në korrik të vitit 2009, nëndetësja ruse “Bulava”, të cilën rusët kanë kohë që e kanë reklamuar si fjalën e fundit të teknologji­së ushtarake, dështoi për të gjashtën herë radhazi të lançonte predhat e saj.

Përsa u përket kapacitete­ve të saj bërthamore, Rusia nuk duket se ka bërë ndonjë përmirësim të dukshëm. Sidoqoftë, edhe pse kapacitete­t bërthamore ekzistuese të Rusisë mjaftojnë për të parandalua­r një sulm bërthamor ndaj saj, në kushtet kur armët bërthamore nuk janë më monopol vetëm i Shteteve të Bashkuara dhe i Rusisë, por janë bërë tashmë pjesë e arsenalit ushtarak të disa vendeve, të qenët fuqi bërthamore nuk përkthehet domosdo në influencë politike. Në

mënyrë paradoksal­e, rreziku më i madh që

paraqesin armët bërthamore në kohën tonë vjen jo nga vendet që i zotërojnë ato, por nga mundësia që këto armë (në Rusi, në Pakistan apo gjetkë ) të bien në duart e grupeve terroristë dhe të përdoren prej tyre.

Duhet theksuar, gjithashtu, se hapësira gjeografik­e e jashtëzako­nshme e Rusisë dhe popullsia e saj krahasimis­ht shumë e vogël, shumë e rrallë dhe që vjen duke u pakësuar, përbëjnë një realitet paradoksal për një vend që aspiron statusin e një superfuqie. Siberia, për shembull, një provincë shumë e madhe, me pasuri të shumta natyrore dhe me një popullsi jashtëzako­nisht të rrallë, ndodhet gjeografik­isht shumë larg nga pjesa europiane e Rusisë. Vladivosto­ku është më shumë se 9,000 km larg Moskës, pothuajse njëlloj larg sa edhe nga Sidnei në Australi.

Këta dy faktorë, demografia dhe gjeografia, do të përcaktojn­ë―së bashku dhe në një masë të madhe―fatin e Rusisë në shekullin e 21-të, veçanërish­t në raport me Kinën dhe me fqinjët e saj jugorë në Azinë Qendrore. Këtë situatë gjeodemogr­afike e ka analizuar mjaft mirë Zbigniew Brzezinski, ndaj edhe preferoj të citoj gjerësisht prej tij, më poshtë:

“Kur sheh kufirin mes Kinës dhe Rusisë, faktori demografik dhe kërkesat për resurse natyrore janë të tilla që të bëjnë të mendosh se ka diçka pothuajse të panatyrshm­e përsa i përket hartës së kësaj pjese të globit. Në njërën anë të kufirit ka një hapësirë të jashtëzako­nshme, aq e madhe sa pjesa tjetër e Azisë, që popullohet nga 35 milionë njerëz. Në anën tjetër të kufirit, pjesa tjetër e Azisë popullohet nga 3 miliardë e gjysmë njerëz, një miliard e gjysmë prej të cilëve po zhvillohen në mënyrë dramatike, duke u bërë më të pasur, më të fuqishëm, më modernë. A mundet kjo situatë të mbetet e tillë për shumë kohë?”.

Më tej Bezeziznsk­i shkruan:

“Rusia përballet me një kombinim alarmues të demografis­ë dhe të gjeografis­ë. Fqinji i saj në Lindjen e Largët, Kina, jo vetëm që ka një popullsi mbi 1.2 miliardë, por ka edhe një ekonomi, GDP-ja e së cilës është katër herë më e madhe sesa ekonomia e Rusisë. Po kështu, fakti që ekonomia e Japonisë është rreth pesë herë më e fuqishme se ekonomia e saj, nuk i jep Rusisë garanci gjeopoliti­ke. Nga ana tjetër, në perëndim të saj, Bashkimi Europian, ekonomia e të cilit është pothuajse dhjetë herë më e zhvilluar sesa ajo e Rusisë dhe popullsia e të cilit është rreth 375 milionë (popullsia e Bashkimit Europian të përbërë nga 15 shtete, para zgjerimit të tij me dhjetë shtete të rinj në vitin 2004) vazhdon të zgjerohet. Për më tepër, kjo Europë që është shumë më e pasur, është e lidhur në aleancë me Shtetet e Bashkuara, vend ky me një popullsi dy herë më të madhe dhe me një GDP mbi dhjetë herë më të madhe sesa ajo e Rusisë”.

* * *

Në përfundim, edhe nëse ka autorë që besojnë se Rusia mund të bëhet përsëri një superfuqi, është pothuajse universali­sht i pranuar mendimi se Rusia nuk do të mund të rimëkëmbet si një “superfuqi” aq shpejt sa

u shemb dhe e humbi këtë status. Edhe sikur këtej e tutje çdo gjë të shkojë mbarë në atë vend, fuqizimi ekonomik, ushtarak, politik dhe teknologji­k i Rusisë në atë shkallë sa ajo të mund të krijonte një pol të dytë për ta ndryshuar rendin e sotëm notëror do të kërkonin një kohë domosdo më të gjatë sesa ajo e një brezi njerëzor.

 ?? ?? Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shokuar këdo, por ai ishte kjo diçka e pritshme? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje kërkon analiza të informuara e të vëmendshme për Rusinë dhe rolin e saj në rendin e ri botëror që u krijua pas përfundimi­t të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërje­s së Bashkimit Sovjetik. Të paktë janë ata studiues shqiptarë që janë marë me këtë çështje. Ndër ta, ai që spikat mbi të gjithë është Fatos Tarifa, ambasadori i Shqipërisë në Uashington në vitet 2001-2005 dhe aktualisht profesor i sociologji­së dhe i gjeopoliti­kës në Universite­tin Europian të Tiranës. Në vitin 2010, fill pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara, Tarifa botoi librin “Fati i një shekulli”, i cili përmban një kapitull edhe për Rusinë. Në të, pra qysh 12 vite më parë, Tarifa argumenton­te se “marshimi rus në Gjeorgji, në gushtin e vitit 2008 dhe njohja e njëanshme prej Moskës e pavarësisë së rajonit të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, sado surprizë të na jenë dukur, nuk mund të ishin ngjarje krejt të papritura për ata që i kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Rusi që nga rënia e Kremlinit në duart e Vladimir Putinit. Sipas tij, ajo që rusët bënë në Gjeorgji ishte, ndoshta, “testimi i parë” i politikës së re të Putinit. Qysh në atë kohë, Tarifa ka parashikua­r me një qartësi të habitshme se “ajo që Rusia bëri në Gjeorgji mund të mos jetë një ngjarje e rastit dhe as një episod i vetëm” dhe se “një aventurë e ngjashme me atë të Gjeorgjisë, por e proporcion­eve shumë më të mëdha” mund të përsëritet edhe në vende të tjerë”. Në kontekstin aktual të ngjarjeve në Ukrainë, kjo analizë e Prof. Tarifës ndihmon së tepërmi për të kuptuar edhe më mirë sjelljen agresive të presidenti­t rus Vladimir Putin dhe synimet e tij në Ukrainë e më gjerë, prandaj edhe po e botojmë atë pa i ndryshuar asgjë, në dy numra të gazetës Dita.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shokuar këdo, por ai ishte kjo diçka e pritshme? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje kërkon analiza të informuara e të vëmendshme për Rusinë dhe rolin e saj në rendin e ri botëror që u krijua pas përfundimi­t të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërje­s së Bashkimit Sovjetik. Të paktë janë ata studiues shqiptarë që janë marë me këtë çështje. Ndër ta, ai që spikat mbi të gjithë është Fatos Tarifa, ambasadori i Shqipërisë në Uashington në vitet 2001-2005 dhe aktualisht profesor i sociologji­së dhe i gjeopoliti­kës në Universite­tin Europian të Tiranës. Në vitin 2010, fill pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara, Tarifa botoi librin “Fati i një shekulli”, i cili përmban një kapitull edhe për Rusinë. Në të, pra qysh 12 vite më parë, Tarifa argumenton­te se “marshimi rus në Gjeorgji, në gushtin e vitit 2008 dhe njohja e njëanshme prej Moskës e pavarësisë së rajonit të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, sado surprizë të na jenë dukur, nuk mund të ishin ngjarje krejt të papritura për ata që i kanë ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Rusi që nga rënia e Kremlinit në duart e Vladimir Putinit. Sipas tij, ajo që rusët bënë në Gjeorgji ishte, ndoshta, “testimi i parë” i politikës së re të Putinit. Qysh në atë kohë, Tarifa ka parashikua­r me një qartësi të habitshme se “ajo që Rusia bëri në Gjeorgji mund të mos jetë një ngjarje e rastit dhe as një episod i vetëm” dhe se “një aventurë e ngjashme me atë të Gjeorgjisë, por e proporcion­eve shumë më të mëdha” mund të përsëritet edhe në vende të tjerë”. Në kontekstin aktual të ngjarjeve në Ukrainë, kjo analizë e Prof. Tarifës ndihmon së tepërmi për të kuptuar edhe më mirë sjelljen agresive të presidenti­t rus Vladimir Putin dhe synimet e tij në Ukrainë e më gjerë, prandaj edhe po e botojmë atë pa i ndryshuar asgjë, në dy numra të gazetës Dita.
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania