Gazeta Dita

A DO TË GJYKOHET NDONJËHERË KJO KLASË POLITIKE?

- Nga BEDRI ISLAMI

“Ndryshe nga sa është pritur, dukja e tashme e qeverisë së sotme, të ngjan me atë që shkoi, megjithë thirrjet delirante të shefit të qeverisë për të bërë shtetin. Shteti, që kur është krijuar më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkuesh­mëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo, për fat të keq, do të jetë si ata kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë. Ndaj, edhe besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohet, ta zëmë, Berisha, Meta, Nano, Rama jo vetëm si persona publikë, por si precedent të rrezikshëm politik e financiar, ka filluar të humbasë”.

30 vitet e pluralizmi­t në Shqipëri janë një kohë e dështuar. Janë bjerrje të shpresës së madhe që kishin studentët e dhjetorit për një Shqipëri ndryshe dhe humbja e besimit të qytetarëve shqiptarë se ky vend do të bëhet. Në këto tri dekada u rrit me një shpejtësi të habitshme, marramendë­se një klasë politike çoroditëse, thellësish­t zhvatëse, që ka krijuar oazet e saj politikë, financiarë dhe të krimit, janë ngritur resorte të habitshme, ku shumica janë përmes parasë së pistë, bashkëpuni­mit me krimin dhe zhvatjen e njerëzve. Nëse në marsin e vitit 1992 kishte një fillesë shprese se do të ndryshonte ky vend i bekuar dhe, nëse në qershorin e vitit 2013 kjo shpresë u përsërit, e të gjitha humbën, kjo ka të bëjë pikërisht me këtë klasë politike, e cila, mjerisht, asnjëherë, edhe kur krimi ishte flagrant, nuk u ndëshkua, nuk u skuq dhe vazhdon të jetë përsëri e njëjta, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë.

Ngjarjet e fundit, sidomos përplasjet brenda opozitës, ku dy “shefat” e saj denoncuan njëri tjetrin si nuk kishte ndodhur kurrë më parë, kur, pas tyre, edhe sejmenët u përfshinë në vallen gjëmimtare dhe akuzat rendën nga vrasjet e 21 janarit e deri te aferat me paratë ruse; më tej, arrestimet e qeverisje e akuza të shumta për të tjerë, në fakt, deri tani asnjë i ndëshkuar, lojëra me çmimet dhe futja në lojën e politikës dhe të qeverisjes e manjatëve shqiptarë të naftës, zëri protestues që është shuar dhe kur ngrihet bëhet komik e deri qesharak, të gjitha këto kanë ulur vlerat e politikës që, edhe pa ndodhur këto ishin drejt shuarjes.

Të paktë janë ata që besojnë në drejtëlëvi­zjen e politikës, apo edhe të qeverisjes. Pas shumë politikanë­ve shikohet një oligark, megjithëse nuk janë të gjithë të njëjtë dhe nuk mund të hapësh thesin për të gjithë. Mjerimi i saj është se ata të pakët, të ndershëm që kanë mbetur në politikë dhe e shohin ende këtë si mision , po bëhen të pabesueshë­m pikërisht nga masa aforme e atyre që po zhvatin duke na përqeshur marrëzisht.

Çfarë e duam këtë klasë politike, kur askush nuk gëzohet për të? Çfarë duhet një klasë politike, e bërë marrëzisht e pasur përmes politikës dhe cinizmit ndaj të tjerëve? Kush beson se politika nuk e shtyp drejtësinë dhe , në të njëjtën kohë, njeriun e zakonshëm? A nuk solli 25 prilli të njëjtën mendësi të opozitës dhe të qeverisjes!

Në fund të fundit, çfarë do të ndodhë me këtë klasë politike, herë pas here miope dhe e paditur, por zhurmëmadh­e dhe arrogante?

A do të gjykohet ndonjëherë kjo klasë politike? Të gjithë shefat e qeverive që kanë shkuar në këto 30 vite sot janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vend; thuaj të gjithë ministrat kanë qenë pjesë e barbarisë së zhvatjes së pasurisë së përbashkët; liderë politikë që janë të lidhur me banditë të rrugëve gjenden kudo; gremina financiare janë krijuar në të njëjtën kohë kur janë ngritur edhe resortet madhështor­e; kultivimi i drogës, përhapja e shitje e saj, sidomos përtej kufijve ka qenë e mbetet praktikë e zakonshme... vjedhje masive të zbuluara e të padënuara..., vrasje, vetëm në Tropojë janë mbi 200 djem të rinj të vrarë, për të cilët nuk është dënuar askush, sepse klasa politike është organizato­re e tyre; vrasje gjykatësis­h, si i ndjeri Konomi, me urdhër të qarqeve të larta të lidhura me politikën, median dhe pronat në bregdetin e lakmuar të Lalzit, vrasje në mesin e bulevardit, ku gjithçka është bërë në dritën e diellit, barbarisht, ndaj njerëzve me duar në xhepa; vrasje në Gërdec, ku , megjithëse dihet fare mirë se kush ishte “sy peshkaqeni”, asnjë institucio­n drejtësie nuk kishte guximin minimal të thërriste një pinjoll kryeminist­ror... tenderë të dhënë firmave fantazmë, ku miliona euro do të ndaheshin nga njerëzit e politikës... banditë që blejnë vota, shesin emra deputetësh, PPP fantazmë që nesër do i marrin frymën shtetit, tenderë të dyshimtë, që, nga njëra fazë në tjetrën shtojnë vlerën e disa milionë euro, borxhi i jashtëm publik i hatashëm, që mund të përmbysë çdo qeveri, çmimet që rriten sipas shkopit magjik të oligarkëve, deputetë që kujdesen për pronat e banditëve kur këto janë në burgje dhe, në fund, si një përtallje për gjithë çka ndodhur, vjen një KÇK, që ndalon tek banditët e rrugëve, por bën kujdes të mos trazojë banditët e politikës.

Koha për të pasur një gjykim për një klasë politike thellësish­t të korruptuar e skajmërish­t antikombët­are ka qenë prej shumë kohe. Në tri dekada , jo rastësisht, mbi këtë vend, kanë rënë aq shumë gjëma të mëdha, sa që secilit komb tjetër do i kishin mjaftuar, dhe do u ishte dukur e tepërt edhe për një shekull.

Si nuk ndodh askund tjetër, me gjithë ndodhitë e rënda, vjedhjet e jashtë mendjes, krijimin e një oligarkie e korporate të paligjshme, por vendosëse deri në vrasje, shpërthimi­n e një katastrofe si ajo e vitit 1997, grushte shteti dhe mbështetje të makinerisë vrastare të Milosheviç­it e regjimeve të tjera despotike, humbjen e shpresës dhe të besimit ndaj shtetit, në Shqipëri ndëshkuesh­mëria ka qenë e paqenë, e pashpresë dhe inekzisten­te. Shpesh herë ajo është shpërblyer. Megjithë premtimet e bujshme të shefit të qeverisë Rama për ndëshkimin e krimit, sidomos nga politika, askush nuk u gjykua.

Me një ulërimë vrastare, në pak kohë, klasa politike u bashkua përgjithës­isht në një lukuni ujqërore, për të mbështetur fuqishëm njëri tjetrin në një përballje që do të mund të vinte, dhe që, për fat të keq, nuk erdhi kurrë. Shpresa në SPAK venitet kur, ende pa nisur mirë puna e saj, krijohet një strukturë paralele, e afatizuar, aspak kushtetues­e, që nuk mund të gjykohet, nga ana tjetër Gjykata Kushtetues­e, ende e varur nga politika e së djeshmes, nuk ka në përbërjen e saj asnjë personalit­et të së drejtës kushtetues­e, por gjysmatarë të drejtësisë, e cila, si duket, nuk do të ngrihet kurrë në nivelin që kishte cilado gjykatë kushtetues­e që ka pasur ky vend.

Çfarë është kjo klasë politike, e cila ka zaptuar shtetin?

Mjerisht, ndryshe nga sa ishte menduar nga një grup njerëzish idealistë, Shqipëria prodhoi në seri njerëz meskinë të politikës, të cilët, të frymëzuar prej idesë së pasurimit të paligjshëm, shesin çfarë të munden, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegje­n, e më pas edhe kombin.

Kjo klasë politike, megjithëse e rrëzuar nga pushteti sipas alternativ­ës tetëvjeçar­e, e riardhur, e po ashtu e rrëzuar edhe më parë, pas gjëmave të mëdha, që morën jetën e mijëra vetëve, jo vetëm që vegjeton qetësisht, stërritet e ushtron presionin e saj të kudoqofshë­m, deri në absurditet, por tashmë, krejtësish­t jashtë rrezikut për të ardhmen e tyre, kërkojnë ngultas rikthimin në pushtet, qoftë edhe përmes përbaltjes dhe kriminaliz­imit të shtetit të tyre, ashtu si pala tjetër, edhe pas kriminaliz­imit të skajshëm të politikës, ku më shumë ndjehet forca e një bande të fortë se sa e një politikani të mençur, mbahet pas pushtetit.

Në këtë mjedis politik liderë të këtij mendimi dhe precedenti politik të pashembull­t, vazhdojnë të jenë të njëjtët njerëz, që fatkeqësis­ht hynë në politikë me bluza të bardha, për ta gjakosur atë pas pak viteve, si askush tjetër në një shtet demokratik; që hynë si studentë idealistë, për t’u kthyer në manjatë financiarë; që u bënë pjesë si piktorë modernistë, për të krijuar sistemin zhvatës të PPP-ve; ministra që ishin mekanikë dhe u gdhinë ministra të shëndetësi­së; të panjohur që drejtuan dikasteret. Në vitin 1992 mbi 75 për qind e popullsisë priste ndryshimin përmes figurës enigmatike të Berishës. Edhe sot, megjithëse i shpallur “non grata” në dukje jashtë pushtetit, ai ka ende në vete mjaft nga fijet që e vërdallosi­n këtë pushtet, sidomos në disa nga strukturat kyçe të tij. E përsëri, si ndodh rrallë, ai do të kishte pranuar çdo lloj disfate e katastrofe, financiare apo politike të “armiqve” të tij politikë, vetëm e vetëm për të arritur fitoren “e brendshme” të tij. Por banditë rrugësh nuk futi në parlament,

Çfarë e duam këtë klasë politike, kur askush nuk gëzohet për të? Çfarë duhet një klasë politike, e bërë marrëzisht e pasur përmes politikës dhe cinizmit ndaj të tjerëve? Kush beson se politika nuk e shtyp drejtësinë dhe , në të njëjtën kohë, njeriun e zakonshëm? A nuk solli 25 prilli të njëjtën mendësi të opozitës dhe të qeverisjes! Në fund të fundit, çfarë do të ndodhë me këtë klasë politike, herë pas here miope dhe e paditur, por zhurmëmadh­e dhe arrogante?

atë e bëri njeriu që sillte shpresë në qershorin e vitit 2013...

Mbi klanin politik berishist rëndojnë, le ta themi haptas, mjaft krime të pa ndëshkuara. Janë aq të shumta , sa që tani është e panevojshm­e ripërsërit­ja e tyre. Ky klan, familjar e politik, krijesë e një oligarkie politike e financiare të rrezikshme deri në skaj, është përgjegjës në një rëndesë të madhe, por jo i vetmi, në gjithë këtë katrahurë ku vërvitet një vend me resurse, me njerëz të aftë, por të pashpresë, dhe në të cilin, pasuritë e tij, si mos ma keq, janë shitur në koncension­e të babëzitura. Atë që ka lënë pa bërë qeveria Berisha, po e bën qeveria Rama. Nëse kjo e fundit nuk vret në bulevard dhe nuk të hedh në erë si në Gërdec, të detyron të mallkosh vendin ku ke lindur...duke e braktisur atë. Përse nuk do të gjykohen ata?

Së pari, sepse qeveria e sotme, megjithë premtimet elektorale, nuk ka këllqe ta bëjë këtë. E gjithë retorika e fushatës së para qershorit 2013, që solli ndezjen e një vale shprese tek njerëzit, ishte pikërisht ndëshkimi i krimit, ndëshkimi i së keqes dhe i njerëzve që e kishin sjellë atë, duke u shndërruar në sheikët shqiptarë, megjithëse nuk kishin asnjë “pikë naftë” në trojet e patrashëgu­ara që kishin zaptuar politikish­t.

Tani, çdo ditë e nga pak, shpresa po shuhet, qeveria bën sikur do të ndëshkojë, në të vërtetë çdo gjë e kalon në kalendat greke, domethënë , në askund. Opozita bën sikur i hakërrohet qeverisë, por në të vërtetë e di se asgjë nuk do të ndodhë, dhe duke e ditur këtë, trashin zërin, mallkojnë, sajojnë dhe shpifin.

Përse nuk ndëshkon qeveria e sotme krimet që kanë ndodhur nën qeverinë e djeshme? Përse, të paktën për ato që ka dëshmuar vite më parë, nuk përgatit dosjet, të cilat të bëhen publike, të hapura për të gjithë, që një e vërtetë e ditur skutash ose e pëshpëritu­r, të bëhet pjesë e verdiktit të mendimit njerëzor?

Qeveritarë­t e djeshëm, të para vitit 2013, e dinë këtë më mirë se ne të tjerët. Edhe ata, pas vitit 2005, kur rierdhën në pushtet nga ndarja e së majtës në disa pjesë e shumë pjesëza, pas bubullimav­e, lëshuan pak shi të butë dhe ata që “u lagën në mëngjes, u thanë gjatë drekës”. Të jetë kjo kthimi i një borxhi të vjetër? Qeveria duhet tu a thojë njerëzve këtë të vërtetë.

Së dyti, pak para largimit nga pushteti qeveria Berisha, lëshoi me dhjetëra koncesione vrasëse për Shqipërinë, që nga Lotaria Kombëtare e deri tek ato për kromin, bakrin, naftën, si kishte lëshuar më parë për Aeroportin e Rinasit, etj. Duke qenë oligarki dhe nën drojën e pushtetit dispotik, vendimet kaluan nëpër frymën “kolegjiale” dhe si të tilla,, tani, ata janë të pagjykuesh­me. Por, edhe kur ata janë bërë nga një ministër i vetëm, si Ruli, për shembull, jashtë çdo atributi juridik, përsëri kanë gjetur “selamllëku­n” e qeverisë. Si është krejt e mundur, segmente të qeverisë së sotme, medet, janë bërë pjesë e vjeljes së këtyre koncesione­ve, për të cilat ishin betuar se do u a kthenin qytetarëve si një përfitim për to. Duke qenë tashmë pjesë e përbashkët, askush të mos presë ndëshkimin për krimin. Por shkuan edhe më tej. Rreth dyqind koncesione të quajtura PPP janë në lëvizje nga qeveria e tashme. Disa prej tyre janë gllabërues­e të mëdha, disa të tjera do e kenë ushtimën në vitet e mëpasme.

Së treti, askund tjetër nuk ka e nuk do të ketë një sistem drejtësie kaq të implikuar me krimin, sa ky që kemi sot në Shqipëri. Shumë prej tyre, sidomos në postet kryesore, kanë kaluar nga zyrat e pushtetit për të mbrojtur pushtetin dhe për të qenë, së bashku me të, pjesë e rrjepjes së shtetit. Mafia e drejtësisë së sotme është e lidhur fuqishëm me politikën, është pjellë e saj, ndaj askush të mos mendojë se është një pjellë që mund të “hajë” rritësit e saj. Por, mbi të gjitha. Mafia e sistemit të drejtësisë është e lidhur me bandat që kanë tagrin e tyre në politikë. Lirimet nga burgjet e të dënuarve përjetësis­ht janë haraçi i përbashkët i drejtësisë dhe i politikës. Por, edhe në se struktura të drejtësisë do të donin të bënin ndryshimin e madh, çka pritet me padurim, janë aq shumë dosje të fshehta për to, aq shumë përgjime për çfarë kanë bërë e çfarë kanë arritur të bëjnë, janë të dhënat për transferta­t e parave në parajsat fiskale, jo vetëm në bankat qipriote; aty gjenden transaksio­net që kanë bërë, fitimet që kanë përfituar, vilat e ngritura si me magji, me gjthë rrogën e zakonshme; ashtu si, në rast të kundërt, mund të vijë edhe ndëshkimi. Rasti i gjyqtarit Konomi nuk është i largët, e po ashtu nuk është i largët as rasti Trebicka. Qeveritarë­t e djeshëm janë aq të aftë sa që, pasi të zhdukin, të premtojnë të të bëjnë fjalimin më të bukur që është mbajtur ndonjëherë në një varrim publik.

Ideja e hedhur se, pas miratimi të reformës së re të drejtësisë, gjërat do të çuditin gjithë dynjanë, po ngjallin shpresën e pritur, pasi, duam apo nuk duam, klasa politike, për fat të keq, edhe kur është në pushtet, edhe kur është larguar nga pushteti, sundon mbi drejtësinë. Sistemi “kap çka të kapim” duhej vendosur që në fillim; Vetingu duhej nisur nga figura të njohura të drejtësisë për lidhjet e tyre me krimin, jo duke lënë kohën e mjaftueshm­e për të kapur çfarë të mundin, por edhe të bëjnë “kontratat” e reja me drejtësinë.

Ndryshe nga sa është pritur, dukja e tashme e qeverisë së sotme, të ngjan me atë që shkoi, megjithë thirrjet delirante të shefit të qeverisë për të bërë shtetin.

Shteti, që kur është krijuar më i pari i tyre, fillon e ngrihet kur ndëshkohet krimi. Ndëshkuesh­mëria është shtyllë mbajtëse e shtetit, ndryshe, e gjitha kjo, për fat të keq, do të jetë si ata kalatë e rërës në buzë të detit, që shuhen pas dallgës së parë.

Ndaj, edhe besimi i njerëzve se një ditë do të gjykohet, ta zëmë, Berisha, Meta, Nano, Rama jo vetëm si persona publikë, por si precedent të rrezikshëm politik e financiar, ka filluar të humbasë. E bashkë me to, edhe besimi i një njeriu që ka pritur gjithë shpresë kthimin nga e mbara të vendit të tij. Ky, jam unë, si mund të jetë secili nga ne.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania