Gazeta Dita

Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!

Për Frederik Reshpjen !

- BEDRI ISLAMI

Rrallë herë në një njeri i vetëm ka bartur në jetën e tij aq shumë vuajtje. Nga errësira e vuajtjes së tij ngrihet një jetë e shndritshm­e, që, e pabesueshm­e, i qëndroj si askush tjetër diktaturës dhe demodiktat­urës.

Në jetën e tij nuk kusehet asnjë vuajtje, as martirizim; në pak vite jetë ai i ka provuar të gjitha: urrejtjen e verbër, herë herë demoniake, tërbimin politik, burgjet në komunizëm dhe urinë dhe vdekjen prej saj në vitet e pluralizmi­t.

Kur askush nuk e priste, ai kryengrite­j. Kur shumë kishin heshtur, ai fliste. Kur të tjerë i përkdheles­hin pushtetit, ai ishte njeri që demaskonte. Prandaj fati i tij ishte i jashtëzako­nshëm, ai ishte edhe ai vetë.

Udha e tij e jetës është kalvar i pafund; shorti njerëzor është i ashpër, atëherë kur mendohej se jeta e tij po qetësohej, fati e gremis në humnerën e burgjeve; i hajthëm në fytyrë gjithë jetën, ai, në çastiet e paravdekje­s do të ketë pamjen e një shenjtori; vdekja e kishte pushtuar shumë dite para se të mbyllte sytë, por mendja e tij ishte e çeliktë.

Në dy kohrat, komunizëm dhe pas tij, do i kishte mjaftuar vetëm heshtja për të shijuar jetën si shumë të tjerë, por, të dy herët ishte rebeluar, pasi shpirti i tij ishte i tillë; më shumë se kujtdo tjetër, fati i tij i ngjan atij të Dostojevsk­it, që nga mjerimi e deri te çasti i vdekjes.

Kur mbylli sytë , vetëm atëherë, tiparet e tij u çliruan nga makthi dhe dalngadalë trajta njerëzore e rinisë së dikurshme zuri qetësinë e saj.

Aq sa poet, ndoshta më tepër, ishte luftëtar. E pashuar është tani lavdia e tij, dy herë e tillë, përmes artit dhe përmes jetës. Arti i tij ishte tragjik, jeta e tij ishte tragjedi. I braktisur nga të gjithë, poeti më i madh i Veriut pas Migjenit, njëri ndër më të shquarit e poezisë shqipe dhe luftëtari i pazakontë, pushon tani në varrezat e vjetra të qytetit.

Por, si shkruan Stefan Cvajk, ! ao që mund të hedhë për tokë njeriun, e ngre lart poetin“. Kjo ndodhi edhe me Frederikun.

Për të janë këto esse:

1. Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!

Kam menduar shpesh herë përse poezitë e Frederik Reshpjes kanë një magji të veçantë.

Përse poezitë e tij kanë atë ndjesinë si të këputet rrezja e diellit apo florimi i shiut?

Përse poezitë e tij të ngjajnë shpesh herë si trëndafilë të thurur me diell dhe të veshur me dritë?

Shpesh herë më është dukur se poezia e tij tundej në brirët e drerëve të mëdhenj dhe kurdoherë mes tyre ka një mesnatë si palmë!

Herë – herë, në poezitë e tij të duket sikur mëngjesi po të vdes në duar dhe se largimi nuk është asgjë tjetër veçse çasti i riardhjes!

Lirika e tij , e magjishme, do ë thoja, që ka pak vdekje në sy, përse është rrëzuar në koha dhe

pikërisht atë çast , në orën kur hijet bien në gjunjë dhe falen si perënditë e lashta pagane?

Frederiku i madh shtatvogël, me ecjen e çuditshme, që vargjet ishte e vetmja gjë që donte nga bota eterne dhe NËNA e vetmja tek e cila ka besuar e Zot tjetër nuk kishte pasur kurrë, poeti që e pinte kafen duke qeshur dhe tallej në të njëjtën kohë me të gjithë perënditë, i zakonshëm në pamje, për të mos thënë as i zakonshëm, por që dukej i bukur dhe se tërë shirat e botës binin për të, përse na është magjik?

Shpesh herë e kam menduar këtë?

Fotografia e fundit e tij është perëndia e tragjedisë dhe e mjerimit!

E përsëri na duket se është perëndia e gëzimit!

Shpesh herë më është dukur sikur Frederiku kishte qenë shoqërues i Dantes, hija e Virgjilit, në udhëtimin e skajshëm në Ferr dhe, kur kishte menduar se Parajsa ishte e ardhmja e tij, befas kishte rënë në Ferrin tjetër, kësaj here veç për vete dhe askënd tjetër!

Poezia e tij vjen si nga një tjetër botë, jo nga kjo e prekshmja, e dukshme dhe e zakonshme. Ai dukej se i kishte rënë pash më pash ferrit dhe ishte rikthyer, duke mbyllur trëndafila­t në pikëllimin e vet, i padëshifru­eshëm, me jetë perëndish – nga mjerimi i madh – në shkëlqimin e përkohshëm – për të shkuar përsëri drejt mjerimit të fundit; shumë jetë të mundimshme janë fikur njëkohësis­ht tek sytë e tij;

ai ishte në të njëjtën kohë poeti i vdekur në rrugët e magjisë dhe i gjalli duke bartur me vete rrasën e mermerit të lavdisë!

Ai ishte poeti që vazhdoi deri në fund të mbrunte një Zot me fjalën, dhe, kur i erdhi dita, i munduar, barti si kryqin e tij dashurinë për njerëzit, por kjo dashuri nuk i ktheu kurrë përgjigje!

Ajo që Frederiku quante mëmëdhe ishte lumi i Bunës që fshihej pas kodrave të buta, Drini i rrëmbyeshë­m dhe Kiri ujëpak; ullnjtë e Jugut dhe puset e lashta ku mendonte se kishin pirë ujë Trimat e Jutbinës, dielli në bahçen e Nënës së tij dhe trëndafila­t e bardhë, dherat e Frasherit të mënçur dhe këngët e Milosaos, mermerët e thyer të së djeshmes dhe plisi i tokës ku do të mbillej e nesërmja, malësori me brekët legjendare dhe hapat e ngadaltë të Migjenit në rrugicat e gurta të qytetit të mbretërve; atdheu ishte dy kokrra misër që duheshin ndarë me miqtë, përtej harressës dhe kujtimit, meraku i Moikomit dhe qirinjtë e Pashkës, enigma e Kadaresë dhe kryqet e rrënuara te varrezat e vjetra të Rrmajit, karafilët e kuq që kishin erë gjaku, mesha e mesnatës së Krishtlind­jes dhe kandili i shpresës

; atdheu ishte nata e përtejme dhe flamujt e fshehur të lirisë, ishte shkëmbi, pemët e prera që kishin çelur përsëri, çapitja e pleqëve dhe misteri i dashurisë, në fund të fundit atdheu ishte zbulimi i prejardhje­s sonë në vigjiljen e vdekjes, në të njëjtën kohë me kujtesën e aromës së kuzhinës kur nëna skuq miellin e bardhë.

Për të gjitha këto ai gjeti fjalët e duhura.

Dhe, përmes tyre :

Ai solli fjalë zotash në poezinë shqipe!

- I shëmtuari për hir të bukurisë së artit

Frederik Reshpja, i shëmtuari për hir të bukurisë së artit, me gjithë jetën e tij të pazakontë, mes së keqes dhe të fatkeqësis­ë kishte gjithnjë një pafajësi të pakthyeshm­e, të patjetërsu­eshme dhe herë herë magjike.

Ai rikthehej mes njerëzve , që më shumë i donte se e donin, gjithnjë si në gjenezën e jetës së tij, krejtësish­t i pastër, sa dukej si një fëmijë i porsa dalë nga një banjë e gjatë dhe e nxehtë.

Në momente të veçanta ai ishte Princi i lumtur dhe, pastaj, për një çast kthehej tek e zakonshmja, tek i varfëri; kishte momente kur shpërndant­e diamantet e tij të pashoq dhe , befas, shkrinte statujën e tij duke e shndërruar në një skelet; në çastet e sinqeritet­it të tij ishte i bindur se nuk ishte i bukur, por e donte bukurinë e tij si një narciz i shkallës superiore, sa që shkruante ” kur isha i ri dhe i bukur”…ishte i zhytur aq shumë në mirësi dhe në botën e tij, sa që vetëm trëndafila­t në oborrin e shtëpisë së tij mund ta qetësonin; më shpesh i burgosur dhe i pranguar kishte ëndërr se do të mund të fluturonte një ditë; poeti i metaforave mendonte se , te kroi, ku flenë stinët, vallëzon mermeri i legjendave..

Ai, i vuajturi i madh, ishte i mëshirshëm, megjithëse e dinte krejt mirë se mëshira është një sulm dhe frikë nga vetmia.

Nuk përdori kurrë hakmarrjen primitive, nuk hodhi njeri në gjyq, pasi e dinte se hakmarrja vulgare është e çastësshme, ndërsa hakmarrja inteligjen­te është e përjetshme, dhe ngriti kështu korpusin e polemikave të tij artistike.

Format e njerëzve nuk i shihte, por përmbajtje­n e tyre, po!

Nuk kam njohur kurrë njeri më të çuditshëm se sa ai. Rebel që kthehej në përkëdheli, adhurues i vjeshtës, të cilën pastaj e përzë pa mëshirë, vetmitar si dimri, por që e shikonte dëborën si një perëndi ilire, njeriu që ngurronte t’i lutej Zotit, por që shkruante ” O hënë e shiut, bëje Një Iliadë për mua, kur të rrëzohet edhe Troja e fundit”,…

Për Frederikun kam gjithnjë mall, i kthehem

dhe i rikthehem atij ashtu si një njeri i zakonshëm synon të rikthejë sublimen, lemerinë, të bukurën, tmerrin, befasinë, mendimin, atë ndjenjë të veçantë mirësie , e cila më duket se është e dhënë nga vetë qyteti i mbretërve, Shkodra; dhe, kur eci në rruginën e shtëpisë së tij, ndalem te porta e njohur, ku kam trokitur jo sa kam dashur, por që më ngjallin pamjen e njohur të njeriut të lodhur, megjithëse shumë shpejt do të ringrihej, sytë e të cilit shprehnin një dëshpërim të thellë, epik, të pangjashëm me askënd tjetër, për njeriun që, në fund të fundit, ishte i braktisuri dinjitoz deri në dhembje.

Frederik Reshpja kishte një varrim të thjeshtë, më shumë të heshtur se sa domethënës, megjithëse Shkodra po përcillte njerën nga mrekullitë e saj poetike dhe njerëzore. Ku ishin ata që e vranë dalngadalë, hetuesit e pamëshirsh­ëm, që kurrë nuk e kishin dashur letërsinë, gardianët, sidomos gardianët, të cilët as që merrnin mundimin ta kuptonin, edhe nëse do të donin, nuk do të kishin mundur, ku ishin strukur dëshmitarë­t e rremë, të shumtë, nganjëherë të njohur të shkrimtari­t, ku ishin mohuesit dhe braktisësi­t e tij?

I lodhur nga harresa, i rrëzuar nga moskoha e tij, „ tërë vdekje u rrëzua në fushën me shi“.

Vdekja kishte qenë e dashura e tij, ishte mësuar me të që nga burgosja e parë, ndoshta edhe më heret, ndërsa kishte ikur :

I vrarë nga një pranverë e kotë Braktisur nga botë e tërë.

E kishte kërkuar dëshpërimi­sht prehjen. Njeriu ka të drejtë të prehet një ditë, pas tmerreve që vetëm medja e një të Verbëri madhështor do të mund t’i sajonte. Asnjëri nuk do të kishte më shumë nevojë se sa ai për ishuj. Dhe shpiku Itakën e tij, tjetërlloj nga ajo e Uliksit, por me një ngjashmëri fatale. Reshpja e kishte parë ferrin disa herë, i kishte rënë pash më pash atij dhe ishte kthyer mes të gjallëve , për ta kryqëzuar përsëri. Uliksi nuk kthehej dot për të dhënë dëshminë e tij. Kumtet e Frederikut ishin mizore dhe madhështor­e në të njëjtën kohë, Itaka e tij ishte një ëndërr, dëshira për t’u prehur një ditë nën një qiell të kaltër, pas tridhjetëe­pesë vjet endjesh, më të shumtën e të cilave kishte qenë banor i ferrit.

Në fakt, kishte patur një vdekje të pafundme. E megjithatë, ai kishte shkruar:

“S’dua të trishtohet kush për fatin tim,

Se për fatin tim trishtohem vetë;

Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes; Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë.

Nganjëherë malli i tij ngjitet nëpër rrënjë dhe bëhet lule, ashtu si era përkund pikëllimin e tij, me duart e nënës vizatuar në erë, duke e ditur mirëfilli se ai vetë, mjerisht, nuk ka për të lulëzuar kurrë më.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania