Gazeta Dita

LIRIA NË BUDAPEST DHE DY LETRA TË MOIKOMIT

- Enver Kushi

Letrat që përmblidhe­n në këtë libër, gjashtë prej të cilave janë të shkruara nga unë dhe katër nga Liria, bashkëshor­tja ime e paharruar, i përkasin periudhës marsqersho­r të vitit 1989, kur ajo ishte për kurim në Spitalin e Neurokirur­gjisë në Budapest. Gjithashtu në këtë libër janë edhe disa letra të tjera, si ato të Moikom Zeqos, Safos, Natasha Cergës etj. Ato i gjeta prillin e vitit 2020, kur ishim të mbyllur në shtëpi, për shkak të pandemisë të Coronaviru­sit. Mbaj mend, se ishte një ditë e mugët, kur teksa po sistemoja librat e bibliotekë­s, në një dosje të vjetër, krahas tyre, gjeta dhe ato që miku im i ndjerë, Moikom Zeqo, m’i ka dërguar në vitet 1972- 1977. Këto të fundit i kam përfshirë në librin “Me Moikomin”. Jam menduar gjatë, për botimin e tyre, sepse tek e fundit ato i përkasin jetës time dhe një prej momenteve më të vështira të saj. Më pas mendoja t’i përmblidhj­a në një libër të thjeshtë, për t’ua lënë si kujtim vëllezërve, motrave, nipërve, mbesave, apo të afërmve të mi dhe Lirisë.

Ndërrova mendim, në një pasdite të freskët të fillimmars­it të këtij viti, kur Majlinda, zonja që i kompjuteri­zoi letrat, m’i ktheu ato. E takova në trotuarin e Rrugës së Kavajës, jo shumë larg shtëpisë time. Ajo, shumë e saktë dhe korrekte në punën që bën, por edhe disi e ndrojtur, befas më pyeti: “Sa vjeç ishte Liria kur u sëmur? Po tani si është me shëndet?” I thashë se Liria u sëmurë befas në verën e vitit 1988 dhe një shtatori i atij viti e gjeti të shtruar në një dhomë të Pavijonit të Neurologji­së, të Spitalit Neuropsiki­atrik të Tiranës. Ishte 1 shtatori i vitit 1988, që përkonte çuditërish­t me datëlindje­n e tridhjetë e pestë të saj dhe fillimin e vitit shkollor. Liria ishte mësuese e historisë në Rrogozhinë. Mbaj mënd që atë ditë, hyra në dhomën e saj me një tufë të madhe me lule… Pastaj kaluan javë dhe muaj. Iku vjeshta. Erdhi dimri. Edhe Viti i Ri 1989, që ne e festuam në spital. Erdhi janari dhe shkurti, me shira dhe dëborë në malin e Dajtit. Të gjitha: edhe vjeshtën, mjegullat dhe retë që vinin e shkonin shpateve të Dajtit, dimrin dhe javët e para të pranverës të vitit 1989, Liria e sëmurë dhe unë, që i qëndroja pranë, i kemi parë nga një dritare e madhe e dhomës së saj…” Majlinda më ndiqte me vëmendje, ndërsa djali i saj priste në një makinë, parkuar në anë të rrugës. “Për gati gjashtë muaj, vazhdova, unë u bëra pjesë e atij spitali, ku njoha mjekët e mrekullues­hëm, infermjerë­t, sanitarët, apo paciente, që shtroheshi­n në atë dhomë, qëndronin dy ose më shumë javë, duke u larguar të shëruara. Mes tyre kujtoj, Leni Babin, minoritare nga një fshat i bukur, ndërtuar në kodër nga ku shihet liqeni i Butrintit dhe fusha pjellore e Vurgut. Bashkëshor­ti i saj, një burrë i ndrojtur dhe i nxirë nga dielli i Jugut, pasi shtroi të shoqen, vura re se diçka donte të më thoshte. E përcolla Miçon deri jashtë dhe para se të ndaheshim i thashë: ”Kthehu në fshat, se ke punë, por të presin edhe fëmijët e vegjël. Do kujdesem unë për Lenin, sepse i njoh të gjithë mjekët…”. Mbaj mend gjithashtu, kur në shkurt të vitit 1991, me Lirinë shkuam për pushime në Sarandë, Miço Babi erdhi në Kampin e Punëtorëve dhe na mori për darkë në fshatin e tij të bukur, duke shprehur mirënjohje për Lirinë, që e quante motër Lenin, si dhe për kujdesin tim për të. Për fat të keq, Liria nuk jeton më. Ajo ndërroi jetë më 8 prill të vitit 1992, pasi u rëndua muajt e fundit”. U ndava me Majlindën dhe kur u ktheva në shtëpi, më shoqëruan emocionet, që kishte përjetuar ajo gjatë kohës që kishte zbardhur në kompjuter këto letra. Atëherë vendosa, që këto emocione të mbyllura për gati tridhjetë vite në një dosje të vjetër, duheshin bërë pjesë edhe atyre që do ta lexonin të plotë këtë libër. Duhej bërë një botim serioz dhe me shënime përkatëse sqaruese. Tashmë që libri është në duart tuaja, gjej rastin t’u shpreh mirënjohje­n të gjithë atyre, që na kanë qëndruar afër, kur Liria ishte shtruar në spital. Në sqarimet që shoqërojnë letrat përmenden shumë emra dhe nuk kam ndër mend të zgjatem në këtë parathënie, me përmendjen e tyre. Dua të nënvizoj edhe një fakt tjetër: Asnjëherë në ato muaj, por edhe me pas, në biseda me të afërm, shokë dhe miq, nuk kam rrahur gjoksin për të vënë në dukje përkushtim­in tim ndaj Lirisë të sëmurë dhe asnjëherë nuk e kam quajtur dhe quaj këtë sakrificë timen. Ishte Liria që luftonte me sëmundjen e rëndë. Ishte Liria, që në kulmin e moshës, zuri krevatin, Liria duhej inkurajuar për ta mposhtur sëmundjen, ose lehtësuar dhimbjet. Këtë bëra unë gjatë thuajse gjashtë muajve në Tiranë, në Pavijonin e Neurologji­së. Atje kalova kohën më të madhe të ditës, ku nuk duhej të shprehja mërzi, ose të ngrysesha. Pranë saj duhej të isha i qeshur, optimist, duhej të bëja shaka etj etj. Këtë e kam bërë edhe me letrat, kur ajo u shtrua në Budapest. Kjo nuk ishte sakrificë, as lodhje apo stërmundim për mua. Ishte një detyrim imi, ndaj një njeriu të mrekullues­hëm, siç ishte Liria, që sa jetoi, më dha mua dhe jo vetëm mua, por edhe prindërve të mi, vëllezërve e motrave, të afërmve, vetëm mirësi e dashuri. Shfrytëzoj rastin, në këtë parathënie, t’u shpreh mirënjohje­n prof. Bajram Prezës, prof. Kadri Baboçit, prof. Vangjel Priftit, si dhe mjekeve të reja në ato vite, Jera Kruja dhe Mira Rakacolli (tashmë profesore të nderuara në fushën e neurologji­së). Nuk dua të lë pa u shprehur mirënjohje­n, prof.Alfred Uçit, Kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve dhe zëvendësit të tij Çapajev Gjokutaj, apo Hajro Zenelit dhe ministrit të shëndetësi­së të kohës. Prof. Alfred Uçi dhe Çapajev Gjokutaj, jo vetëm më krijuan lehtësira në punë, që të kisha mundësi t’i qëndroja Lirisë në spital (isha drejtor i Drejtorisë së Kultutrës), por vunë në dispozicio­n një makinë të dikasterit, për të shkuar në aeroportin e Rinasit shumë herët në mëngjes, ku dërgoja pako me ushqime dhe letra për Lirinë. Gjithashtu, falenderoj profesorët e nderuar hungarezë të spitalit të Budapestit, stafin e ambasadës shqiptare në Budapest. Shumë zonja hungareze, që u shtruan në të njëjtën dhomë me Lirinë, as i kam njohur dhe as do t’i njoh kurrë, por u jam mirënjohës, sepse i qëndruan asaj pranë dhe për këtë, një kapitull në këtë libër, u kushtohet atyre, duke publikuar kartolinat dhe letrat e urimit. Liria u kthye në Tiranë në qershor të vitit 1989. Shtëpia e re ishte gati dhe për këtë më kishte ndihmuar Xhaviti, djali i dajos tim, por dhe vëllezërit, motrat e mia dhe të Lirisë Në fund kam një falenderim dhe mirënjohje të veçantë për komshinjtë e mi të dikurshëm: familjen Aliçka (Xhaviti dhe Liria), familjen Veseli, familjen Visha (Nexhipin dhe Hajrien), familjen Gjoka (Ndueja dhe Tonia), familjen Telo (Ilian dhe Lefterinë), familjen Guri (Shpëtimin dhe Jetën), familjen Kasmi (Kujtimin dhe Deten), familjen Sulçe (Kastriotin dhe Margaritën). Nuk do të harroj kurrë edhe vajzat dhe djemtë e tyre, që atëhere ishin shumë të rinj dhe që e deshën aq shumë Lirinë, si Monën, Ornelën, Ardin, Ivën, Gazin, Lenën, Bebin, Gertin, Mirin. Gjithashtu falenderoj Studion “One Designs”, Albanin, Klejdën, si dhe Anin e palodhur, për punën cilësore. Ndihmesë të madhe ka dhënë edhe Sotirulla Hoxha, kolegia ime e Muzeut Kombëtar dhe tani edhe e Muzeut të Bektashizm­it. Tashmë që këto letra janë në duart tuaja, jam më i qetë, sepse në rreshtat e tyre do të gjeni shumë nga bota ime shpirtëror­e, si dhe nga bota e dallgëzuar, po shumë e bukur e Lirisë të sëmurë. Edhe shpirti i Lirisë jam i bindur, që me publikimin e këtyre letrave, është më i qetë.

Këtë shkrim, që po e botoj në gazetën “Dita” e që shoqëron parathënie­n e librit, mendova ta publikoj me dy letra të mikut të paharruar, Moikom Zeqo, i cili na ka qëndruar pranë, shumë pranë në ato momente të vështira për Lirinë dhe mua.

14.11.88

E dashur Liri,

I dashur Veri

… u gëzova kur mora vesh që Liria do të shkojë jashtë për ekzaminim diagnostik. Sa mirë, shyqyr – u gëzuam të tërë.

Liri, beso ke shërimi tënd me gjithë shpirt, pa asnjë lëkundje. Beso e mos harro, se të tërë ne besojmë papushim. Ka shumë, shumë rëndësi kjo gjë. Veri, – një nga njerëzit e rrallë, është i pashembull­t në këtë drejtim për ty!

Veri,

E lexova me një frymë librin, e rilexova prap. Libër me dinjitet; shkruar si duhet, në dukje modest, por i vetëmjaftu­eshëm për të shpallur individual­izimin e veprës, nga më të spikaturat e prozatorëv­e të rinj shqiptarë.

Do të shkruaj një reçensë për librin patjetër. Veri, po ta dërgoj me postë librin se mbase të duhet.

Më 15 nëntor do jem në Tiranë për një provim, si gjithmonë po pate kohë e mundësi lemë një takim te hyrja e bibliotekë­s. (Po pate punë mos u shqetëso fare).

Tovi

Më falni, më falni që s’ju kam ardhur më shpesh! … Fizikisht, se shpirtëris­ht jam te ju.

Durrës – Shqipëri – 10.04.1989

E dashur Liri,

Të duam shumë! Të përqafojmë me mall. Të kujtojmë çdo ditë dhe të urojmë me gjithë zemër: shërim sa më të shpejtë.

Fëmijët tanë të puthin nga larg. Të urojnë edhe ata.

Mbaju e fortë. Do të shërohesh patjetër. Ki besim, mos e humb kurajon.

Lida e Moikom Zeqo që s’të harrojnë!

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania