Gazeta Dita

Tirana bën gati ‘kostumin’ e kampionit, “nëndetësja” dinamovite jep sinjalin SOS

-

Tirana bëri një hap tjetër me rëndësi drejt titullit kampion, kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje nga përfundimi i Superligës, teksa nuk e fali Egnantian në transfertë, duke fituar pastër 0-3 dhe ngjitur në kuotën e 63 pikëve. Edhe Laçi mori një tepikësh me vlerë për të çimentuar vendin e dytë dhe për të mos lejuar kryeqyteta­sit të shpallen kampionë shumë ndeshje para përfundimi­t, teksa zhyti drejt rënies nga kategoria pothuajse të sigurt ‘nëndetësen’ e Dinamos, e cila prej disa muajsh ka lëshuar sinjalin SOS. Takim dramatik ishte ai i pasdites së djeshme në Durrës, ku Vllaznia pa teksa Teuta në dëshpërim për pikë mbijetese i barazoi takimin në minutën e 9-të shtesë. Goli i Latifit me penallti për shkodranët u barazua nga ana e Peposhit me një aksion drithërues dhe në minuta plot tensione. Vllaznisë nuk i bëri shumë punë pika, aq sa kishte vlerë për bregdetarë­t, të cilët lënë pas në play-off Egnantian. Kjo e fundit duket se do shfrytëzoj­ë ndeshjet e mbetura për të bërë betejën më të ashpër me Teutën, teksa Kastrioti doli më i fituari i kësaj jave. Fitorja minimale me Kukësin të shtunën i dha krutanëve tre pikë qetësie, teksa e shohin veten me 37 pikë, duke lënë pas durrsakët me diferencë 4 pikë dhe rrogozhina­sit me diferencë 6 pikë. Dinamo mbeti në kuotën e 23 pikëve, 8 pikë nga playoff dhe 10 nga vendi i shtatë. Nga pesëshja e dytë që lufton për mbijetesë, edhe Skënderbeu ndali vrullin pozitiv të “demave të kuq” pasditen e djeshme në kryeqytet, duke marrë një pikë jo më shumë vlerë, por që i mban matematiki­sht në lojë mbijetese. Korçarët mbeten në vendin e fundit me 21 pikë, ose 12 nga Teuta dhe 10 nga Egnantia për playoff, në 21 pikë që janë ende në lojë. Partizani nuk arriti ta merrte veten pas shokut të pësuar nga eleminimi në gjysmëfina­len e Kupës me penallti nga Vllaznia. Po kështu humbi rastin e artë për tre pikë që do i siguronin afrimin me një pikë me vendin e tretë, pas humbjes së Kukësit në Krujë. Kryeqyteta­sit mbeten me 42 pikë, tre larg veriorëve dhe 8 nga kurbinasit e vendit të dytë, në garën për vendet direkte të Europës. Kurse në pesëshen e dytë të mbijetesës, Kastrioti ndjen frymëmarrj­en e Vllaznisë, e cila ka edhe një mundësi nga Kupa për të kapur Europën, teksa iu largua pothuajse përfundimi­sht zonës së ftohtë, nëse fiton takimet që ka brenda në Krujë. Prognoza e deritanish­me, dinamika dhe situatat e krijuara, duket se kanë përcaktuar fatin e korçarëve për rënie nga kategoria pas më shumë se një dekade dhe një ‘lumi’ me tituj kampionë e suksesesh, si dhe ‘nëndetësja’ dinamovite, pas një sezoni të dështuar në Superligë dhe që nga nisja e këtij viti s’ka ngritur më kokë mbi sipërfaqe. Kurse rrogozhina­sit duket se do të luajnë një shans mbijetese me play-off, nëse Teuta nuk bën harakiri në shtatë javët e ardhshme, pasi diferenca mes vendit të shtatë dhe të tetë është vetëm 2 pikë.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania