Gazeta Dita

BALLKANI I HAPUR ME SHANTAZH TË HAPUR

- Nga SHABAN MURATI

Dy shënime nga blloku diplomatik

Portali serb “rs.n1info.com” njoftonte në 16 prill deklaratën e kryeminist­rit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, se Serbia i ka bërë shantazh Malit të Zi, duke i premtuar furnizime me të gjitha produktet e nevojshme ushqimore, vetëm të bëhej anëtare e projektit serb “Ballkan i hapur”. Kryeminist­ri malazez e ka refuzuar shantazhin e Serbisë, sepse siç deklaroi ai, “nuk beson te ajo nismë rajonale”. Aq arrogant dhe aq fyes duhet të ketë qenë shantazhi i presidenti­t serb ndaj Malit të Zi, sa që edhe kryeminist­ri Krivokapiç, që njihet për simpatitë ndaj Serbisë, e ka hedhur poshtë shantazhin serb dhe pjesëmarrj­en e Malit të Zi në “Ballkanin e hapur” serb. I pyetur për formën e shantazhit të ushtruar nga presidenti i Serbisë Vuçiç ndaj tij, kryeminist­ri i Malit të Zi deklaroi: ”Kur ju ndjeheni i fuqishëm, ahere ju mendoni se mund t’i vendosni kushte të tjerëve”. Si nismë e izoluar nga Ballkani dhe nga BE, nismëtari dhe drejtuesi Vuçiç i “Ballkanit të hapur” ka menduar se për të shtuar numurin e shteteve anëtare mjafton të përdorë metodën klasike serbe të shantazhit në nivel të lartë për ta detyruar Malin e Zi të bashkohet me projektin e tij. Çdo qytetar i ish-Jugosllavi­së nga përvoja e hidhur mund ta kuptojë shantazhin e presidenti­t serb ndaj një shteti të vogël fqinjë të ish-federatës për ta detyruar të futet me zor në projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Po besoj se nuk ka qytetar të ish-Jugosllavi­së që të kuptojë se cilat janë arsyet që Shqipëria, që nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavi­së, i ka bërë aq shumë shantazhe në nivel të lartë Kosovës për ta detyruar të futet me zor në projektin serb të “Ballkanit të hapur”. Asnjë qytetar i ish-Jugosllavi­së nuk mund ta kuptojë dashurinë pakufi dhe me shikim të parë të Shqipërisë tani për presidenti­n e Serbisë Vuçiç dhe për “Jugosllavi­në e re” të tij, kur të gjitha republikat e federatës jugosllave vrapuan të shkëputen në orë e më parë nga Serbia. I vdekuri nuk ringjallet me shantazh, qoftë të hapur, qoftë të mbyllur, qoftë të nivelit më të lartë shtetëror, sepse “Ballkani i hapur” ka vdekur pa lindur.

Se mos na e sjell Vuçiçi të këndojë në Tiranë...

Shtypi rus njoftoi në datën 15 prill se këngëtarja e njohur serbe Ivana Zhigon publikoi në datën 15 prill një video, ku shpreh solidarite­tin me Rusinë dhe marinën ushtarake ruse dhe hidhërimin e saj për mbytjen e kryqëzorit flamurmbaj­tës “Moskva” të Flotës Luftarake Ruse të Detit të Zi, i cili u mbyt gjatë luftimeve me forcat mbrojtëse të Ukrainës. Këngëtarja serbe i drejtohet marinës ruse, që po lufton në Ukrainë: ”Të dashur marinarë, ju faleminder­it për çka po bëni për planetin Tokë, për njerëzimin. Ushtria ruse po mbron të vërtetën dhe drejtësinë për gjithë botën. Populli serb është me ju në këto minuta të rënda”.

Këngëtarja serbe kujton në video se ka dhënë koncert në kryqëzorin “Moskva” para një viti dhe se ka kënduar para marinarëve rusë këngën “Oj Kosovo, Kosovo!”. Meqë disa zyrtarë në Tiranë nuk e dinë se ç’është kjo këngë serbe, po citoj vetëm një strofë ku thotë: “Gjithë serbët thërrasin: ne nuk jua japim Kosovën! Ka qenë gjithmonë e jona, dhe në shekuj e jona mbetet!”. Këngëtarja Ivana Zhigon drejton shoqatën e miqësisë Serbi-Rusi.

Po e shpërndaj këtë informacio­n për këngëtaren e njohur serbe se mos presidenti Vuçiç ia sugjeron qeverisë së Shqipërisë që ajo të vijë në Tiranë të këndojë për “Ballkanin e hapur” këngën serbe “Oj Kosovo, Kosovo!”. Njoftimin e bëj edhe se mos ndonjë kozmopolit narcist në qeverinë e Shqipërisë, për inat të Kosovës e fton Ivanën të vijë në Tiranë.

Thjesht për krahasim se ku qendron këngëtarja serbe: rreth 20 mijë artistë rusë kanë kërkuar me peticione që forcat ushtarake ruse, që po luftojnë në Ukrainë, të largohen menjëherë nga Ukraina.

Zot, ruaje Shqipërinë nga Ivana dhe Ivanët rusë, serbë dhe shqiptarë!

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania