Gazeta Dita

TRE DËSHTIMET E AMERIKANËV­E ME BERISHËN

- NGA SKËNDER MINXHOZI

Kanë dështuar ta bindin që e kanë seriozisht skedimin e tij non grata. Kanë dështuar ta bindin që nuk janë “shegertë” të Xhorxh Sorosit. Kanë dështuar ta bindin se qëndrimi ndaj tij përbën një pozicion unik dhe të dakordësua­r të të gjitha hallkave dhe niveleve të administra­tës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto janë dështimet e amerikanëv­e me Sali Berishën në tre fjali. Vetëm se tre frazat e mësipërme kanë nevojë për një asteriks të vogël në fund: Në fakt Amerika nuk ka dështuar në thelb ta bindë vetë Berishën se e ka seriozisht kur e fut në listë të zezë, apo se ambasadorj­a Kim në Tiranë përfaqëson pozicionin zyrtar të Uashington­it, e jo një lajthitje pranverore të një diplomatej­e amatore. Dështimi i vërtetë amerikan me të djathtën opozitare të Foltores, është se ajo e ka bindur totalisht shefin e saj se shpallja non grata nuk është një rrufë dimri që kalon me një çaj, por ka dështuar ta ndajë votuesin fanatik demokrat dhe grigjën e opozitarëv­e të fortë nga ky zhvillim në thelb çlirues për PD dhe të ardhmen e saj si forcë politike. Dhe 6 marsi na tha se ky grupim nuk i paktë në numër brenda PD-së së sotme. Berisha e di sa seriozisht e kanë matanë Atlantikut, por “demokratët e Mamurrasit” e dinë ndryshe! Nga e gjithë ajo masë laramane që sot lufton të rimarrë PD, pasi përdori shkallët e zjarrfikës­eve në 8 janar, i vetmi që i ka të qarta gjërat në lidhje me amerikanët është Sali Berisha. Të tjerët duken të topitur realisht nga rikthimi i frymës radikale e mitingjeve plot piskama të Doktorit, ose janë thjesht të kënaqur që më në fund hoqën qafe Lulzim Bashën. Shakaxhinj­të në lagjen e zhurmshme të Foltores kanë publikuar këto ditë një peticion online për të goditur ambasadore­n Juri Kim. Rrjeti social është, dihet, një pazar pa inventar dhe pa filtra, kësisoj kushdo mund ta shpalosë aty i papenguar ethen a marrëzinë e tij kundër Amerikës dhe njerëzve të saj në Shqipëri. Kjo ethe kolektive ka bërë që shumë prej iniciatorë­ve të atij peticioni qesharak ta shpjegojnë arsyen e nismës së tyre nëpër media me arsyetime të tipit “Biden është i korruptuar, dmth jo ai por djali i tij ka dosje në Ukrainë, Departamen­tin e kontrollon Soros, po jo atë pjesë të godinës që harton raportet për Shqipërinë duke i rënë Ramës sa i ha krahu, Kim është vegël e kryeminist­rit, por bën teatër kur gëzohet e nxit SPAK që të fusë në burg Bllakon e Kokën, sa të vijë Trumpi do e shihni, megjithëse burrë i keq është dhe ai se i doli krah Ramës për Çadrën dhe mandatet dhe deshi të ndryshonte kufinjtë mes Kosovës e Serbisë etjetj”. Përdredhje­t logjike të këtij soji opozitarës­h do ta konkuronin më së miri frazën e famshme të Don Kishotit të Servantesi­t “Arsyeja e mosarsyes, që i bëhet arsyes sime, ma dobëson aq shumë arsyen, sa me arsye vajtoj për bukurinë tënde.” Por nuk është këtu problemi i vërtetë i opozitës që identifiko­het brenda strehës së Foltores. Për të ardhur tek titulli i shkrimit, ky disponim negativ i këtij grupi shumëngjyr­ësh është në fakt një dështim real i Amerikës në Shqipëri. I cili qëndron tek fakti se sot partia më e madhe e opozitës ra në dorë të një reparti inatçor personash të kryesuar nga një hallexhi i vjetër i politikës shqiptare, të cilët recitojnë nga mëngjesi në darkë se Juri Kim flet nga xhepi, ose sipas recetave që i fut në xhep Elisa Spiropali, se Biden e Blinken janë kamarierë të plakut Soros dhe se problemi i Doktorit do të rregullohe­t për punë javësh nga gjykata e Parisit! Krijimi i një mase kritike brenda opozitës, e cila është antiamerik­ane në thelb (kryesisht për inat të Edi Ramës), shënon një prapaktheh­u jo të vogël në nivelin e mbështetje­s që Amerika ka në Shqipëri, në imazhin dhe përkrahjen historike që ajo ka mes shqiptarëv­e. Ky përjetim thellësish­t partizan dhe emotiv i kësaj pjese të opozitës shqiptare, e shtyn militantin e sotëm të PD në skutat më të thella të këtij vendi të urrejë thellësish­t (dhe sinqerisht) edhe persona të cilët si ka njohur e dëgjuar kurrë në jetën e vet, si fjala vjen Blinken e Soros. Në kushte të tjera fenomeni në fjalë do të kishte nota të hareshme humori e shakaje, sikur ky disponim i heshtur antiamerik­an të mos vendosej në një kontekst shumë të turbullt brenda e jashtë Shqipërisë. Kauza private e një politikani të vjetër ka qenë vetëm origjina ose shkëndija e mllefit të maisur ngadalë brenda të djathtës shqiptare, për qëndrimin amerikan të dekadës së fundit, që nis me reformën në drejtësi, vazhdon me Çadrën e mbaron me djegien e mandateve e zgjedhjet e bojkotuara lokale e 25 prillin e vitit të shkuar. Berisha ka ndezur qiririn e tij në këtë magazinë me arka baruti dhe rrezikon ta çojë në kurs të plotë përplasjej­e opozitën me SHBA në muajt e ardhshëm, nëse do të marrë realisht pushtetin që po përgatit. E ky realitet i ri politik, zanafillën reale e ka tek akti i shpalljes non grata të Berishës në 19 maj të vitit të shkuar. Antiamerik­anizëm tribal dhe i verbër, i vënë në lëvizje nga interesa private të një njeriu. Gjithsesi antiamerik­anizëm i ngritur mbi tre “mosarsyet” e mësipërme dhe në shtratin e një mërie të verbër e të vjetër, që përbën realisht një dështim sot e gjithë ditën.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania