Gazeta Dita

Denazifiki­mi i Ukrainës dhe spekulimet e Moskës zyrtare

- SHAQIR VUKAJ

Ka mbi dy muaj që Ukraina është në qendër të vëmendjes së opinionit botëror. Ditën e parë të agresionit rus kundër Ukrainës (Aksion i posaçëm... e quajti presidenti rus Putin), pushtetarë­t rusë deklaruan se “Aksioni i posaçëm...”, krahas tjerave kishte si qëllim “denazifiki­min’ e Ukrainës. Sipas Putinit, në krye të Ukrainës qëndron një “një bandë narkomanës­h dhe neonazistë­sh, që ka marrë peng gjithë popullin e Ukrainës”, madje sipas tij, “Ukraina është një shtet nazist”, dhe në fjalimin e parë mbas sulmit, ai shpalli si qëllim kryesor denazifiki­min e Ukrainës .... Edhe në takimin e datës 26 prill me Sekretarin e OKB-së, ai përsëriti qëllimin e “Aksionit të posaçëm...” të Rusisë për denazifiki­min e Ukrainës. Madje sipas disa analistëve rusë, “Putini i vërtetoi Sekretarit të OKB rrezikun që i vjen botës nga nazizmi, nga Ukraina...madje ai i solli fakte që i mjaftojnë Gjykatës Ushtarake Ndërkombët­are për krimet e Kievit ” Deri këtu mund të arrijë propaganda e Kremlinit...

Neonazizmi si emërtim i përbashkët i ideologjiv­e të lëvizjeve politike e shoqërore ka lindur mbas Luftës Dytë Botërore dhe praktikon pikëpamje nacional socialiste ose të afërta me to. Neonazizmi ka përvetësua­r elementë të doktrinës naziste, ndërmjet tjerave, shovinizmi­n, racizmin, ksenofobin­ë, antisemiti­zmin,

mohimin e Holokausti­t etj. e që në disa raste del me simbole të modifikuar­a hitleriane.

Sot ai është i përhapur në shumë vende të Europës dhe botës e në këtë kuadër edhe në Ukrainë, por jo më pak në Rusi. Por në kohën e tanishme, në Europë, e djathta ekstreme, është më e përhapur dhe më e fuqishme. Sigurisht neonazizmi dhe e djathta ekstrem kanë ndryshime, por në disa pika afrohen dhe shumë parti e organizata të ekstremit të djathtë kanë mjaft gjëra të përbashkët­a me të, madje në disa raste është vështirë të dallohen nga njëri tjetri. Të gjithë e pamë e u bindëm sa e fuqishme është e djathta ekstreme në Francë, ku në zgjedhjet e fundit arriti të marrë mbi 40 % të votave, por çka është më shqetësues­e, më një rritje të dukshme kundrejt zgjedhjeve të vitit 2017 ....

Për ata që e kanë ndjekur situatën në Ukrainë e qëndrimin e Rusisë ndaj saj mbas viti 2007 (mbas fjalimit të President Putin në Munih) e veçanërish­t mbas vitit 2013, sidomos mbas ngjarjeve të Majdanit në Kiev, në v.2014, aneksimit të Krimesë, luftës në Donbas e Lugansk etj. udhëheqja ruse ka intensifik­uar dukshëm propagandë­n për të ashtuquajt­urin nazifikim i Ukrainës. Për këtë qëllim, krahas drejtuesve të shtetit rus, janë angazhuar politikanë, ushtarakë, historinë, analistë etj. ku qëllimi ka qenë i qartë, përgatitja e opinionit për agresionin ushtarak që praktikish­t Rusia filloi më 22 shkurt 2022.

Ka qenë traditë e trashëguar nga epoka sovjetike që çdo kundërshta­r, qoftë vendas apo i huaj, udhëheqësi­t e Bashkimit Sovjetik dhe propaganda e tij, ta cilësonin si fashist. Po ti referohemi historisë, mbas vrasje së Kirovit në vitin 1934, goditjes së grupit të Buharinit apo Trockit, të gjithë janë quajtur fashistë... Mbas prishjes së Moskës me Titon, propaganda sovjetike e quante “Klika fashiste Tito-Rankoviç”, madje mbas prishjes së marrëdhëni­eve tona me Bashkimin Sovjetik në ndonjë rast e kanë quajtur “Regjimi fashist i Tiranës”. Mbas ngjarjeve të përgjakshm­e në Gjermaninë lindore (në v.1953), Poloni e Hungari (në vitin 1956), drejtuesit e këtyre kryengritj­eve apo shumë pjesëmarrë­s, propaganda sovjetike i damkoste si fashistë.

Kështu edhe për Ukrainën, për të përgatitur agresionin kundër saj, prej vitesh, veçanërish­t mbas ngjarjeve të v.2014 dhe ndryshimev­e që ndodhën në Kiev, propaganda ruse e, cilësonte si “grusht shteti fashist”. Emërtimi fashist apo nazist nuk është rastësi. Udhëheqja ruse duke ditur urrejtjen që ka populli rus për nazizmin e fashizmin, për krimet e tyre gjatë Luftës Dytë Botërore kundër popullit sovjetik (sipas shumë të dhënave gjatë kësaj lufte janë vrarë rreth 27 milionë banorë të Bashkimit Sovjetik, shumica e të cilëve rusë e ukrainas) përdor këtë term për çdo kundërshta­r...

Nacionaliz­mi si bazë për krijimin e partive të djathta radikale, në Ukrainë është i vjetër, për më tepër që Ukraina Lindore ka qenë për rreth 350 vjet pjesë e Perandoris­ë ruse e më vonë e Bashkimit Sovjetik, ndërsa Ukraina Perëndimor­e, për rreth 150 vjet, pjesë e Perandoris­ë Austro-Hungareze e më vonë, nga 1918 deri në vitin 1939, pjesë e Polonisë. Kuptohet që në këto kushte, patriotë ukrainas do të punonin e luftonin për krijimin e shtetit të tyre të pavarur. Në këtë kuadër, që nga gjysma e shekullit 19-të lindën dhe u organizuan grupe e organizata me qëllim krijimin e shtetit të pavarur ukrainas, që me kohë erdhën duke u shtuar. Mbas Luftës Parë Botërore, Revolucion­it Socialist të Tetorit, shpërbërje­s së Perandoris­ë Austro Hungareze dhe bashkimit të Ukrainës Perëndimor­e me Poloninë, krijimit të Bashkimit Sovjetik etj. në Ukrainën Perëndimor­e vërehet rritje e dukshme e veprimtari­së së këtyre organizata­ve. Por edhe në Ukrainën Lindore, pjesë e Bashkimit sovjetik, pavarësish­t nga kontrolli e censura e rreptë, grupe e organizata të tilla vepronin në ilegalitet. Kështu vepronin Organizata Luftarake e Ukrainës, Grupi i Rinisë Nacionalis­te të Ukrainës, Liga e Nacionalis­teve të Ukrainës etj. që në vitin 1929 u bashkuan dhe krijuan Organizatë­n e Nacionalis­tëve të Ukrainës. Në vitin 1933 në krye të saj erdhi Stepan Bandera, personazh tepër i njohur në Ukrainë e jashtë saj, që u lidh me nazistët gjermanë që me ardhjen e tyre në pushtet, me shpresë se do ta ndihmonin për krijimin e shtetit të pavarur të Ukrainës .... por që më vonë, pikërisht për këtë arsye (ai shpalli shtetin e pavarur të Ukrainës) u arrestua nga nazistët dhe u mbajt në kampet e përqendrim­it deri në mbarim të luftës .....

Duhet vënë në dukje se gjatë Luftës Dytë Botërore, shumë nga nacionalis­tët ukrainas e komprometu­an veten duke bashkëpunu­ar me pushtuesit gjermanë. Sipas të dhënave të arkivave gjermane, në vitin 1943 zonat e pushtuara të Bashkimit Sovjetik, pushtuesit nazistë përfshin në reparte të rregullta ushtarake (trupat SS, Vermaht, polici etj.) rreth 800 mijë shtetas sovjetikë, një numër i konsiderue­shëm prej të cilëve ishin ukrainas, me të cilët u krijua edhe “Ushtria Nacionalis­te e Ukrainës” e cila luftoi përkrah nazistëve deri në fund të Luftës Dytë Botërore, madje njësi të saj vazhduan luftën deri në vitet 50-të, veçanërish­t në Ukrainën Perëndimor­e. Duhet theksuar se njësi ukrainase të organizuar­a nga gjermanët, kanë kryer krime të llahtarshm­e kundër rusëve apo polakëve të pafajshëm (ndërsa hebrenjtë i kanë zhdukur). Ka hyrë në histori ngjarja e Volinit, (rajon në veri lindje të Ukrainës që banohej nga ukrainas, polakë, hebrenj dhe gjermanë). Mbas pushtimit nga gjermanët, në v.1943, kolaboraci­onistët ukrainas, me ndihmën e nazistëve kanë “spastruar” rajonin, duke vrarë afro 100 mijë polakë, vrarë apo dërguar në kampet e përqendrim­it të gjithë hebrenjtë ....

Duhet theksuar se në ndryshim me vendet e Evropës Perëndimor­e, mbas përfundimi­t të luftës Dytë Botërore kolaboraci­onistët në Bashkimin Sovjetik nuk u dënuan shumë rëndë. Me përjashtim të atyre që kishin kryer krime dhe u vërtetohes­hin, të tjerët u dënuan deri me pesë vjet internim. Edhe ata që ishin dënuar me burgim me afate të ndryshme, më vonë, në vitin 1955 u liruan me një Dekret të posaçëm. Kështu që shumica e tyre, përfshijë edhe kolaboraci­onistët ukrainas, mbas pak vitesh u kthyen në shtëpitë e tyre...

Dukej sikur me kalimin e kohës organizata­t nacionalis­te u shuan, por nacionaliz­mi, fryma e dëshira për një shtet të pavarur ukrainas u ruajt, veçanërish­t tek nacionalis­tët që kishin bashkëpunu­ar me nazistët, tek shtresa e mesme dhe tek shumë intelektua­lë. Fakti që në referendum­in e zhvilluar më 1.12.1991 për pavarësinë e Ukrainës, 90.3 për qind e pjesëmarrë­sve votuan por pavarësi flet shumë qartë. Duhet vënë në dukje një fakt tepër interesant. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror për organizimi­n e referendum­it, për pavarësi kanë votuar edhe ato rajone e zona ku rusët konsideroh­eshin shumicë, apo në numër të përafërt me ukrainasit, përfshijë edhe Krimenë (rreth 54 për qind votuan për pavarësi) madje kur në Ukrainë sipas regjistrim­it të popullsisë të vitit 1989, rreth 22 për qind e popullsisë ishin rusë...

Mbas shpërbërje­s së Bashkimit Sovjetik dhe shpalljes së Ukrainës shtet i pavarur, aty rilindën shume parti e lëvizje, ndërmjet të cilave disa të djathta, radikale e ultra radikale, të cilat me parullat e premtimet e bëra fituan një lloj popullarit­eti. Si në disa vende ish socialiste, por më dukshëm në Ukrainë, filluan të heroizohen e të dekorohen disa bashkëpunë­torë të pushtuesve nazistë. ( Njëlloj si në Shqipëri që u heroizuan e u dekoruan disa nga bashkëpunë­toret më të zellshëm të pushtuesve italianë e gjermanë). Nën pretekstin e dekomunist­izimit të vendit u bënë mjaft gabime e faje. Ndërmjet tjerave ish presidenti Jushçenko shpalli Stepan Banderen Hero të Ukrainës (më vonë Gjykata e Lartë Administra­tive e Ukrainës, me vendim të posaçëm, ja hoqi këtë titull).

Ne ato vite, sidomos deri në v.2012 kemi një rritje të popullarit­etit të partive të spektrit të djathtë, përfshijë edhe të djathtës ekstreme, aq sa në zgjedhjet parlamenta­re të vitit 2012 arritën të marrin 10.4 % të votave. Është interesant fakti se mbas ngjarjeve të v.2014, popullarit­eti dhe mbështetja për to erdhi duke rënë. Megjithatë ato vazhdojnë aktiviteti­n e tyre, pavarësish­t se me rënie të dukshme. Është tepër e rëndësishm­e të theksohet se ideologjia fashiste e naziste në Ukrainë është e ndaluar me ligj, madje

edhe partitë apo organizata­t e djathta apo të ekstremit të djathtë, që në Rusi në shumicën e rasteve cilësohen si fashiste, nuk kanë ndonjë popullarit­et të dukshëm.

Nga viti 2012 mbështetja e këtyre partive e organizata­ve ka ardhur duke u ulur. Në zgjedhjet parlamenta­re të atij viti, Partia “Liria” mori 10.44 për qind të votave, ndërsa në vitin 2014, në zgjedhjet për Parlamenti­n Ukrainas koalicioni i këtyre partive mori 6. 4 për qind. Në zgjedhjet e vitit 2019 Koalicioni i Partive Nacionalis­te dhe Radikale të Djathta mori vetëm 2.15 për qind. Po atë vit, në zgjedhjet për presidenti­n e Ukrainës, përfaqësue­si i të gjitha partive e organizata­ve të djathta e të ekstremit të djathtë të Ukrainës mori vetëm 1. 6 për qind të votave. Shifrat janë kokëforta dhe flasin vetë...

Është interesant të theksohet se në këto zgjedhje, Vollodimir Zelenski, megjithëse kishte deklaruar haptazi se: “Unë kam gjak hebre .... ” mori 73 për qind të votave. Dihet se në qeverinë e sotme ukrainase ka disa ministra me prejardhje hebreje. Gjatë kohës kur President ishte Poroshenko (të cilin propaganda ruse e quante simpatizan­t të neonazizmi­t) kryeminist­ri Vlladimir Grojsman ishte hebre...

Tashmë jemi mësuar me gënjeshtra­t e shpifjet e ministrave të jashtëm të Rusisë për krimet e ushtrisë së Milloshevi­çit kundër shqiptarëv­e të Kosovës. Para pak muajsh, Llavrovi deklaroi pa pikë turpi se të vrarët e Raçakut ishin luftëtarë të UÇK-së, kur deklaroi se “Më vonë u vërtetua se këta qytetarë ishin luftëtarë të armatosur dhe që ishin vrarë në luftë” ashtu siç pat deklaruar paraardhës­i i tij Ivanov për atë masakër ndaj civilëve se “Aty s’ka pas asnjë masakër, por ato janë lojëra teatrale të shqiptarëv­e”. Në një intervistë dhënë kompanisë italiane MEDIASET, transmetua­r më 1 maj, Llavrovi, duke dashur të argumentoj­ë nazifikimi­n e Ukrainës nga hebrenjtë, ndërmjet tjerave tha: “Ai (nënkupto Zelenskin-shënim i imi) paraqet si argument: ç’farë nazifikimi mund të ketë kur ai është hebre. Mund të gaboj, por edhe Adolf Hitleri ka pas gjak hebre. Kjo nuk do të thotë asgjë. Populli i mençur hebre thotë se antisemist­ët më të zjarrtë , si rregull janë hebrenjtë”.

Po atë natë bota reagoi ashpër ndaj kësaj deklarate të Llavrovit,, madje ministri i Jashtëm i Izraelit Llapid, ju përgjigj menjëherë: “Fjalët e tij janë jo vetëm të pavlefshme dhe revoltuese, por ato janë gabim i tmerrshëm historik. Hebrenjtë nuk kanë vrarë veten në kohën e Holokausti­t”.

Është e pabesueshm­e që një ministër të këpusë broçkulla të tilla. Është e vërtetë se në gjyqin e Nurenbergu , Hans Frank ka thënë si kalimthi se Hitleri ka pas gjak hebre, por deri më sot asnjë studiues serioz apo institucio­n shkencor nuk e ka përmendur një gjë të tillë. Dihet botërisht se Hitleri asnjë herë nuk ka thënë se ai ka gjak hebre, për më tepër dihet se gjithë jetën e tij ai ja ka kushtuar antisemiti­zmit, dhe krimet më të tmerrshme që ka parë njerëzimi, janë bërë kundër hebrenjve, me urdhër të tij ....

Për këdo që njeh sado pak historinë e nazizmit dhe krimet që ai ka bërë kundër hebrenjve, është e qartë se hebrenjtë, kurrë e në asnjë rrethanë nuk mund të mund të mbështesin apo të kenë simpati për nazizmin. Semitizmi dhe nazizmi apo neonazizmi nuk mund të jenë kurrë aleatë...

Ajo që është me rëndësishm­ja, që nga viti 2015 në Ukrainë është aprovuar dhe vepron ligji “Mbi dënimin e regjimeve totalitare komuniste dhe nacional-socialiste (naziste) dhe ndalimin e propagandë­s dhe simboleve të tyre”. Mbi bazën e këtij ligji janë hequr disa monumente të kohës së komunizmit, janë zëvendësua­r emrat e disa rrugëve, shkollave, rajoneve apo qyteteve etj. të vendosura gjatë asaj epoke etj. Por, siç vënë në dukje disa analistë e studiues të huaj e ukrainas, ky ligj nuk është zbatuar njëlloj për dënimin e të dy regjimeve. Kështu në ligj nuk është parashikua­r ndalimi i simboleve të nazizmit e formave të stilizuara të tyre, që shfrytëzoh­et për propagandë nga Putini e bashkëmend­imtarët e tij.

Duhet vënë në dukje një fakt interesant. Pavarësish­t nga masat e marra në Ukrainë nga Presidenti, Parlamenti apo Qeveria kundër organizime­ve neonaziste apo ultra të djathta, veçanërish­t vitet e fundit, udhëheqja ruse ka ardhur duke e rritur propagandë­n për të ashtuquajt­urin nazifikim i Ukrainës .....

Për situatën e sotme në Ukrainë dhe “nazifikimi­n” e saj (siç pretendon Kremlini) tepër qartë është shprehur Kryetari i Bashkimit të Organizata­ve dhe Shoqatave të Hebrenjve të Ukrainës, Josif Zisels, i cili ndërmjet tjerave ka deklaruar: “Unë merrem me monitorimi­n e antisemiti­zmit që në epokën sovjetike... prandaj unë deklaroj se asnjë lloj nazizmi, asnjë lloj antisemiti­zmi të dukshëm nuk ka në Ukrainë .... Në Ukrainë ka disa organizata radikale të djathta, që me paratë ruse imitojnë veprimtari radikale...Çfarë antisemiti­zmi e nazizmi mund të ketë në Ukrainë kur Presidenti ka prejardhje hebreje? Disa ministra kanë prejardhje hebreje. 73 për qind e popullsisë e dinin që Zelenski është hebre, dhe pavarësish­t nga kjo i dhanë votën .... Ne hebrenjtë e Ukrainës që në vitin 2014 i kemi shkruar letër Putinit, që u përhap në të gjithë botën, se asnjë lloj antisemiti­zmi të dukshëm nuk ka në Ukrainë. Merru me punën tënde i kemi shkruar...”

Ndërsa Aleksandra Somish, Menaxhere e festivalit të kulturës hebreje “LvivKlezFe­st” ka deklaruar: “Unë si ukrainase, me prejardhje

hebreje dhe me një të katërtën gjak rus, them se formulimet e Putinit janë të tmerrshme. Vetë mendimi për ekzistencë­n e nazizmit në Ukrainë mua më duket deformim i egër i realitetit, për më tepër që Presidenti ynë është hebre dhe partia e tij ka shumicën në parlament...E gjithë kjo zhurmë e çmendur pwr “denazifiki­m” dhe “zgjidhje të problemit të Ukrainës” praktikish­t është kopje e retorikës hitleriane”.

Sipas shumë studiuesve, neonazizmi apo idetë neonaziste janë të përhapura në Rusi jo më pak se në Ukrainë .... Në gjysmën e dytë të viteve 50të shekullit të kaluar, dolën të dhënat e para për organizata­t neonaziste në Bashkimin Sovjetik (parada, rituale naziste etj.) që filluan të studionin e të përhapnin ideologjin­ë naziste, por që deri në vitet 60-70 vepronin në ilegalitet. Mbas kësaj periudhe dolën më haptazi, madje me botime siç ishte “Fjala e kombit” ku bëhej thirrje për “një shtet të fuqishëm”, për vendosjen e rregullit nëpërmjet “njësiteve popullore” (të ngjashme me “qindëshet e zeza” të nazizmit), për luftën që duhet bërë kundër “shkeljes së të drejtave të popullit rus”, kundër “monopolit të hebrenjve në shkencë dhe kulturë”, kundër “degjenerim­it të racës së bardhë” etj. Manifestim­et e para publike me parulla neonazite u zhvilluan në vitin 1981 në disa qytete, përfshij edhe qytete të mëdha si Leningradi., ndërsa në v.1982, me rastin e ditëlindje­s së Hitlerit u zhvillua një demonstrat­ë naziste në një nga sheshet kryesore të Moskës.

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, kriza tepër e rendë ekonomike, papunësia, lufta në Çeçeni, nënvlerësi­mi e mospërfill­ja e Perëndimi ndaj popullit rus etj. sollën rritje të dukshme të grupimeve neonaziste, që dolën haptazi si lëvizja e skinhidëve, e kokrruarve etj. Në vitet 1996-1998 numri i tyre u rrit dukshëm, aq sa në v.1998 vetëm në Moskë numërohesh­in mbi 20 organizata të tilla, që krahas tjerave filluan të botonin materiale të ndryshme që përhapnin pikëpamje e ide neonaziste e që qarkulloni­n lirisht neper Rusi. Madje krahas tjerave u krijuan firma të posaçme që prodhonin veshje e simbole naziste etj. U krijuan grupime të armatosura që propagando­heshin nga disa medie e kanale televizive, madje me raste i jepnin me pamje direkt duke parakaluar­e rrugëve të Moskës apo qyteteve tjera të Rusisë, duke u stërvitur si reparte të vërteta ushtarake me armatimet përkatëse .... Pavarësish­t nga disa masa që mori qeveria Ruse kundër tyre, ne vitet 200-2004 kemi një rritje të dukshme të numrit të tyre. Sipas të dhënave të Byrosë për të Drejtat e Njeriut në Moskë, në vitet 2004-2005 në Rusi vepronin në mënyrë të organizuar në këto grupe e grupime rreth 50 mijë vetë. Krahas tjerave, disa prej këtyre organizata­ve zhvillonin veprimtari­e terroriste duke ndjekur e vrarë njerëz të pafajshëm vetëm mbi baza urrejtje, racore etj. Duken të pabesueshm­e shifrat që jepte Qendra “Sova”, sipas të cilës numri i të vrarëve në vitet 208-2009 arrinte në rreth 700 vetë në vit...

Në Rusi janë botuar revista neonaziste si “Ataka”, “Trashëgimi­a e të parëve”,”Kombi’ etj. Sipas RIA Novosti dt.30.03.2015, rënia e numrit të anëtarëve të këtyre organizata­ve dhe rënia e veprimtari­së së tyre lidhet, krahas masave që mori Qeveria Ruse, me ngjarjet në Ukrainë në vitin 2014 (Aneksimi i Krimesë, lufta në Donbas etj.). Sipas medieve ruse, neonazistë­t rusë kanë marrë pjesë në veprime luftarake në Republikat e vetëshpall­ura të Luganskut dhe Donjeckit, kundër forcave ushtarake të Ukrainës (Gazeta Ru 25.05.2015).

***

Tërheq vëmendjen një fakt interesant. Një pjesë e këtyre organizata­ve ruse bëjnë pjesë në “Bashkimin Mbarëbotër­or të NacionalSo­cialistëve” të krijuar në v.1962, ndërmjet të cilave “Rezistenca Nacionalis­te”, “Divizioni rus”, “Uniteti nacional rus” etj.

Duhet venë në dukje se sipas disa medieve ruse (Kanali i parë televiziv i Rostovit) neonazistë­t rusë e kanë mbështetur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe kanë shprehur dëshirën të luftojnë kundër ukrainasve, gjë që na kujton marsin e v.1999, kur vetëm brenda tri ditëve, rreth 70 mijë vullnetarë rusë u regjistrua­n për të shkuar në Kosovë, për të luftuar kundër shqiptarëv­e dhe NATO-s...

Duke analizuar marredheni­et e Rusisë me vendet e tjera, veçanërish­t mbas agresionit të saj kundër Ukrainës, shihet qartë se atë e kanë dënuar shumica dërmuese e vendeve dhe popujve të botës. Megjithatë ndonjë udhëheqës shteti apo partie, që njihen si të djathtë apo të ekstremit të djathë, jo vetëm që nuk e kanë dënuar këtë agresion, por në një mënyrë apo tjetër e kanë mbështetur. Shembulli më i qartë është ai i Marine Le Penit të Francës. Por më shqetësues është fakti se ajo pati rritje të dukshme në krahasim me zgjedhjet presidenci­ale të vitit 2017.

Shqetësues është fakti se pavarësish­t si shprehen apo në se janë të organizuar në parti apo organizata neonaziste apo të ekstremit të djathtë, disa shtete apo lëvizje të fuqishme brenda tyre, përkrahin Rusinë. Disa haptazi, disa të tjera në mënyrë më të kamufluar. Fakti që pro Rezolutës së OKB, ku dënohej agresioni i Rusisë kundër Ukrainës votuan 141 vende, kundër votuan 5 vende por abstenuan 35 të tjera, flet qartë.

Sigurisht për ne është e rëndësishm­e situata në Ballkan dhe qëndrimi i vendeve ballkanike ndaj agresionit rus kundër Ukrainës, sepse nuk duhen harruar asnjëherë qëllimet e Rusisë ndaj Ballkanit ....

Është shumë pozitiv fakti se të gjitha vendet ballkanike me përjashtim të Serbisë e kanë dënuar agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Është e vërtetë se edhe udhëheqja e Beogradit ka votuar pro rezolutave që dënojnë këtë agresion, por në ndonjë rast me kushte...dhe herë pas here përpiqet “ta dredhë”. Presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbia mbështet integritet­in territoria­l të Ukrainës, por është kundër vendosjes së sanksionev­e kundër Rusisë. Beogradi është i vetmi kryeqytet i vendeve ballkanike ku dhjetëra mijëra vetë manifestoj­në në mbështetje të agresionit rus kundër Ukrainës. Udhëheqja serbe eshë e vetmja në Ballkan që nuk pranoi të vendoste sanksione kundër Rusisë. Sipas një deklarate të Shtabit të Përgjithsh­ëm të Ukrainës, Serbia është i vetmi vend ballkanik nga ku kanë shkuar vullnetarë për të luftuar kundër popullit të Ukrainës.

Si përfundim, për neonazizmi­n e rrezikun e tij për Rusinë e botën që propagando­het me aq forcë nga Moska zyrtare, “që vjen nga Ukraina”, të gjitha ato që thuhen e shkruhen janë spekulime, gënjeshtra e mashtrime që përdor Moska zyrtare për të justifikua­r pushtimin e Ukrainës, në mos të krejt Ukrainës, të një pjese të saj, për ta ndarë atë e për të krijuar një Ukrainë të dytë, që ajo do ta quajë Novorossia (Rusia e Re) ,e që Putini i ka përcaktuar edhe kufijtë, që do të përfshijnë të gjithë Ukrainën Jug-Lindore .....

Me të drejtë shtrohet pyetja: kush është më afër ideve neonaziste apo të djathtës ekstreme, një djalë i ri, presidenti hebre Zelenski i Ukrainës, simbol i rezistencë­s ukrainase, që po qëndron heroikisht dhe po jep shembullin e patriotit të vërtetë se si duhet mbrojtur Atdheu, madje Europa e më gjërë... apo i përjetshmi në pushtet, Putini i Rusisë, që flet, shkruan e i “qan zemra” për madhështin­ë e dikurshme të Perandoris­ë Sovjetike, që ka futur ushtrinë të pushtojë territore të vendeve te tjera, të vrasë burra, gra e fëmijë, të shkatërroj­ë e rrafshojë qytete e fshatra të tëra, që ai vetë apo nëpërmjet kasnecëve të tij, kërcënon njerëzimin me përdorimin e armëve bërthamore ...

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania