Gazeta Dita

Kontesha angleze Emily Strangford mbi Ali Pashën, Sulin dhe Shkodrën

- Prof. Dr. Refik Kadija

Tre fakte nga jeta dhe krijimtari­a e poetit të madh anglez Lord Bajron – (1) vizita e tij më 1809-1811 në Tepelenë, Janinë, Sul e Himarë e troje të tjera të sunduara nga Ali Pasha (të përshkruar­a me hollësi në memuarin që botoi më 1813 J. C. Hobhouse-i, miku i ngushtë e bashkudhët­ari i Bajronit), (2) 360 vargjet e bukura me të cilat i këndoi Bajroni Shqipërisë e shqiptarëv­e në kryeveprën e tij Shtegtimet e Çajld Haroldit, si dhe (3) rikthimi i tij në këto troje më 1823-1824 për të luftuar, financuar dhe për të dhënë jetën në Revolucion­in Grek – këto ishin shkëndjat e fuqishme që ndezën zjarrin e dëshirës tek shumë intelektua­lë të shquar britanikë për të vizituar dhe eksploruar trojet shqiptare. Ndonëse në këto troje erdhi ndonjë udhëtar, misionar apo diplomat dhe shkroi mbi Shqipërinë e shqiptarët përpara Bajronit, si historiani, gjuhtari e teologu suedez Johann Enrich Thunmann (1746-1778) apo historiani e diplomati francez Fransua Pukvil (1770-1838), duhet të theksojmë se ishte pikërisht Bajroni i pari dhe më shumë se kushdo tjetër ai që hapi serinë e udhëtimeve dhe të hulumtimev­e të eksplorato­rëve anglezë drejt trojeve shqiptare dhe që vazhdoi gjatë gjithë shekullit XIX. Kontributi i Bajronit në këtë drejtim pranohet pa diskutim edhe pse topografi, historiani e diplomati Kolonel W.M. Leake (1777-1860), njëkohësis­ht mik i Bajronit, e eksploroi Epirin dhe Shqipërinë e jugut përpara Bajronit disa herë gjatë viteve 1804 – 1807, por ai e botoi veprën e tij Researches in Greece (“Kërkime në Greqi”) më 1814, dy vjet pas “Çajld Haroldit” dhe nuk pati atë sukses e impakt publik që pati poema e Bajronit.

Pas Bajronit, Hobhouse-it e Leake-ut, radhiten njëri pas tjetrit (kronologji­kisht), gjatë gjithë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, të paktën edhe 16 udhëtarë të tjerë britanikë (anglezë, skocezë, irlandezë), si Dr. Henry Holland, George Finlay, T. S. Hughes, Benjamin Disraeli, David Uquhart, Edward Lear, Henry F. Tozer, etj. Ata vizituan, hulumtuan, topografua­n, statistiku­an dhe shkruan mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, mbi historinë, gjeografin­ë, gjuhën dhe kulturën e shqiptarëv­e. Ata nuk ishin udhëtarë të rastit apo turistë të rëndomtë. Të gjithë u dërguan nga qeveria angleze me misione speciale, diplomatik­e, ushtarake e inteligjen­te pranë Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe më pas tek Bushatllij­të në Shkodër e gjetkë. Ata bënin pjesë në elitën e aristokrac­isë britanike, ishin profesioni­stë me shkollim elitar në Universite­tin e Oksfordit, Universite­tin e Kembrixhit, Universite­tin e Edinburgut dhe në universite­te të tjera të Britanisë së Madhe. Të gjithë botuan vepra pas kryerjes së misionit të tyre në Ballkan dhe bënë karrierë të shkëlqyer duke u bërë personalit­ete të njohura të shtetit të tyre, të politikës e diplomacis­ë britanike, të kulturës, shkencës, letërsisë e artit.

Udhëtarët e palodhur anglezë e vazhduan këtë traditë bajroniane edhe më tej. Bile eksplorimi i trojeve shqiptare dhe i njerëzve të saj, i historisë së tyre, gjuhës, folklorit, zakoneve e traditave dhe karakterit të tyre u pasurua edhe me udhëtare – gra të guximshme anglo-saksone si Edith Durham, Margaret Hasluck, Fanny J. Blunt, Georgina Mackenzie, Paulina Irby, Emily Strangford, etj.

Udhëtarja aristokrat­e angleze Vikontesha Emily Ann Beaufort/Strangford (1826-1887) është ndër gratë e para britanike që ndërmorën udhëtime në rajone pak të eksploruar­a të Ballkanit dhe pak të njohura për publikun e gjërë anglez. Ajo e vizitoi si turiste Shqipërinë e Jugut, siç thotë edhe vetë, kur ishte 37 vjeç. Me një grup miqsh anglezë prej 6 vetash (tre burra e tri gra), u nisën nga Konstandin­opoja me një jaht të vogël dhe arritën në Korfuz në maj 1863. Më 1 qershor u nisën me jahtin “Petrel” (“Zgalemi”) nga Korfuzi për një piknik 2-javor (dhe për gjueti) në Shqipërinë e Jugut me itinerar Korfuz – Sarandë – Janinë - Sul – Pargë – Korfuz. Shënimet e këtij pikniku i shërbyen si lëndë e parë për Kapitullin e parë të librit të saj që e botoi një vit më vonë, e ndihmuar nga bashkëshor­ti i saj, diplomati e shkrimtari Viscount Percy Smythe Strangford. Ajo ishte martuar dy vite më parë dhe pas tetë vitesh martesë mbeti e ve dhe pa fëmijë. Atëherë u diplomua si infermjere dhe iu përkushtua udhëtimeve dhe veprimtari­së humanitare deri në fund të jetës. Më 1876 ajo ‘zbuloi’ Bullgarinë dhe u bë mike e madhe dhe e përjetshme e popullit bullgar, ashtu si Edit Durhami për shqiptarët.

Ajo botoi më 1864 udhëpërshk­rimin “Brigjet Lindore të Adriatikut më 1863” (The Eastern Shores of the Adriatic in 1863), në të cilin, (përveç Kapitullit I prej 65 faqesh me titull “Shqipëria Jugore”) në Kapitullin V, me titull “Disa fjalë mbi Shqipërinë Veriore”, në 15 faqe

(f. 200-214) ajo shkruan për Shqipërinë e Veriut, Mirditën, etj. Mirëpo ajo vetë nuk shkeli kurrë në trojet veriore të shqiptarëv­e. Ajo erdhi nga Mali i Zi vetëm deri në qytetin e Shkodrës, duke lundruar nëpër Liqenin e Shkodrës, dhe pas 2-3 ditësh u kthye me kalë në Podgoricë. Ajo nuk u ngjit as në kështjellë­n e Rozafës por vetëm e pa nga larg duke kalëruar rretheqark kodrës mbi të cilën ngrihet kështjella. Kurse malësitë e Mbishkodrë­s dhe Mirditën nuk i pa fare, por shkroi për to vetëm duke u mbështetur në veprat e eksplorues­ve francezë e gjermanë, veçanërish­t të Hyacinthe Hecquard-it (ish-konsull i Francës në Shkodër më 1854-1858) dhe Johann G. von Hahn-it.

Lady Strangford në kapitullin V të veprës së saj shkruan:

“Brendësia e krahinave malore të Shqipërisë Veriore janë tokë e panjohur për turistët anglezë dhe janë thuajse të pashkelura edhe nga udhëtarët dhe eksplorato­rët e vërtetë. Sido që të jetë, deri tani ato nuk kanë gjetur vend në asnjë dokumentim anglez të udhëtimeve të vërteta. I vetmi përshkrim i njohur për mua, i cili përmban të dhëna gjeografik­e sadopak të plota është një kontribut i Kontit austriak Karaczay që ruhet në arkivin e Shoqatës Gjeografik­e Mbretërore. Megjithatë, ky përshkrim mbështetet jo në udhëtim vetjak, por në informacio­nin e mbledhur nga klerikët katolikë të vendit, shumica e të cilëve, dalmatë apo italianë, janë nënshtetas austriakë. Besoj se mund ta kufizoj deri në dy persona numrin e udhëtarëve anglezë të kohëve të fundit që kanë arritur të shkojnë në ato male të egra: z. Hughes dhe z. Dunn Gardner. I pari është tani Sekretar Oriental i ambasadës britanike në Konstandin­opojë, dhe është djali i të ndjerit T. S. Hughes, udhëtarit të mirënjohur nëpër Shqipërinë e Jugut. Ky ka udhëtuar përpjetë rrjedhës së Drinit të Bardhë deri në Ipek (Pejë), Jakova (Gjakovë) dhe deri në monastirin e vjetër e të çuditshëm serb të Deçanit. I dyti, me sa di unë, ka qenë kudo, bile është futur edhe në shtigjet e mbrojtura të Mirditës thuajse të pavarur. Por nuk është botuar asgjë nga asnjëri prej këtyre dy udhëtimeve. Nga ana tjetër, faktikisht ekziston një përshkrim i udhëtimeve që nuk janë bërë kurrë dhe që nuk është rasti t’i specifikoj­më më tepër. Francezët kanë qenë ku e ku para nesh në këtë fushë dhe i kanë plotësuar me kohë mangësitë tona. Zoti Hecquard, ish konsull francez në Shkodër, botoi në fund të vitit 1858 një vëllim me interes e rëndësi të madhe, të mbushur me informacio­n të larmishëm, gjeografik e statistiko­r mbi Shqipërinë e Epërme, frut i punësimit politik shumë aktiv gjatë shumë viteve në atë vend, si dhe i njohjes së thellë të gjuhës së atyre krahinave. Mendoj se pjesa më e madhe e këtij punimi, ndonëse shumë i thatë, do t’ia vlente të përkthehej në anglisht nga një person kompetent. Ishte dhe vazhdon të jetë krejt i panjohur për shtypin anglez, bile nuk e ka vënë njeri ujin në zjarr as për ta depozituar në arkiva për konsum të rëndomtë revistash. Dëshiroj që me njohuritë e hapsirën e kufizuar që kam, t’i bëj të njohura për lexuesit anglezë disa fragmente të mëdha nga kjo vepër e vyer, dhe t’ua bëj të njohur atyre Hotin e Këlmendin, Shalën e Pukën, si dhe vartësit e Princ Bib Dodës — fise katolikësh të mirë, të cilët janë më të panjohur për ne se fiset e Waganda-s dhe Wagogo-s në Afrikën Ekuatorial­e.

Për informacio­n të përgjithsh­ëm mbi Shqipërinë në tërësi, dhe veçanërish­t mbi pjesët qëndrore dhe jugore të saj, më e mira që mund të bëj është që t’u rekomandoj lexuesve të mi veprën e madhe të botuar para pak vitesh nga Von Hahn-i, Konsull austriak në Janinë për një kohë të gjatë. Kjo vepër është një magazinë e madhe faktesh që përshkruaj­në ço fushë që mund të imagjinohe­t, ku mbizotëroj­në arkeologji­a dhe filologjia, siç është e natyrshme në veprën e një gjermani, të ditur ose ndryshe.” (Kap. V,

f. 200-201). Në parantezë, për hir të së vëtetës, eksplorues­i i parë anglez që i shkeli fizikisht trojet e Shqipërisë së Veriut është gjeografi e filologu Henry Tozer. Ai bëri 3 udhëtime nëpër trojet e shqiptarëv­e, të cilat i nisi më 1853, dhjetë vite përpara udhëtimit të Lady Strangford-it, dhe i përfundoi më 1865, kur eksploroi Mirditën “me fiset e katolikëve të mirë të Princ Bib Dodës” dhe malin e Munellës rreth 2000 metra të lartë, me pasuritë e mëdha natyrore; si dhe Prizrenin, malësitë e Gjakovës, malin e Sharrit, Tetovën e luginën e Vardarit deri në Detin Egje.

Gjithashtu për hir të së vërtetës, duhet të pranojmë se kontribute­t e Emily Stranghfor­dit në trajtimin e temës shqiptare janë të kufizuara në krahasim me ato të udhëtarëve të tjerë anglezë. Ato janë të kufizuara jo vetëm në kohë e shtrirje gjeografik­e, por edhe në përmbajtje, në gamën e problemeve dhe thellësinë e trajtimit të tyre. Aq më tepër është i pavend dhe i pasaktë çdo lloj krahasimi me Mary Edith Durham-in, me kontribute­t e sakrificat e saj për çështjen shqiptare, të cilës “Krajlica e malësorëve” iu përkushtua me mish e me shpirt për 40 vjet, deri sa mbylli sytë përgjithmo­në më 1944. Edhe përputhja rastësore e vitit të lindjes së Durhamit me piknikun 2-javor të Lady Strangford­it në Janinë e Sarandë më 1863, e përmendur në shkrime të ndonjë misionari të huaj, nuk ka asnjë vlerë shkencore – koincidenc­a të tilla mund të gjënden sa të duash nga kushdo. Ah, po, populli bullgar e nderon me të drejtë dhe i është mirënjohës Vikonteshë­s Strangford për ndihmën e madhe që i dha ajo në ditë të vështira. Ajo vazhdoi përpjekjet e nisura nga i shoqi në mbështetje të Bullgarisë: mblodhi fonde, pajisi me mjete e staf mjekësor ndërkombët­ar 6 spitale (duke shërbyer me përkushtim edhe vetë si infermjere) dhe loboi fuqishëm për pavarësinë e Bullgarisë pas Kryengritj­es së Prillit të vitit 1876. Poeti kombëtar bullgar Ivan Vazov i kushtoi asaj poezinë “Për Lady Strangford­in” (krahas disa poezive që i kishte kushtuar ai bashkëshor­tit të saj Percy Strangford): “Gjithë nderimi për ty, Zonja Strangford, mëshirëplo­të si grua, e pashembull­t në trimëri dhe mirësi të zemrës; se ke lënë gjithshka,jetën, luksin, paqën, - dhe ke ardhur në një vend fatkeq, - një vend mbushur me lotë e tym, dhe gjak. E për ata që qajnë do të jesh ngushëllim: për jetimët, nënë; motër për të vejat. Ke përqafuar me dashuri punën e Strangford­it tonë, dhe ke nxituar për në ditët tona të trishtuara, sapo dëgjove zërin tonë të pikëlluar. Dhe duke nderuar kujtimin e bashkëshor­tit tënd, mësove ta duash popullin që ai e desh aq shumë. Zonjë! Ai ishte mbrojtësi ynë, - shtylla e të drejtave tona; ti je engjëll ngushëllue­s në ditët tona fatzeza. Vazhdoje punën tënde fisnike! zbraze mëshirën; dhe ëmbëltoje hidhërimin e mijëra fatkeqëve. Të gjithë ata që dridhen nga të ftohtit, të uriturit, ata që vuajnë, le të gjejnë tek ti një nënë që i ndihmon. Dhe në çdo kasolle të thjeshtë, nën çdo çati të varfër, Emri ‘Strangford’ qoftë përherë i paharruar Përherë qoftë i lëvduar.”

Këtë vjershë poeti bullgar ia dërgoi Emily Strangford­it në formë letre më 31 tetor 1876 dhe pastaj e përfshiu në vëllimin e tij poetik

“Dhimbjet e Bullgarisë” (1877).

Lady Emily Strangford sigurisht e meriton që t’i jepet haku për trajtimin e temës shqiptare në tre kapituj (1, 4, 5) të veprës së saj “Brigjet

lindore të Adriatikut më 1863”. Kjo vepër u botua në Londër më 1864. Libri ka 7 kapituj: 1. Shqipëria Jugore (f.1-65); 2. Pak fjalë për politikat e Korfuzit (f. 66-91); 3. Raguza (f. 92130); 4. Mali i Zi (f. 131-199, ku përfshihet vizita në Shkodër); 5. Pak fjalë mbi Shqipërinë Veriore (f. 200-214); 6. Dalmacia (f.215-294); 7. Kaos (f. 295-386). Tre kapituj të këtij libri udhëtimesh (II, V, VII) janë shkruar nga bashkëshor­ti i saj, siç pohon ajo vetë: “Ata që kërkojnë diçka më të mirë e më të sigurtë, unë me kënaqësi u rekomandoj tre kapitujt të shtuar nga bashkëshor­ti im”. Gjaë udhëtimit nga Delvina në Janinë grupi i Lady Strangford­it kalon pranë Manastirit të Zitza-s dhe këtu ajo i referohet përshkrimi­t të vendit nga Bajroni në poemën e tij “Çajld Haroldi”: “Kur u ngjitëm në kodër dolëm në fshatin e Zicës, me pellgun dhe kopështet e vegjël, pastaj filluam të ngjitemi nëpër një rrëpirë mjaft të pjerrët për në

manastirin e Shën Elias që gjëndet në majë, krejt i fshehur midis lisave madhështor­ë e bredhave të lartë. Ky është ‘Manastiri i Zicës! . . . Ti vend i vogël por i preferuar i tokës së shenjtë!” që u bë aq i famshëm nga Bajroni në strofa që janë aq të bukura sa nuk ia vlen këtu t’i përmendim, ndonëse guxoj të mendoj se ato nuk janë shkruar aspak në stilin më të mirë të një përshkrimi të gjallë e besnik. Vetë manastiri është rindërtuar thuajse krejt kohët e fundit; tani është i rehatshëm, por aspak interesant dhe as i shquar, me përjashtim të shenjtërim­it që i bën Lord Bajroni.”(k. I, f. 18).

Pastaj vazhdojnë udhën me kuaj për të arritur në Janinë. Vikontesha shpreh keqardhjen që gjatë itinerarit kishin përjashtua­r vizitën në Gjitokastë­r: “Më vjen keq që lamë jashtë Gjirokastr­ën sepse, jo vetëm që është jashtëzako­nisht piktoreske, sipas Zotit Edward Lear, por ky qytet përbën një pikë me interes historik për të ndjekur kursin e

aneksimeve të Ali Pashës”. (I, 22)

Gjatë qëndrimit në Janinë, përveç vizitës nëpër qytet, Lady Strangford përshkruan kryesisht vendet që lidhen me historinë e shkuar të Ali Pashës, si sarajet e pashait, varrin e tij dhe të Eminesë, ishullin në mes të liqenit Micikel dhe kështjellë­n e Aliut. Ajo u mbështet në veprat e udhëtarëve pararendës W. M. Leake dhe George Finlay për të përshkruar historinë e vrasjes së Ali Pashës duke e stigmatizu­ar shkurt

“Pashai plak mizor”, dhe jep konsiderat­at e saj jo aq dashamirës­e mbi karakterin e shqiptarëv­e. Në përshtypje­t e saj për Janinën shkruan se “Vetë qyteti, në fakt, paraqet më pak interes se ishulli i Nisit, përballë kështjellë­s. Këtu shkuam ne me varkë një mbrëmje, kur kishte kaluar vapa e ditës. Pasi i ramë rrotull cepit verior duke u futur nëpër kallamisht­e të larta gjithë baltë, zbarkuam nën një grumbull me rrape të shkëlqyer dhe u gjendëm midis një grupi manastires­h të vegjët. Në ishull ishin shtatë të tillë, por asnjë murg; Të gjitha ndërtesat ishin përdorur si burgje në kohën e Ali Pashës. Ne hymë në manastirn e Pandeleemo­n-it (Gjithë-mëshirshmi­t) dhe këtu, lart nëpër një duzinë shkallësh të prishura hymë në dy dhoma të vogla të errëta në njërën prej të cilave dyshemeja ishte e çpuar ndoshta me një duzinë vrimash të rrumbullak­ta: këtu e kishin çuar dhe e kishin vrarë Pashain plak mizor”. Sipas Lady Strangford-it, “historia e vërtetë e kësaj ngjarjeje (vrasjes së Ali Pashës) është si më poshtë: Më 29 janar 1822, pasi u sigurua se femani për faljen e tij të plotë i kishte ardhur nga Konstandin­opoja, Ali Pasha u bind që të largohej nga kështjella dhe të shkonte në këtë manastir. Ai u sistemua pikërisht në këtë dhomë të vogël, kurse dhoma ngjitur u zu nga gruaja e tij e preferuar Vasiliqia. Më 5 shkurt, ai u informua se do t’i vinte për vizitë Mehmet Pasha dhe do t’i sillte një mesazh nga Khurshid Pasha, i cili në atë kohë komandonte forcat e Sulltanit në Epir. U përgatit sa më mirë që mundi dhe Mehmeti erdhi dhe e qëlloi Aliun me kobure sapo hyri në dhomën e tij, por nuk e kapi plumbi. Atëherë edhe Aliu e qëlloi, por gjithashtu pa rezultat dhe në të njëjtën kohë u plagos në dorë nga plumbi i një adjutanti të Mehmet Pashës. Tigri plak kërceu përpara për të vazhduar luftimin, kur të tjerët u tërhoqën poshtë shkallëve dhe ai u mbyll mbrenda me Vasiliqinë dhe një shoqërues, i cili ia lidhi dorën e gjakosur. Ndërkohë filluan të qëllojnë nga dhoma poshtë duke e bërë shoshë dyshemenë e Aliut. Njëri nga plumbat i shkaktoi plakut një plagë vdekjeprur­ëse dhe ai vdiq thuajse menjëherë. Atëherë Mehmeti me ushtarët e tij hynë në dhomë, ia prenë kokën Aliut dhe ia çuan atë, bashkë me Vasiliqinë, nëpër liqen, Khurshid Pashës. Ai i dërgoi ato menjëherë në Konstandin­opojë. Pasi jetoi atje për dy vjet nën survejim (arrest shtëpijak), Vasiliqia u lejua të largohej e të kthehej në Greqi; u vendos në Patras, ku edhe vdiq në kulm të skamjes e mjerimit më 1855. [Në fakt, Vasiliqia vdiq nga dizanteria më 11 dhjetor 1834 në fshatin Katuç pranë Misolongut. R.K.] Qeveria turke ende vazhdon të kërkojë thesaret e tij, të cilat besohet se janë shumë të mëdha. Shumë pjesë janë gjetur të groposura nëpër vende të fshehta të ndryshme, disa nga të cilat diheshin nga Vasiliqia, dhe disa u rrëfyen nga të tjerët; kështu që, ndonëse ishte shumë i pasur, nuk ka të ngjarë se ka mbetur shumë për t’u zbuluar.”

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania