Gazeta Dita

Shtypi çiftin dhe foshnjën në vizat e bardha, burg për Ajas Sulejmanin

-

Gjykata e Tiranës dha masën e ndalimit për 39-vjeçarin e proceduar tetë herë më parë nga Policia Rrugore për shkelje të ndryshme. Përplasi te “Rruga e Kavajës” prindërit dhe fëmijën e sapolindur, duke i plagosur. Pretendon se s’i mbajtën frenat dhe se s’kishte konsumuar drogë. Avokati Hyseni kërkon lirimin me “arrest shtëpie”, me argumentin se ka 3 fëmijë, nuk përbën rrezik arratie dhe se s’kanë dalë analizat e gjakut për lëndët psikotrope

Gjykata e Tiranës la në masën “arrest me burg” të ndaluarin Ajas Sulejmani, i akuzuar për aksidentin dramatik te “Rruga e Kavajës” ditën e diel, ku përplasi me fuoristrad­ën e tij luksoze çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre 3-muajshe, që u plagosën rëndë. Pas një seance me dyer të mbyllura dhe ku interesi i mediave ishte i lartë, gjyqtarja e gatshme vlerësoi të ligjshëm ndalimin dhe të drejtë kërkesën e Prokuroris­ë, mbi bazën e provave paraprake në dosje, pamjeve filmike, gjurmëve dhe dëshmive. Sulejmani, shofer problemati­k i proceduar 8 herë më parë nga Policia Rrugore, i dyshuar edhe si përdorues apo shpërndarë­s i lëndëve narkotike më herët, deri në SHBA, do të qëndrojë në qelinë e paraburgim­it. Avokati kërkoi masë të lehtë sigurie, duke pretenduar faktorë të tjerë që ndikuan tek aksidenti dhe jo pakujdesia e drejtuesit. Vetë Sulejmani është justifikua­r se mjetit të tij “G-Class” me targa gjermane nuk i mbajtën frenat në semaforin e kuq dhe te vizat e bardha, pasi po udhëtonte vetëm me 40 km në orë.

Sulejmani nuk foli në sallën e gjyqit, por në dëshminë e dhënë para oficerëve, është shprehur se pas ngjarjes është larguar pasi kishte në makinë vajzën e tij të vogël dhe e ka dërguar atë në spital, ndërsa theksoi se ishte i traumatizu­ar. Ai ka mohuar se ka qenë i droguar në momentin e ngjarjes, duke hedhur poshtë rezultatet e analizave paraprake që iu bënë nga Policia e Tiranës, duke kërkuar kryerjen e analizave të gjakut. I dyshuari pretendoi se nuk ka konsumuar kurrë drogë në jetën e tij dhe se merrej me palestër.

Avokati Elton Hyseni argumentoi se klienti i tij duhet liruar për sa kohë nuk ka dalë ende akt-ekspertimi i gjakut dhe nëse qëndron në arrest shtëpiak nuk rrezikon të prishë provat, pasi të gjitha tashmë janë administru­ar nga Prokuroria, ashtu sikundër sipas tij, nuk ka as rrezik të arratiset.

“Kërkova një masë më të lehtë, burg me afat ose arrest shtëpie. Nuk ka rrezik për prishje të provave sepse provat janë marrë tashmë nga prokuroria, nuk ekziston rreziku i ikjes. Ka tre fëmijë të mitur”, tha avokati Elton Hyseni. Por pavarësish­t pretendime­ve të avokatit, për t’iu caktuar arrest në shtëpi, duke qenë se është baba i 3 fëmijëve të mitur, masa e sigurisë u vendos arrest me burg.

Ndaj Sulejmanit rëndojnë akuzat për shkelje të rregullave të qarkullimi­t, drejtim mjeti në mënyrë të parregullt dhe largim nga vendi i aksidentit.

Ajas Sulejmani shkeli semaforin duke kaluar me të kuqe ku përplasi prindërit dhe foshnjen që fatmirësis­ht nuk u lëndua, ndërsa çifti i bashkëshor­tëve Vilma dhe Arjan Konomi, ndodhen në spital. Të dyshuarit pas arrestimit në një spital privat në periferi të kryeqyteti­t, iu hoq patenta për dy vite dhe u gjobit me 105 mijë lekë të reja. Policia konfirmoi se edhe më parë ka qenë kundravajt­ës në tetë raste dhe në një prej tyre i dyshuar se qarkullont­e me lëndë narkotike. Në vitin 2014 ai ka qenë i akuzuar edhe nga policia amerikane në Illinois të SHBA-ve, po për shkelje në fushën e lëndëve narkotike.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania