Gazeta Dita

NDËRTIMI DHE KROMI, BURIME MADHORE TË MASHTRIMIT ME TVSH-NË

- Nga GJERGJ EREBARA

Qeveria shqiptare e kryeminist­rit Edi Rama njoftoi së fundmi se do të shënjestro­jë të ardhurat e një numri të vogël shqiptarës­h të prezantuar si klasa e profesioni­stëve, të cilët sipas tij përfitojnë nga sistemi aktual fiskal duke paguar taksa minimale përkundrej­t të ardhurave që i bëjnë ata të jenë shtresë e mesme.

Por ndryshe nga kryeminist­ri, një raport i Fondit Monetar Ndërkombët­ar vëren se shqetësime­t më të mëdha në sistemin fiskal shqiptar janë në sektorë të tjerë, konkretish­t në sektorin e kontraktim­it të punëve publike dhe në sektorin e shfrytëzim­it të minierave të kromit.

Këto dy sektorë, të cilët kontrolloh­en nga një numër biznesmenë­sh të lidhur politikish­t, raportohen nga FMN si “burime madhore të mashtrimit me TVSH-në”.

Fondi Monetar Ndërkombët­ar publikoi një raport së fundmi, i cili përmban një analizë të sistemit tatimor shqiptar dhe problemeve që ai ka.

Ndërtimi, thotë raporti, është një sektor me shmangie të mëdha në pagimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Dhe për rrjedhojë, raporti këshillon “fokusimin në sektorin e ndërtimit”. FMN vëren gjithashtu se sektori i kromit është një burim i madh i mashtrimit me TVSH-në.

Konkluzion­et e FMN-së nuk lidhen me sektorin e ndërtimit të banesave, sepse tani për tani, nuk ka TVSH për shitjen e parë të banesave. Fokusi i raportit qëndron te ndërtimi i objekteve jorezidenc­iale, të tilla si rrugë, shkolla apo projektet e Rilindjes Urbane.

“Ndërsa nënraporti­mi i TVSH-së është i gjithëpërh­apur në të gjithë ekonominë shqiptare, sektori i ndërtimit qëndron më vete si veçanërish­t problemati­k,” thotë FMN.

“Shënjestro sektorin e ndërtimit për vëmendje të veçantë dhe shqyrto mundësinë e vendosjes së një regjimi “përgjegjës­ie të përmbysur” për të parandalua­r humbjet e taksave në zinxhirin e furnizimit nga nënkontrak­torët,” shton raporti.

FMN e ka analizuar saktë situatën, por jo mjaftueshë­m. Skemat të cilave ajo u referohet nuk janë thjesht shmangie fiskale, janë mashtrim fiskal. Dhe ky mashtrim fiskal dukshëm nuk kryhet nga kompani të vogla dhe të pakapshme, por nga kontraktor­ët e mëdhenj të punëve publike.

Skema funksionon pak a shumë kështu: Një kontraktor merr një kontratë nga një ent qeveritar, fjala vjen, Autoriteti Rrugor Shqiptar. Bashkë me kontratën, ai merr edhe rolin e agjentit tatimor. Pra i faturon punimet me 20% TVSH Autoriteti­t Rrugor dhe TVSH-në e marrë nga Autoriteti, ia derdh tatimeve. Por kontraktor­i në fjalë ka edhe TVSH të zbritshme. Ai merr fatura nga furnitorë të ndryshëm, për mallra dhe shërbime.

Vetëm se në Shqipëri, ka shumë raste që këto fatura lëshohen nga kompani të paqena, të cilat, pasi lëshojnë fatura prej miliona eurosh, “braktisen” nga pronarët e tyre. Tatimet mund t’i identifiko­jnë këto kompani dhe t’i çojnë në ndjekje penale, por ndërkohë, dënimi i pronarëve të tyre me disa muaj burg vështirë se e zhbën dëmin prej miliona eurosh që kanë pësuar taksapague­sit.

Skema e faturave inekzisten­te ka prekur disa nga kontratat më të mëdha të punëve publike të qeverisë, mes të cilëve incinerato­rët.

Kontraktor­ët që pranojnë fatura dukshëm të falsifikua­ra, nga kompani pa aktivitet real, nuk kanë përgjegjës­i ligjore, sepse ata supozohet se ia kanë paguar faturën me TVSH të plotë këtyre kompanive, ndërsa janë këto kompani përgjegjës­e se pse nuk e kanë derdhur TVSH-në në Tatime.

Zgjidhja për këtë situatë, sipas FMN-së, është që të zbatohet ngarkesa e përmbysur e TVSH-së, në të cilën, kompania kontraktor­e mban detyrimin për pagimin e TVSH-së, kur nënkontrak­torët e saj dështojnë ta paguajnë.

“Kjo skemë mbron përkundrej­t nën-kontraktor­ëve poshtë në zinxhirin e furnizimit, të cilët supozohet se faturojnë TVSH, por pastaj zhduken,” thotë FMN.

Sektori i kromit identifiko­het në raportin e FMN-së si “një mashtrim madhor i brendshëm me TVSH-në në Shqipëri”.

Skema e kromit nuk është shpjeguar nga FMN, por kompanitë e kromit rezultojnë përfituese të dhjetramil­iona eurove TVSH të rimbursuar përgjatë viteve të fundit.

Përkundër shqetësime­ve të ngritura nga FMN, kryeminist­ri Rama paralajmër­oi se ndryshimet fiskale të pritshme do të targetojnë klasën e profesioni­stëve.

Këta persona kanë krijuar kompani të vogla të njohur si persona fizikë, të regjistrua­r si biznes i vogël pa TVSH. Ata i faturojnë kompanitë ku janë të punësuar me fatura, në vend që të jenë të punësuar me pagë. Këta persona, sipas propozimit, do të duhet të paguajnë për fitimet neto të tyre tatim progresiv. Ndërkohë, tatimi mbi dividentin, tatimi që paguajnë pronarët e kompanive për fitimet që tërheqin nga kompanitë, do të vijojë të mbetet 8%.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania