Gazeta Dita

Hoxhaj: Dumanit iu bllokua automatiku, unë qëllova! I penduari Alla: Dumani ishte i rrezikshëm, më kërcënoi se do më vriste motrën!

-

Henrik Hoxhaj, bashkëpunë­tori i drejtësisë ka treguar për grupin hetimor, detaje nga vrasja e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj, e cila ndodhi pasditen e 27 prillit 2020. I penduari ka deklaruar se për këtë “punë” gjatë kohës së pandemisë është kontaktuar nga Nuredin Dumani për eliminimin e Besmir Haxhiajt, për një shumë prej 70 mijë euro. Hoxhaj shtoi se në pritë Besmir Haxhiajn e ka nxjerrë Klevis Alla, i cili ishte edhe shofer i makinës tip “Toyota”. Ata kanë lënë takim për tek pazari i makinave në Shënavlash. Shkak ishte humbja e parave që Talo Çela dhe Nuredin Dumani i kishin lënë viktimave në ruajtje, pas grabitjes në Rinas. Besmir Haxhiaj kishte qenë bashkë me të vëllanë. Në këtë moment makina e autorëve ka dalë paralel me të dy vëllezërve Haxhia dhe në këtë moment është hapur zjarr ndaj tyre, mirëpo ai që ka qëlluar ishte vetë Hoxhaj, pasi Dumanit i ngeci arma. “Nuredini zbriti nga makina dhe gjuajti përsëri, por në këtë moment atij i ngec automatiku dhe unë duke parë këtë gjë hapa derën dhe mora automatiku­n tjetër dhe gjuajta dhe disa fishekë drejt Golfit, dhe më pas ika. Nuk e mbaj mend se nga cila rrugë ikëm. Unë dhe Dumani kemi hipur në makinë, në një mjet tip Benz dhe jemi larguar drejt Tiranës. E pyeta Dumanin nëse shoferi e kishte djegur mjetin apo jo. Dumani më tha që e kishte djegur. Më pas mora vesh në media që ishte kapur shoferi ynë Klevis Alla bashkë me makinën. Kur kam parë fytyrën e tij në TV e pashë se ishte i njëjti person që ishte në makinë me mua dhe Nuredinin”, është shprehur Hoxhaj.

Alla ka dëshmuar se Nuredin Dumani ishte një person shumë i rrezikshëm, që e njihte shumë mirë dhe i cili kishte shumë njohje dhe lidhje në Policinë e Durrësit, ndaj e kishte frikë. Po kështu ka deklaruar se Nuredini e ka kërcënuar nëpërmjet telefonit se do i vriste motrën.

Më shumë se 12 janë ngjarjet kriminale mendohet se janë zbardhur nga dëshmia e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, pas arrestimit. SPAK ka goditur 8 grupe kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan dhe bëhet fjalë për krimet ndër më të rëndat në këto vitet e fundit, ekzekutime mafioze por edhe urdhra për vrasje. Kjo ngjarje u zbërthye fal dëshmisë së të penduarit Klevis Alla, që nxori në dritë të paktën 6 persona të përfshirë, tashmë të arrestuar.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania