Gazeta Dita

Tirana sot vlen sa Shqipëria e 2006-ës, prodhon 7.2 mld euro në vit, ose 20 milionë euro në një ditë

Prodhimi ekonomik i projektuar i Tiranës si qark këtë vit është i barabartë me prodhimin ekonomik të të gjithë ekonomisë shqiptare në vitin 2006

-

Bazuar në të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit këtë vit vlerësohet në rreth 2.01 trilionë lekë, ose 16.8 miliardë euro. Por, sa vlen ekonomia shqiptare në një ditë? Rreth 46 milionë euro! Kaq është mesatarish­t, vlera monetare që prodhon ekonomia shqiptare gjatë një dite. Ndërkohë, kryeqyteti, zë 42.98% në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe së fundmi është në qendër të vëmendjes si pasojë e finales së “Conference League” këtë të mërkurë në “Air Albania”. Të dhënat mbi peshën që zenë qarqet në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto i referohen vitit 2020, dhe jo vitit 2022, por janë indikatorë të cilët ndër vite pësojnë luhatje shumë të vogla, çka sugjeron që mund t`i marrim të mirëqëna edhe për vitin aktual. Bazuar në peshën që ka kryeqyteti në ekonominë e vendit, nga një përllogari­tje e thjeshtë, rezulton se ekonomia e Tiranës në një vit prodhon rreth 7.2 mld euro.

Në një ditë, ndërkohë, ekonomia e kryeqyteti­t vlen 19.8 milionë euro. Prodhimi ekonomik i projektuar i Tiranës si qark këtë vit, prej 7.2 mld euro, është i barabartë me prodhimin ekonomik të të gjithë ekonomisë shqiptare në vitin 2006. Asokohe, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit fiksohej në rreth 872 milionë lekë, ose rreth 7.3 miliardë euro. Kjo përllogari­tje i referohet PBB-së me çmimet e tregut me çmime korente.

Ndërkohë, sa i përket prodhimit ekonomik në një ditë të secilit qark, pas Tiranës, në vend të dytë ndjek qarku i Fierit, me rreth 5 milionë euro, Durrësi me 4.6 milionë euro, Elbasani me 3.1 milionë euro, Vlora me 2.6 milionë euro, Korça me 2.5 milionë euro. Ndërkohë, në fund të tabelës shohim qarkun e Dibrës, që prodhon në një ditë 1.3 milionë euro, atë të Gjirokastr­ës, 1 milion euro, dhe në fund fare, qarkun e Kukësit, me vetëm 764 mijë euro.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania