Gazeta Dita

Një e vdekur dhe 9 të plagosur në 24 orë, tre nga të dëmtuarit janë turistë amerikanë

-

Aksidentet përgjakin rrugët dhe brenda 24 orësh humbasin jetën një këmbësore dhe u plagosën të paktën 9 të tjerë, mes të cilëve 3 turistë amerikanë. Rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, në afërsi të fshatit Lin të Pogradecit, makina e tipit “Benz”, e cila drejtohej nga shoferi me iniciale I. B., është përplasur me makinën tip “Golf”, e cila drejtohej nga shoferi me iniciale N. B. Si pasojë e përplasjes së dy makinave, janë plagosur 4 persona, dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerët që ndodheshin në veturë. Të dëmtuarit L. D., dhe K. L., u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Pogradecit, ndërsa policia po ndjek hetimet për shkaqet dhe rrethanat. Kurse një autobot i cili drejtohej nga një 60-vjeçar me iniciale R.Dh., ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 11:45, në aksin rrugor Himarë-Dhërmi, në vendin e quajtur “Kthesa e Vishës”. Si pasojë është plagosur drejtuesi i autobotit, i cili ndodhet në Spitalin e Himarës, nën kujdesin e mjekëve. Edhe në Gjirokastë­r, një makinë ka dalë nga rruga, ku si pasojë 3 turistë amerikanë që ndodheshin në automjet kanë pësuar lëndime. Aksidenti ka ndodhur në aksin rural ne afërsi të tunelit pranë rrugës së re për në Sarandë, te “Ura e Kardhiqit” dhe shkak mendohet të ketë qenë ngatërresa e rrugës për shkak të mungesës së sinjalisti­kës. Mësohet se turistët kanë pësuar thyerje në disa gjymtyrë, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e fundit dhe më tragjikja ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Kamëz, ku si pasojë e përplasjes nga makina, ka humbur jetën një 57-vjeçare. Shoferja 32-vjeçare me inicialet E. M., përplasi këmbësoret N. Sh., 57 vjeçe dhe R. Ç., 20 vjeçe, ku për fat të keq e para ndërroi jetë në spital dhe tjetra ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Policia ka ndaluar shoferen për procedim penal.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania